Ti “Rrno me vjedhë ” ose “Rrno me u bë fasadë”

AGRON GJEKMARKAJ gjekmarkajHistorinë çdokush e jeton në mënyrën e vet, për kushtëzim a zgjedhje!  Pozicionet, në të cilat ajo të vendos janë të ndryshme, të çuditshme, irracionale e shpesh pa ndjeshmëri. Mes tyre noton tirani dhe martiri, despotizmi dhe liria, ku shpesh turma mbështetet dhe manipulohet prej të parit. Ndonjë si At Zef Pllumi u gjend në zemër të mekanizmit tragjik nga viti 1944- 1990. Pa e kërkuar e gjet vit pas viti mbi supet e veta mantelin mbushur me gjemba të martirit! Nuk ishte një rastësi për asnjërën palë. Si një dikotomi e pashmangshme u ndërtua ajo. Në një moment të historisë sonë, kur indi kombëtar, shpirtëror dhe intelektual po rrafshohej, po thyhej nga dhuna e shndërruar ne pushtet, nga skuadrat e pushkatimit që “liberatorët” ngrehën për të gjithë ata që paradoksalisht, në vend të purgave, predikonin dashurinë edhe kur plotoni çonte gishtin në këmbëz, ai merr një urdhër të epërm, “djalë, rrno vetëm për me tregue”! Një porosi kësodore atje nga mali i ullinjve afër kryqëzimit mes vikamash ngjethëse, të cilat do të shoqëronin njerëzimin në rrugëtimin e tij, Jezu Krishti u pat klithur apostujve të tij të çoroditur nga tis i natës që afrohej kobshëm.

Një Shqipëri e “vjetër” po shuhej nën shiun që përzihej me gjak buzë çinarëve në Rrmaj të Shkodrës, në jug e qendër, dhe një tjetër e “re” po lindte hullive të terrorit, perversitetit dhe idiotësisë kolektive. Një lindje, pjellore kjo. Kryqëzuar, pa rrugëdalje, me këtë amanet At Zef Pllumi shndërrohet në bartës dhe bard të testamentit më të rëndë, që përcakton marrëdhënien ndërmjet një individi dhe vendit të vet, që manipulon dëshminë dhe vret dëshmitarët, të cilin jeta vepër dhe vepra jete e shndërrojnë në personalitet, në shkrimtar jashtë çdo krahasimi e misionar të rebeluar! Mes së keqes në shtrirje dhe së mirës në tkurrje, edhe pse është kah errët, ai rri me të paktët! Një ndërgjegje fotografike, analitike e kritike, i pazakontë si rrënimtar, Pllumi shkroi atë libër që të zë rrugën e nuk e shmang dot asnjë mendje e civilizuar (se ato të rrëmyetat ngarkuar me ideologji, mbështjellë me kasketa a të tjera veshje, ëndërrojnë të ngrohen në flakën e tij), teksa dëshiron të kontekstualizojë vetveten me kohën, hapësirën dhe shoqërinë, të cilat harkojnë historinë bashkëkohore shqiptare. Një nga ato tekste është “Rrno vetëm për me tregue”, që nëse do ta minimalizosh maksimalisht pangeshëm, të mëson menjëherë se si të mbetesh njeri kur të jesh i tillë ngjan si pengesë a ngarkesë e tepërt!

Më yshti një gjetje e shfaqur në Pazarin e ri të Tiranës në një nga restorantet e atij cepi, me bekimin a jo të Lal Erit nuk është e lehtë ta dish. Një pronari i kishte funksionuar nënvetëdija dhe është për t’u përgëzuar që leximi e ka çuar drejt nji gjetjeje si ajo që u rrethua me zhurmë! Ai kishte transformuar titullin e famshëm nga “Rrno vetëm për me tregue” në “Rrno vetëm për me gatue”! Zotnia kishte identifikuar pasionin e Pllumit me të vetin e në këtë rast meriton përgëzim për guximin e skajshëm, për të futur shpirtin në bark! Komercializime të tilla, kudo në botë janë të njohura. Por duke e tejkaluar rastin konkret, tragjizmi i atij rrëfimi dhe gëzimi i gatimit të çojnë drejt një reflektimi më të thellë! Pa dashje, gastronomi në fjalë ka përkufizuar një epokë, atë të pas Pllumit, kohën e barkut-kacek!

Po, po “Rrno vetëm me gatue”, e cila mund të shoqërohet me plot gjetje të tjera, si “Rrno veç me hangër e me fry calikun”, “Rrno vetëm me vjedhë”, “Rrno vetëm me rrejt”, “Rrno vetëm me sundue”, “Rrno vetëm me u servilos”, “Rrno vetëm me bërtit urraaa, rroftë qeveria, poshtë opozita”! “Rrno vetëm me bërtit rroftë Kryeministri, rroftë Kryetari, rroftë dudumi, rroftë kostumi”, “Rrno me pi hashash”, “Rrno me ba PPP e me marrë koncesione”, “Rrno me heshtë e me ba kompromise”, “Rrno me u ba fasadë”, “Rrno me tundë kryet me gëzim pas çdo poshtërimi” e plot këso gjetjesh, të cilat janë shnderrue në klonin e jetës së përditshme arbërore qysh atij dhjetori që na u dha liria me e thanë me brohorima gjenialitetin e ri që korruptoi vetë lirinë!

Nga vështrime të tilla, pa alegri me të drejtë, ndokush që në kujtesë ka buhavitje me kujtime të përzhitura dhimbjesh, të cilat në vendin e tij i rrëfeu bash ai, frati, “ideologu i lirisë kundër tiranisë”, siç e pat thirrur herët dishepulli i tij Aurel Plasari, u trondit nga metamorfoza e atij kapaku me fytyrën e pllumit shkartisur në skifter, i cili gjithë jetën trajtoi keq barkun t’u u mundue me ushqye shpirtin dhe mendjen!

Loading...

pirtin dhe mendjen! Po e vërteta nuk tjetërsohet nga brengat e askujt. Jemi në epokën ku mbi këso doktrinash menaxhohet ky vend! Çka marr unë? Çka fitoj unë? Ky është refreni i përditshëm. Shikoni partitë politike shqiptare, në të cilat togfjalëshi standarde demokratike vlen më pak se një lëvere. Në një vend kaq të vogël, me një Kryeministër të lexuar e madje publicist i mirë (të shkruarit nuk është kurrë rastësor), dikur me plot referenca kulturore, ka ndërtuar një formacion politik ku urrehen intelektualët! Me perfeksion që të vë në mendime, ka ngritur kultin e bindjes dhe të politikanit robot. Asnjë lloj kundërshtie nuk merr frymë, 75 votat për shembjen e teatrit dhe grabitjen e tokës ishin testi! Rasti i fundit qe me deputetin e Laçit, Gjetan Gjetani, i cili tha një të vërtetë përtej arsyeve që e shtynë.

Ndoshta xheloz për faktin që ai nuk quhet Edi, si Gjeta e nuk i rikumbon emri te mbiemri, e përjashtoi nga partia. Mbase ka përkëdhelur edhe besimin socrealist t?ë militantëve të vet, sepse emrin Gjetan iu kujton diversantët, të cilët partia dhe komandanti i shtypin me grusht të hekurt. Lajet, çdo kryetare lagjeje a fronti e munguar, debatikas të Kinostudios me kinde e jelek me sumbulla, me mjekra e qose, na mbajnë fjalime çdo natë të lume. Hej Zot, ku je? Fukarallëku të bën të brishtë e të matur se të vjen me rrahë televizorin me shkop! E pra, Kryeministri e bën me dashje. Çfarë magjie negative ka ky vend që çdo njeri kur merr pushtet shndërrohet në despot otoman, të vogël e të madh, sipas rangut e vendit nga fshati në qytet, nga skaji në metropol, nga kafja e periferisë në Rogner a ish-Sheraton?!

Rama do të këndojë në mes të shkretëtirës intelektuale, madje edhe të recitojë vjersha si i vetmi poet i letërsisë dhe politikës! Një foto e postuar nga Namik Dokle m’i nxiti këto ide, (anipse jo të gjitha objektive) nga Grupi Parlamentar Socialist i viteve 1992-1996! Shumë prej tyre qenë intelektualë të fushave të ndryshme, profesorë e profesionistë me emër. I kemi shpesh gjykuar emocionalisht, e përbuzur për nostalgjitë komuniste, për mungesën e kurajës për të kërkuar falje për të kaluarën e krimet në fytyrën e saj, por mbase sot kujtohemi të pranojmë se ishin shumë më të ndershëm e idealistë, paçka se patetikë edhe në gabimet e tyre dukshëm shumë më të ditur e kurajozë se këta të parlamentit aktual.

Tani ministrushet, ministrushat, djalkat e cucat e Edi Ramës pa iu bere syri tërr lexojnë, këlthasin, bërtasin ndërkohë që u bie gusha, u rritet barku, u shkëlqen qimja me sfonde plot ngjyra nga pas të “Shqipërisë që duam”, të asaj që arsyeton me bark! Këta janë bijtë e epokës, të pagabueshëm ne disa instinkte, që e meritojnë thënien e kuzhinierit “Rrno vetëm me gatue”, “Rrno me jetue si mbret” në nji vend me skllevër të lirë, me emigrue, me jetue keq, me u nënshtrue pa negociata! Shikoni foton e Namikut dhe foton e Rilindjes! Njeriu pa cilësi është gjetja që sondazhet e Edi Ramës favorizuakan. Dekulturimi i politikes, i cili vret të gjithë fëmijët që e shohin Mbretin lakuriq.

Kah Opozita, çka me thanë! Sali Berishës i takon me shkrue “Rrno për me vajtue” si Priami për Hektorin e vramë! E pra, Lulzim Basha është një burrë i shkolluem mirë në atdheun e Erazmit, i shtruem në të biseduem, i qetë dhe qytetar. Basha nuk përpiqet me konkurrue Ajnshtajnin. I palidhun me botën e krimit, gjë që po ia marrin për dobësi, kur në fakt është vlerë. Por tradita i bëri magjinë, për të cilën folëm më sipër. Skropi i banalitetit i ka zanë sytë dhe i ka lidhur duart me konopin e tij të yndyrshëm! Banaliteti nuk jep shpresë, veç rënkime fund e majë, të lidh gjuhën, të vret kohën, të fundos shpresën. Ditën që Basha do të ndahet prej tij, ai në atë moment mund të shohë kah Kryeministria. Duhet pak guxim. E djathta në Shqipëri bëhet shumicë vetëm kur sheh lart!

Me gjasë edhe Luli, me sundue pa kundërshti nji parti të zvoglueme prej së cilës pritet me i thanë ndal Edi Ramës, që ka zëvëndësue mesinë ndër ne t’u u sjellë si babë e nanë, si gjysh e gjyshe, si polic e si gjykatës, si poet e mësues, si plak i vitit të ri e si ashik sokaku, si hokatar e profet, natë për natë me tuitër, feisbuk, video, intervista, veproi kështu jangellesh!

Rama e din boll mirë çka ban e pse e ban, se der tash llogaria i del! Ajo më cinikja dhe egoistja e pushtetit personal, e cila i leberat në vesh si sibilat, duke i thënë që progresi yt është edhe i Shqipërisë. Edhe Luli pa mëdyshje e din pse u josh nga magjia, po, medet, s’i doli hesapi. Basha ka fatin, por jo ende shumë kohë që të gjejë moton e tij! Një mund t’ia huazojmë “Rrno jo vetëm për interesin tënd, por të të gjithë atyre që “volens”, “nolens” detyrohen me pa nga ti”. Për nji qeveri kësisoj mundesh me thanë që “rrnon me ba dame ” e për nji opozitë të tillë “Rrnon për me ndryshue nëse don me ekzistue” në nji Shqipëri të lodhur e topitur, qe s’ka durim me dëgjue asgja veç trokun e zorrëve të cimbisur, nga ata që rrnojnë për të gatuar gjellën tonë të përditshme!

Loading...
You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.