Televizioni shtetëror, televizionet private dhe publiku në mes

Ditët e fundit ka pasur një debat në shtypin tonë për një inisiativë ligjore që kanë ndërmarrë disa operatorë televizivë privatë në Shqipëri, të cilët, në thelb, kërkojnë që, nga pagesa e konsumatorit shqiptar për taksën e aparatit televiziv, që është 1200 lekë në vit, të përfitojnë dhe ata. Arsyetimi i tyre është ai që kanë bërë më parë edhe vende të tjera si Britania, fjala vjen, e cila ia hoqi këtë taksë BBC-së dhe zgjodhi kriterin e audiencës.

Përsa kohë që publiku nuk shihte vetëm atë kanal, por shihte më shumë kanale të tjera, nuk kishte kuptim që publikut t’i merrej një taksë për një shërbim të padhënë. Nëse ju kujtohet kjo ishte arsyeja që edhe seksioni shqip i BBC-së në Tiranë u mbyll.

Ky arsyetim vlen edhe për Shqipërinë. Personalisht mendoj që shqiptarëve ose duhet t’u hiqet taksa për aparatin televiziv që paguhet për RTSH-në (gërdallën publike, siç thuhet në zhargonin e rëndomtë) ose ajo duhet të ndahet në mënyrë të tillë që të shpërblehen ata operatorë që ia ofrojnë publikut këtë shërbim. Mirëpo kjo është ana parimore e problemit. Ndërkaq ka edhe një anë tjetër që është konteksti shqiptar.

Siç dihet sistemi i medies vizive në vendin tonë do të kalojë nga analog në dixhital. Platformat mbi të cilat do të realizohet ky shërbim ishin pesë dhe janë bërë shtatë. Është shumë e paqartë se çfarë do të ndodhë neser.

Sa do të paguajnë shqiptarët për të siguruar shërbimin televiziv privat apo publik, por një gjë është e sigurtë që tashmë ky produkt është liberalizuar dhe në kushtet e epokës dixhitale, shumëllojshmëria e mundësive për të patur akses në një medie të caktuar rritet pafundësisht.

Ndërkaq, në Shqipëri vazhdon e njëjta rutine kriminale prej më shumë se 20 vjet dhe shqiptarët vijojnë të paguajnë një taksë për një gërmadhë si RTSH-ja, e cila, jo vetëm që mban mijëra njerëz të paaftë, por është kthyer në një institucion pa asnjë vlerë në tregun mediatik.  Nga kjo pikëpamje, çdo reformë që mund të bëhet në këtë drejtim, pra për t’ia hequr financimin publik një strukture parazite dhe joproduktive, është e mirëpritur.

Mirëpo ajo qeveri që po mbështet këtë nismë drejtohet nga Edi Rama, i cili, siç e dimë të gjithë, për të zgjedhur Thoma Gëllçin që tani është me PD-në kundër kësaj nisme të operatorëve privatë dhe të mbështetur nga qeveria, ndryshoi ligjin për RTSH-në, vuri në krye të Këshillit Drejtues një marionetë që e urdhëroi të vendoste atë drejtor që donte ai dhe të merrte në krye të punëve pjesën e e flakur të TOP Chanel-it për ta kthyer atë gërmadhe në një magazinë ku luhet play station.

Marrëzitë e Edi Ramës dhe deliri i tij për ta bërë ujin verë, nuk kufizohen vetëm këtu. Ato e ndotin dhe e bëjnë çdo inisiativë racionale të paragjykueshme, sepse në stilin e punës së tij është vetëm deliri i njeriut narcizist dhe mediokriteti i ngritur në art.

Loading...

Ndërkohë që operatorët privatë që kërkojnë me të drejtë të rishikohet ligji për taksën e aparatit televiziv, janë në të drejtën e tyre dhe meritojnë të përfitojnë nga ajo taksë që është konceptuar si shërbim për televizorin që mbajmë ndezur në shtëpi, ata, ndërkaq, janë të paragjykuar, sepse njeriu që e mbështet këtë nismë është po ai që bëri të pamundurën derisa ndryshoi ligjin që RTSH-në ta bënte zgjatim me mbeturinat e TOP-Chanel dhe në krye të vinte atë që donte ai dhe interesat e tij.

Diskutimi tjetër që bëhet sot është edhe ai për blerjen apo shitjen e privatëve tek qeveria dhe klientelizmi si filozofi.

Shqipëria është ndërtuar si një marrëzi pa inventar. Në këta tridhjetë vjet askush nuk e mori vesh dhe askush nuk e kuptoi se çfarë është publike dhe çfarë është private.

Vendi është i pllakosur nga kanceri i 25% -it që kompanitë private paguajnë te zyrtarët kriminelë e të korruptuar për çdo punë publike që kryejnë. Kam mbledhur në këto kohë me dhjetëra histori tronditëse nga sipërmarrës që fitojnë tendera nga fondet publike dhe që administrohen ose nga qeveria ose nga bashkitë. Janë histori rrëqethëse.

Për fat të keq, Edi Rama jo vetëm që nuk bëri asgjë për ta ndaluar këtë kancer, por e la të maiset dhe sot është bërë një sindromë që ka prekur çdo qelizë të veprimtarisë publike shqiptare. Ne këto kushte, në më shumë se një rast, kam deklaruar dhe deklaroj përsëri se të bësh biznes në Shqipëri, të krijosh një sipërmarrje këtu, është heroizëm.

E kam thënë edhe njëherë tjetër dhe po e përsëris , TV Klan, fjala vjen, është operatori më i përfolur në Shqipëri dhe pronari i saj Aleksandër Frangaj është njeriu që ka shfrytëzuar të gjitha qeveritë që të përfitojë miliona e miliarda. Për mua dhe shumë të tjerë ai është modeli që unë nuk e dua dhe nuk e ndjek, por kjo nuk do të thotë se ai nuk ka të drejtë të zhvillojë biznesin e tij.

Për mua, më kriminale është të veprosh si Edi Rama e kryeministrat e tjerë që mbajnë në këmbë një rangallë si RTSH-ja me paratë publike. Ndërkaq, përballë modelit të Klanit është TOP-Chanel, është modeli ekselent i ideuar dhe ndërtuar nga një gjeni që ka nevojë të mbështetet e të frymëzohet ashtu siç është edhe televizioni që drejtohet nga Karlo Bolino, i cili në disa vjet ndërtoi dy televizione në vend dhe të dyja i bëri të suksesshme. Nëse ka një hapësirë të mbuluar me ligj për aparatin televiziv përse nuk duhet të favorizohen këta operatorë që realisht ndiqen nga publiku ?

Përse shqiptarët duhet të paguajnë taksën e aparatit për një operator që ashtu si Ujësjellësi ua çon sinjalin me orar vetëm kur ka ndeshje që ata i kanë blerë me paratë tona.

Si përfundim. Në analizën për të bindur publikun dhe institucionet e interesuara, operatorët privatë shprehen se ky financim do t’i ndihmojë ata që të përsosin produktin e tyre. Kjo është një gënjeshtër e madhe.

Debati për përmbajtjen e asaj që prodhojnë mediet tona është një problem tjetër. Mirëpo ky nuk është vetëm problemi ynë.

Te ne idotësia, mediokriteti, promovimi i anivlerave, narcizizmi dhe lufta për të mbushur ekranet me budallaçka të bukura dhe me budallenj analfabetë i ka kaluar kufijtë. Por të mos harrojmë, në një pjesë të madhe, kështu ndodh me televizionet gjithandej botës.

Loading...
You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.