Universiteti i Mjekësisë Tiranë, koteci i delirantëve

“-Besjana kur do udhëtosh për në Shqipëri?

Me shumë mundësi në korrik zyshPse pyesni?

Do na bësh një nderKur të nisesh merr me vete dhe ca nga mjekët që kanë ardhur këtuPorama kthehu pa ata.”

Ky episod m’u kujtua sot, kur pashë furtunën që kishte përfshirë UMT-në në javët e fundit. Shkak ishin bërë zgjedhjet për këshillin studentor, mollë e hershme sherri mes studentëve të Universitetit të Mjekësisë. Pasi harxhova disa minuta të mira duke shfletuar gazetë më gazetë e portal më portal, m’u kujtua edhe arsyeja, pse komentin deri diku të pavend e me nota të lehta racizmi e kisha kaluar me një nënqeshje të lehtë dhe shfletim në faqen tjetër të librit që kisha në dorë.

Duhet të kuptoni që në këto muaj të qëndrimit tim në shtetin gjerman me zyshën në fjalë (dhe jo vetëm) kisha patur diskutime e debate të vazhdueshme se si Shqipëria nuk ka vetëm popullësi myslimane; që po, një pjesë e mirë e jona e hanë mishin e derrit; që po, shtrihemi në kontinentin Europian dhe jo në kufi me Armeninë, që nuk kemi dalë nga lufta dhe nuk jemi prekur nga Pranvera Arabe; që po, ne shqiptarët kemi gjuhën tonë, e cila është më e lashtë se ajo gjermane dhe që në Shqipëri mund të gjesh poliglotë e eruditë, ndoshta më shumë se sa këtu në ish-mbretërinë e Augustit të II.

Por, në rastin e komentit të pavend zgjodha të heshtja dhe të nënqeshja, pasi thellë-thellë e dija se ajo kishte sado pak të drejtë në atë që tha.

Si ish-studente e UMT-së e njihja nga brenda realitetin e universitetit “elitë” pa karrige e banga, që më shumë i ngjan një koteci se sa një shkolle të mirëfilltë. Kotec, ku ndër vite këndeza delirantë përpiqen të hanë kokat e njëri-tjetrit.

Si erdhëm deri këtu?

Në qoftë se 1997-a shënoi shqyerjen e dyerve të depove në të gjithë vendin, 2006-a shënoi shqyerjen e dyerve të universiteteve. Me sistemin “meritë-preferencë” çdokush që njihte tabelën e shumëzimit apo ishte i sigurt në gërmëzimin e alfabetit mori të drejtën të hynte në universitet.

Paraardhësi i sistemit meritë-preferencë ishte sistemi me konkurrim, që ishte po aq problematik dhe i mangët sa ai që pasoi. Por, me kalimin e viteve u kuptua që sistemi me konkurrim me gjithë keqfunksionimin e tij kishte arritur, ndoshta edhe sa për sy e faqe, të ruante një filtër të fundit në procesin e përzgjedhjes, gjë në të cilën meritë-preferenca dështoi plotësisht.

Marshimi i të paditurve drejt universiteteve u bë i pashmangshëm dhe nga ky marshim nuk arriti të mbrohej askush, as Fakulteti “elitë” i Mjekësisë. Vetë Universiteti i Mjekësisë u investua në mënyra të ndryshme që të ruante imazhin e institucionit arsimor më të mirë në vend, imazh për të cilin u deshën mbi 50 vite punë e investim për t’a ndërtuar e u desh shumë pak për ta zhbërë.

Për fat të keq, në jetën e nëntokës asgjë nuk mbetet e fshehtë për shumë kohë. Shumë shpejt fjala mori dhenë që në Fakultetin e Mjekësisë kishin futur këmbët individë pa asnjë lidhje me të ndër vite, individë që në mënyra të dyshimta kishin arritur të merrnin tituj e grada shkencore, individë që ishin të gatshëm që kundrejt pagesës të lëviznin ca fije, fije që shkonin deri në Ministrinë e Arsimit, për të bërë të mundur hyrjen në fakultet të kujtdo që ishte i gatshëm të paguante dhe të mbante gojën mbyllur.

Sekserët filluan të rrethonin Fakultetin e Mjekësisë. Shërbimet e ofruara varionin nga transferimet nga diplomoret private, në dhënie diplomash e deri në fshehje kuotash në degët më të kërkuara.

Nga kjo frymë e re në të riun Universitet të Mjekësisë së Tiranës, iu dha mundësia e marrjes së statusit student i UMT-së shumë emrave e mbiemrave të njohur e të panjohur, të cilët UMT-në do duhej t’a shihnin vetëm në fotografi e jo t’u jepej mundësia të ishin pjesë e tij.

Do përbënte gafë për mua dhe për këdo tjetër aludimi se këta individë ishin shumica mes studentëve të UMT-së. Ata ishin dhe mbeten edhe sot minorancë, një minorancë që do ishte katalizatori kryesor i përçarjes së studentëve dhe degradimit të mëtejshëm të UMT-së.

Loading...

Ndër vite minoranca ishte vënë në shërbim të emrave të caktuar që do përbënin kokat udhëheqëse të Fakultetit të Mjekësisë për vite me radhë. Minoranca bëri një punë të arrirë për sigurimin e votave nga studentët për veten dhe për individë që më vonë do tregoheshin shumë bujarë me ta. Studentët që në sytë e kamerave hiqeshin sikur ishin në ballë të lëvizjeve studentore të mjekësisë e që në fakt prapa kuintave flirtonin dhe u shërbenin bindshëm atyre që gjoja i kritikonin para kamerave. Për shërbimet e tyre, këta studentë u sajdisën me favore nga më të ndryshmet. Peshqeshi i parë që morën ishte këshilli studentor. Peshqeshe të tjera pasuan me favorizime në nota, dhënie e bursave për jashtë dhe një transmetim live në TV ku këta shërbëtorë të bindur do merrnin edhe çertifikatat e ekselencës.

Duke parë që shokëve të tyre po u ecte mjaft mirë me sistemin “shërbe dhe përfito”, shumë studentë të tjerë morën shembullin e paraardhësve të tyre që tashmë kishin marrë rrugët për në universitete europiane duke lënë pas vende bosh që nuk vonuan të ziheshin. Këta që erdhën ishin një imitim i dobët i atyre që shkuan. Studentë me formim mediokër, pa artikulim dhe ide. Këta i kishin bërë tashmë zboret e para në zyrat e forumeve rinore dhe ishin të gatshëm që dijen dhe eksperiencën e marrë t’a vinin në shërbim të dekanit dhe rektorit. Këta zvarranikë, mëngjesi i gjente në xhami, dreka ne zyrat e partisë, kafeja e mbasdites në prehrin e rektorit dhe darka në bordello. Me zell të panjohur deri më atëherë arritën të monopolizonin si kurrë më parë këshillin studentor. Vitet e para të pionierëve të rinj ishin të suksesshme. Ata arritën të organizonin shumë konferenca shkencore pa shkencë, ballo me tallava, shkolla verore në vjeshtë duke ia arritur kështu qëllimit t’u hidhnin hi syve studentëve të thjeshtë që në ato kohë nuk e dinin se ku fillonte sapuni e ku mbaronte djathi.

Por, “ditët e zeza” nuk do vononin të vinin për pashallarët e UMT. Rotacioni politik i vitit 2013 do shënonte hapjen e një kapitulli të ri në historinë e universitetit. Pushteti i ri vinte me një hanxhar në dorë që sipas tyre do ndante në dysh nyjen e korrupsionit në vend. Normalisht jashtë vëmendjes nuk u la as UMT-ja. Aty bënin ligjin njerëz që kishin çuar jo pak ujë në mullirin e pushtetit të shkuar. Filloi lufta e diskreditimit publik të shumë figurave që prej vitesh e kishin konsideruar UMT-në si lopë për t’u mjelur. Këta do duhej të zëvendësoheshin me mjelës të tjerë.

Nuk është per t’u çuditur që të parët që kafshuan duart e atyre që i kishin ushqyer për kaq kohë ishin pikërisht ata që ishin vënë në shërbim të tyre për vite me radhë. Brenda natës Beriat e FM perfeksionuan artin e atëvrasjes duke u bërë thirrmëtarët kryesorë të nevojës për ndryshime.

Ç’kuptim ka e gjithë kjo?

I gjithë ky kthim pas në kohë bëhet për të krijuar një ide të qartë të ngjarjeve dhe dinamikave që e kanë përcaktuar ekzistencën e FM apo UMT në 15 vitet e fundit.

Opinioni publik duhet të dijë që UMT është larg të qenit shkollë elitë. Në UMT sot japin mësim profesorë pa punime shkencore, profesorë pa arritje akademike, profesorë që nuk zotërojnë as edhe një gjuhë të huaj, profesorë që bëjnë tregti me dijen, që detyrojnë studentë të blejnë libra të përkthyer me google translate (apo në rastin më të mirë, të përkthyer nga vetë studentët), profesorë që e kanë harruar derën e auditorit.

Në UMT më shumë se 60% e stafit pedagogjik janë aty falë lidhjeve familjare. Nepotizmi është kryefjala e çdo katedre. Por, në bilancin e keq të universitetit nuk mbetemi pas as ne ish-studentët dhe studentët e sotëm. Janë të rralla rastet kur studentët e mjekësisë janë bërë ndonjëherë bashkë. Kauzat që kanë arritur t’i bashkojnë studentët janë vetëm problematikat e sezoneve të provimeve apo të specializimeve.

Ndër vite, studentët e UMT-së kanë dështuar në formimin e një platforme të plotë, të mirë-hartuar dhe të mirë-strukturuar që do ishte e frytshme për shumë breza, larg standardit “kalova lumin, hodha kalin”.

Sigurisht, ngjarjet e fundit në Universitetin e Mjekësisë japin shpresë se diçka mund të ndryshojë. Edhe pse një organizim më shumë masiv se sa cilësor, me mangësi të theksuara në hartimin e platformave konkurruese, me artikulim të varfër e të përgjithshëm, me një turravrap e nxitim për të ndryshuar diçka, kandidatët e sotëm arritën të bënin atë që të gjithë ne të tjerët dështuam të bënim, ata ngritën kokë dhe bënë zhurmë, duke e rikthyer më fuqishëm se asnjëherë në rendin e ditës çështjen e Universitetit të Mjekësisë.

Ata ndoshta nuk e dinë që ditën që janë shoqëruar në ambientet e policisë kanë fituar. U mbetet vetëm të menaxhojnë veten, të menaxhojnë mirë atë që kanë arritur deri më tani, të ruajnë kauzën nga atëvrasësit që prej ditësh po i vërtiten rrotull ngjarjeve në UMT për të marrë edhe ata sado pak merita. U mbetet të ruajnë kauzën nga armiqtë e brendshëm që do duan të kenë një pjesë nga çorba që gatuhet prej vitesh në UMT. U mbetet të mbrojnë kauzën nga ambiciozët, delirantët e sharlatanët që do përpiqen që interesin personal t’a vënë përpara interesit publik. U mbetet të lënë pas atë që është kapitulli më i turpshëm në historinë e UMT.

Dhe së fundmi, u mbetet që të jenë më të mirë, më të përgatitur, më të aftë e më me këmbë në tokë se sa janë sot.

Do i këshilloja të ulen të lexojnë më shumë dhe të jenë modestë e të përmbajtur. Pa këto cilësi nuk do ngjallin dot kurrë besim.

Loading...
You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.