Vdekja e 2 punëtorëve pas shembjes së skelës/ Policia vë në pranga pronarin e firmës së skelave Petrit Sylën

Ditën e sotme është dhënë masa nga Gjykata e Tiranës “arrest me burg” për administratorin e kompanisë “Skela Syla”, Petrit Syla.

Mësohet se vendimi është dhënë nga gjyqtari Sokol Tona, i cili ka pranuar kërkesën e prokurori Kol Hysenaj për lënien në burg të biznesmenit. Ky i fundit akuzohet për “Shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë” për ngjarjen e rrëzimit të skelës në Tiranë, ku humbën jetën dy punëtorë.

Mësohet se Syla ka dëshmuar gjatë seancës se nuk ka përgjegjësi për atë që ka ndodhur duke e konsideruar ngjarjen e rëndë si një pasojë e pakujdesisë së punëtorëve në çmontimin e skelës së pallatit që po rikonstruktohej.

Administratori i firmës “Skela Syla”, Petrit Syla është arrestuar dy ditë më parë nga policia. Syla mësohet se po kthehej nga një dasëm në Lezhë.

Administratori i firmës Syla, Petrit Syla, u shpall në kërkim pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në Tiranë me datën 16 gusht, pasi është konstatuar se nuk janë respektuar rregullat e sigurisë në punë, ç’ka shkaktoi dhe vdekjen e dy punëtorëve.

“Shërbimet e policisë të komisariatit nr.1, ekzekutuan urdhërin e ndalimit të Prokurorisë për një tjetër shtetas, në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 16 gusht 2019, ku në rrugën “Faik Konica”, si rezultat i rrëzimit të skelave të pallatit që ishte në rikonstruksion ndërruan jetë dy punëtor.

Shërbimet e policisë të komisariatit nr.1, ekzekutuan urdhërin e ndalimit për shtetasin:

P. S., 46 vjeç, banues në Tiranë.

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka lëshuar urdhër ndalimi ndaj këtij shtetasi në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 16 gusht 2019, ku në rrugën “Faik Konica”, si rezultat i rrëzimit të skelave të pallatit që ishte në rikonstruksion ndërruan jetë dy puntorë.Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.”- njofton policia.

Kujtojmë se si pasojë e rrëzimit të skelës ku po punonin 5 punëtorë, dy prej tyre humbën jetën, dhe tre të tjerë u plagosën.

Dy viktimat e ngjarjes së rëndë ishin të rinjtë Ergys Brahimaj dhe Orjan Kodra, ndërsa të plagosur mbetën Genti Bardhi, Euglidios Lika dhe Altin Marku, të cilët fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Kujtojmë se rikonstruksioni i fasadave ishte një projekt i Bashkisë së Tiranës, çka e thellon dhe më shumë skandalin dhe vë mjaft në pikëpyetje kushtet në të cilat detyrohet që të punojnë shqiptarët.

Loading...
Të ngjashme

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.