Tuna ndjek Norën, divorcohet me Patrisin

Duket se historia e martesave mes muzikantëve në familjen Berisha të Prishtinës është shndërruar në një telenovelë të vërtetë plot drama. Vetëm një javë pasi Robert Berisha deklaroi divorcin nga partnerja e tij prej 14 vitesh, Nora Istrefi, nisi të qarkullojë lajmi se edhe çifti tjetër brenda familjes janë ndarë.

 

 

Sipas burimeve, Tuna Sejdiu i ka dhënë fund martesës nga Patris Berisha, po ashtu prindër të një djali, siç edhe Nora e Roberti janë prindër të një vajze. Dyshimet lindën pasi Tuna u pa të pushonte pa Patrisin në ishullin afrikan “Mauritius” në Oqeanin Indian, nga ku po poston foto e video të aventurave atje. Nga ana tjetër, edhe Patrisi duket se është për pushime në një tjetër destinacion pa Tunën.

Duke u nisur nga lajmet që nisën të qarkullonin në portale, Tuna bëri statusin se “në 2019-ën, robi mund të pushojë edhe vetëm”, por e la me dyshim çështjen e Patrisit. Sipas miqve të çiftit, është pak e çuditshme që Tuna dhe Patrisi të pushojnë të ndarë, që do të thotë se ata tashmë kanë marrë një vendim për mbylljen e marrëdhënies së tyre. 34-vjeçarja u nis për pushime së bashku me miken e saj dhe jo me bashkëshortin dhe kjo është shenja e qartë se ajo sapo e ka mbyllur kapitullin e martesës.

Në fakt, nuk është hera e parë që 34-vjeçarja nga Shkupi të përflitet për ndarje nga instrumentisti i muzikës klasike nga Prishtina, Patrisi. Ata patën një krisje të fortë në 2017-ën dhe një tjetër vjeshtën e vitit të kaluar. Në atë kohë, mediat e komentuan Tunën si “nusja që futi në sherr vëllezërit Berisha, nga konflikti për fëmijën jashtë martese deri te zënia me forcë e banesës”.

Kujtojmë që konflikti në familjen e vëllezërve muzikantë Berisha, Robert dhe Patris, ishte kryetema e mediave për javë të tëra. Pas deklaratës në ekran të bashkëshortit të Tuna Sejdiut se “Vëllau është si shkjau”, i cili mbante anën e gruas në këtë konflikt të brendshëm familjar, pati shumë komentues, të cilët e konsideruan këtë një deklaratë nga më të fortat që vëllai mund të bëjë për vëllain. I ftuar në “Xing me Ermalin”, çifti Tuna-Patris u pyetën nga Ermal Mamaqi për konfliktin e bujshëm mes Tunës dhe Robertit dhe Patrisi u përgjigj se “vëllau është si shkjau (hasmi)”, një shprehje që përdoret në Kosovë. Por nuk vonoi Roberti me reagimin e tij pas kësaj deklarate.

I ftuar në emisionin “Rreze dielli”, Robert Berisha u shpreh: “Janë disa thënie të këtij lloji në Kosovë dhe e kam menduar si shaka, duke qenë se e njoh Patrisin shumë mirë, i cili është çun shumë i mirë dhe pozitiv. Gjithsesi, Patrisi e tha atë që duhet me thënë. Mua m’u dukën shumë mirë aty dhe shpresoj që t’i shoh gjithë jetës mirë. Secili ka familjen e vet”, u shpreh Roberti. Por tashmë që familjet e dy vëllezërve janë shpërbërë, si qëndron e vërteta e ftohjes së marrëdhënies së vëllezërve, për shkak nuseve të tyre? Dihet që Nora dhe Tuna, dikur shoqe të ngushta të muzikës, për sa kohë që u bënë kunata ato nuk flisnin me njëra-tjetrën.

HISTORIA E KUNATAVE NORATUNA DHE SHERRI QË PRISHI MARTESAT VIP

Cila ishte e vërteta e sherrit në familjen Berisha, për të cilën fliste Robert Berisha dhe të vërtetat që thuheshin nën zë në Prishtinë për dy çiftet VIP? Fjalët që qarkullonin në Prishtinë për një konflikt të mundshëm mes dy vëllezërve Robert dhe Patris Berisha dolën në sipërfaqe pas deklaratës që Roberti bëri në emisionin “Rudina”, ku për herë të parë zbuloi arsyen se përse familja e tij nuk flet me Tunën.

Ai u shpreh se për shkak të Tuna Sejdiut, gruas së Patrisit dhe kunatës së tij, ai nuk do të ishte i pranishëm në asnjë ditëlindje të nipit. “Me Tunën as nuk dua që të takohemi. Nuk e di, për Patrisin dhe Tianin edhe jetën e jap! Të mbarojnë njëherë e mirë këto thashetheme, Nora me asnjë artist në estradën shqiptare nuk ka pasur problem. Tuna është ajo që me krejt estradën ka probleme. Të gjithë janë gabim, vetëm ajo e ka mirë. Unë i kërkoj falje Patrisit që nuk ishim në ditëlindjen e Tianit dhe nuk do të kemi mundësi të shkojmë në asnjë ditëlindje të familjes së tij, për shkak të Tunës”, tregoi Roberti gjatë emisionit, duke sqaruar njëherë e mirë marrëdhënien e tij me familjen e të vëllait.

E pas kësaj deklarate, që u pasua nga ajo më e forta e Patrisit, nisi të qarkullonte lajmi se shkaku i zënkës mes Robertit dhe Tunës është vajza që Roberti ka jashtë martese, një fakt i konfirmuar nga Tuna me postimet e saj. Siç dihet, Roberti nuk e ka pranuar asnjëherë që ka një vajzë jashtë martese, e cila jeton në Londër me nënën e saj (e cila, sipas disa rrëfimeve për mediat më parë, është shprehur se nuk ka pasur lidhje, por një one night stand me Robertin para sa ai të njihej me Norën), natë nga e cila erdhi në jetë vajza. Mediat e Kosovës shkruan se ky fakt ekziston dhe Tuna me nënën e saj janë shumë mikesha të mira. Kjo është arsyeja pse Nora nuk foli kurrë me Tunën, konflikt që solli dhe përçarjen mes dy vëllezërve.

Tuna postonte shpesh foto të vajzës në fjalë, duke theksuar mbiemrin e dytë “Berisha” të saj, pas mbiemrit të nënës që vajza mban. Kujtojmë që këto postime të Tunës vijnë pasi Roberti e ka mohuar në media se ka një vajzë më të madhe jashtë martese dhe vajza e tij e vetme është ajo nga martesa me këngëtaren Nora Istrefi. Ndërkohë ishte dhe një version tjetër, i hedhur në “YouTube” nga një komentues, që pretendon se është komshi në familjen Berisha. Sipas tij, Tuna ka përzënë në rrugë prindërit e Patrisit dhe ka uzurpuar gjithë apartamentin e tyre.

Në këtë koment në “YouTube” thuhet se “Sherrin, zënkat dhe shumë gjëra të tjera i ka shkaktuar Tuna, nusja që ushtronte dhunë në familje. Familja është viktimë e saj”, shkruhet ndër të tjera në këtë koment. E sipas të tjerë komentues, probleme të tilla të përsëritura në familjen e muzikantëve Berisha kanë çuar deri në prishjen e dy martesave. Ndërkohë që të parën e ka pranuar vetë Roberti, të shohim nëse do kemi ndonjë deklaratë publike nga vëllai tjetër, Patrisi.

Loading...
Të ngjashme

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.