Vetëm Ramush Haradinaj mund ta ndalë Hashim Thaçin!

Enver Bytyçi
Sot ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë me dhimbje pohoi se disa shtete e kanë tërhequr njohjen e pavarësisë, pra shtetësisë së Ksosovës! Kjo demanton kundërshtitë e vazhdueshme të ministrit të Punëve të Jashtme, sipas të cilit Serbia dhe Daçiq mashtrojnë me deklaratat e tyre për këto tërheqje. Hashim Thaçi takohet vazhdimisht e homologun e tij serb dhe asnjëherë nuk ia tërheq vërejtjen se Beogradi po shkel marrëveshjet e nënshkruara me Prishtinën. Kjo do të thotë se presidenti i vendit është bërë vegël e presidentit të Serbisë.
Kur Ramush Haradinaj vendosi taksën e 10 përqindshit për mallrat serbe, Beogradi u ankua në Bruksel. Bashkë me Beogradin reagoi pro Serbisë e kundër qeverisë së vet edhe Hashim Thaçi. Pra u radhit në krah të Vuçiqit. Në qeveri kundër kësaj mase ishin dy zv.kryeministra, njëri i partisë së Thaçit dhe tjetri mik i presidentit dhe Edi Ramës.Edhe kësaj radhe Hashim Thaçi dëshmoi se është ai që është, vegël e Beogradit.
Sot në mbrëmjë të dy presidentët do të takohen në Bruksel. Brukseli është nyja lidhëse e të dy vendeve, por që ka lidh nyje Kosovën për të zgjidh nyjën e Serbisë. Kosovës po ia pret shpresat për liberalizimin e vizave, pavarësisht rekomandimit të parlamentit europian. Dhe kjo ndodh se Hashim Thaçi nuk ndalet. Nuk kërkon asnjë kusht për vazhdimin e bisedimeve. Ka frikë se ndalja e bisedimeve ndal edhe projektin e ndarjes së Kosovës!
Hashim Thaçi në emër të luftës për çlirimin e Kosovës nga Milosheviçi po e çon atë në një gjendje më të vështirë sesa në kohën e Milosheviçit, thjesht si çokë për mikun e tij në Beograd, Aleksandër Vuçiq dhe vëllaun e tij në Tiranë, Edi Rama! Hashim Thaçi po ia bën atë që nuk ia ka bërë askush deri më sot Kosovës! Po zhbën shtetin dhe po shet territoret e saj! Po kush mund ta ndalë Hasjhim Thaçin në këtë aventurë! Më e mira do të ishte ta ndalin shqiptarët, në çdo formë e me çdo mjet! Do ishte mrekulli nëse parlamenti do ta kishte bërë këtë akt me kohë, sepse ka tagër ligjor e kushtetues. Por nuk e bëri as parlamenti. Opozita duket e vendosur, por eehe e përçarë! Atëherë cila do të ishte zgjidhja më e sigurt, pa dhunë, pa dhimbje e pa pasoja?
Një zgjidhje e tillë lidhet me emrin e kryeministrit aktual, Ramush Haradinaj. Vetëm kryeministri mund ta ndalë Hashim Thaçin. Pozicioni i tij i derisotëm është dinjitoz lidhur me iniciativën e Thaçit për ndarjen e Kosovës. Ai është kundër. Sot Haradinaj e paralajmëroi presidentin, duke i kërkuar që ta kushtëzojë dialogun me liberalizimin e vizave. Ishte një kërkesë legjitime dhe logjike. Para pak ditësh qeveria Haradinaj vendosi taksën për mallrat serbe! Ishte një vendim që ia dobëson pozitat Hashim Thaçit. Por në Serbi dhe në Europë ende e konsiderojnë Thaçin si njeriun e fuqishëm të Kosovës, me të cilin mund të “merren vesh” për dialog, për korrigjim kufijsh dhe ndarje të Kosovës, për “tolerancë” deri në zhbërjen e shtetit të Kosovës e tjetërsimin e territoreve të saj. Fuqia e presidentit të Kosovës, ndonëse nuk buron nga kushtetuta e vendit, buron nga paaftësia, pamundëesia, për t’ia zvogluar pushtetin jolegjitim Hashim Thaçit. Sa kohë që ai është i pushtetshëm dhe dikton votimin në parlament të rezolutave, dikton qeverisjen e politikat e saj, aq kohë perendimi do ta ketë atë si partner në bisedimet e Serbinë.
Ramush Haradinaj është i vetmi lider me fuqi dhe kredite politike e luftarake që mund ta ndryshojë këtë realitet. E di se shkruaj e flas nga pozitat e një vëzhguesi dhe jo në ato pozitat, në të cilat vepron e punon kryeministri i Kosovës. Por nëse zoti Haradinaj dëshiron ta ndalë Thaçin, duhet ta kalojë një rezolutë në parlament, me anën e së cilës t’ia ndalojë presidentit veprimtarinë antikombëtare, antishtetërore e antikushtetuese në dialogun më Serbinë. Nëse për këtë është nevoja ta lërë pushtetin, le të shpallë më pas zgjedhje të parakohshmme e të bashkohet me të gjitha ato forca politike që i kundërvihen Hashim Thaçit në aktin e tij antikombëtar e proserb të ndarjes së Kosovës. Ndoshta nuk do të mund të bëhet përsëri kryeministër, por njërin nga tri postet kryesore të shtetit do ta marrë.
Jam i bindur se një opozitë me të cilën bashkohet Haradinaj dhe Limaj, pa Hashim Thaçin dhe Behgjet Pacollin, do të pozicionohej si opozitë e aksionit politik për çlirimin e Kosovës, kësaj radhe, jo prej Milosheviçit, por prej Hashim Thaçit. Kjo do të jetë arësyeja pse shqiptarët do të homogjenizohen përkrah opozitës, njësoj si në kohën e Rugovës kur refuzohej regjimi i Beogradit në Kosovë. Ramush Haradinajt i ka ardhur shansi të vihet në krye të lëvizjes për çlirimin e Kosovës kësaj radhe prej presidentit të saj. Nëse e kap këtë shans, ai do të hyjë në histori si çlirimtari i madh i vendit të tij dhe do të shënohet si kryeministri i vetëm që vuri interesin e Kosovës mbi interesat e veta!
Tiranë, 08.11.2018

Loading...
You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.