“Unë udhëtoja me tre varëse floriri në qafë”, Edlira Gjoni flet troç për gjyqtarin maniak

Nga Edlira Gjoni

“Unë udhëtoja me tre varëse floriri në qafë” “25 vjeç kam qenë kryetar gjykate” “Më vijnë njerëzit nga pas mua, ej.” “E di sa femra kam në radhë unë?” “Më dëgjo mua, dëgjo si e kam muhabetin.” “Ti, do më bindesh mua?“ Mund të ishte bisedë në autobuzin skandaloz të Paskuqanit. Apo në lokalet e ndyra të periferive. Apo në mjedise vulgare cepave të Tiranës.

Por jo, është ligjëratë e drejtë e një gjyqtari. Zot, pse nuk ke pakëz më shumë mëshirë për ç’na servir? Deri këtu?!

E ulët, fyese, shkelje me të dyja këmbët e dinjitetit femëror dhe e atij profesional. Po si mund të jetë gjyqtar një njeri me shqipe të tillë? Çfarë shkallësh profesionale ka kaluar një dykëmbësh i ngjitur kaq fort pas insitiktit bazik seksual? Si mund të hartojë vendime e të bëjë analiza disa-faqëshe për jetët e të tjerëve një frymor që mezi lidh në mënyrë vulgare epshet, zinxhirët e floririt dhe “bindjen”?

E në mes të bisedës, ndërmjetësja e tij gjen edhe hapësirën të nxjerrë të vërtetën lakuriq, ashtu siç sistemi i drejtësisë realisht e mendon: “Na i jep pak me kujdes ato lekët, se jemi dhe me këtë vettingun idiot nëpër këmbë”.

Ky pra është sistemi ynë i drejtësisë. Nga këta njerëz gjykohemi. Këta frymorë të çuditshëm, me sjellje e mendime anadollake, dashakeqe e plot ligësi marrin vendime ligjore për çështje penale e civile. Japin “drejtësi”!

I gjithë dialogu i regjistruar është i neveritshëm. Po akoma më tragjik është fakti se edhe ky rast do tretet pa u marrë vesh, si gjyqtari i Beratit që kërkonte të njëjtat favore nga një nënë e re, apo si gjyqtari i Gjirokastrës, që për pak i prishën dasmën në familje. Po të gjitha u harruan!

Ky mashkull që flet shqipe të cunguar edhe për të qenë qytetar mesatar, është gjyqtar në Fier e bën biseda të fortësh me një grua, në mjedise të errëta. Është personifikimi i gjyqësorit shqiptar. Për kujdestarinë e një fëmijë dalin në shesh vulgaritete të tilla, imagjinoni çfarë bëhet për të mbyllur çështje vrasjesh, droge, krimi, pronësie, vepra të rënda penale.

Turp! Mallkim! Fatkeqësi!

Mos i rëntë kujt mallkimi të përballet me (zh)drejtësinë shqiptare. Përveçse e korruptuar, e pangopur, e ndyrë dhe e neveritshme, është plot edhe me njerëz anadollakë, vulgarë e me nivel shqipje për të mos kaluar klasën e dytë fillore!

Paaftësi, njerëz pa integritet dhe perversitet i veshur me pushtet, me kostum dhe me një çekan që do iu bjerë mbi kokë!

Loading...
Të ngjashme

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.