Spiropali ka ditëlindjen, urimi i Edison Ypit: Pa ty “Mari” e re, vendi do ishte guackë bosh, pa perlë brenda..

Edison Ypi e ka uruar për ditëlindje ministren Elisa Spiropali, me një shkrim të publikur për të, në 2007-ën e cila mban titullin “Elisa e çudirave”. Ai shkruan me ironi se Spiropali është ‘një yll i lindur nga ky kaosi” dhe me vendin tonë ështëe “lidhur si mishi me mishin dhe jo si mishi me thonin”.

Ditën e sotme ministrja e Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin ka ditëlindjen. Në drejtim të saj ka një numër të madh urimesh edhe në rrjetet sociale.

Një urim ndryshe nga të tjetër ai i Edison Ypit, i cili e ka uruar ministren me një shkrim të tij, për të, të publikur në vitin 2007 me titullin: “Elisa  e çudirave”.

Me ironi Edison Ypi në këtë shkrim shkruan për Spiropalin,  se vendi pa të do të ishte gjumë pa ëndërra, guackë bosh.

“Rrofsh o Super Nova. Faleminderit o Mari’ e Re. Gëzohu Shqipëri. Pa Elisa Spiropalin do ishe gjumë pa ëndrra, guackë bosh, pa perlë brenda.”, ka shkruar Ypi në fund të shkrimit për Spiropalin.

Shkrimi i plotë i Edison Ypit në 2007-ën

Elisa e Çudirave

Prej Kaosit lindin yjet. Kjo dihet. Këtë e ka thënë, madje dhe e ka shkruar, vet’ Elisa.
Po ky i neveritshmi e i gërditshmi kaosi shqiptar, a është edhe ky i tillë, që prej tij të lindin yje ?
Po. Sado e pabesueshme. Fatmirësisht po.
Bijë e durimit, urtësisë, diturisë, pasionit, lirisë, fllad që po fryn, stuhi që po vjen, cunam që po avitet, Elisa Spiropali është një yll i lindur nga ky Kaos.
Ka mbaruar në Kanada dhe Amerikë për Politikë dhe Ekonomi. Por s’desh të jetonte jashtë Shqipërisë. Çfarë të bënte atje jashtë, atje larg ? Të ndreqte ekonominë dhe politikën e Venezuelës, Bolivisë, Mozambikut, Etiopisë, Pakistanit ? Bah. Kurrë. Elisa do pafund Shqipërinë. Ajo me Shqipërinë gdhihet me Shqipërinë ngryset, me Shqipërinë gëzohet me Shqipërinë dëshpërohet, me Shqipërinë zemërohet me Shqipërinë lumturohet. Elisa me Shqipërinë nuk është e lidhur si mishi me thoin, por si mishi me mishin dhe thoi me thoin.
Elisa nuk është e interesuar të dijë si dhe pse janë të fortë dhe të mbrojtur një pakicë shqiptarësh. Ajo interesohet të dijë pse janë dobët dhe të pambrojtur shumica e shqiptarëve. Këtë kërkon ajo të kuptojë. Këtë lodhet ajo të dijë. Për këtë i ikin asaj djersët. Për këtë i rrëshqasin asaj lotët.
Elisa nuk sheh çfarë shkruajnë nëpër gazeta, as nuk dëgjon çfarë thonë nëpër televizora VIP-at. Ajo bën të kundërtën. Interesimi i saj, kurioziteti i saj, mikroskopi i saj, drejtohet kah ç’halle kanë shqiptarët më të harruar, ç’ndodh në katundet më të humbura.
Elisa nuk mendon se me fukaranë është vështirë të merresh vesh, se shqiptarët ata janë apatikë, se fukarallëk maskarallëk, gjëra këto që të pengojnë ti ndihmosh. Jo-jo, Elisa vështron, mendon, hulumton, në kah të kundërt. Ajo thotë se t’ja gjesh anën shqiptarisë është vërtet e vështirë, por kjo vështirësi është pjesë e problemit që duhet zgjidhur, dhe nëse prej këtyre vështirësive tërhiqesh apo bën naze justifikuese, do të thotë se je egoist, hipokrit, mistifikator, nuk e ke të sinqertë ndihmën që përgatitesh gjoja të japësh.
Gjatë ditëve të fillimit të grevës së minatorëve të Bulqizës Elisa nuk u mor me batakun e dërdëllitjeve politike të Tiranës. Ajo vajti në Bulqizë ku dëgjoi hallet e lemeritëshme të minatorëve, jetët e tyre të amanozotshme, rrogat e tyre të vajtushme, gratë e tyre ku thrret qameti, kalamajtë e tyre të rreckosur, sigurinë e tyre inekzistente nëpër zgafellat e nëntokës.
Me cilin alfabet, në cilën gjuhë i shkruajti të gjitha mbi një bllok ? Alfabeti që përdor Elisa janë vrragat në fytyrat e mjeranëve. Gjuha që përdor Elisa është gjuha e klithmave të mbytura të kalamajve të uritur të minatorëve.
Elisa Spiropali s’e ka hiç ndërment të ndalet. Ajo kurrë nuk epet në rrugën drejt përsosjes së vetvetes. Ajo duke e pasur mirë parasysh se shqiptarët janë njerëzit më dinamikë të planetit, duke mos u bërë aspak merak për kanunet e mykura të cilat i gris, llaftarisht e bindur se sa më pak të dukesh aq më tepër çfaqesh, sa më urtë të flasësh aq më fort dëgjohesh, sa më thjeshtë të sillesh aq më lart ngjitesh, sa më tepër të kesh aq më pak gëzon, sa më i dobët dhe i pa mbrojtur je aq më tepër meriton të ndihmohesh dhe të mbrohesh, vazhdon të gdhihet e të ngryset duke mos menduar për kurgjë tjetër veçse për Shqipërinë.
Rrofsh o Super Nova.
Faleminderit o Mari’ e Re.
Gëzohu Shqipëri. Pa Elisa Spiropalin do ishe gjumë pa ëndrra, guackë bosh, pa perlë brënda.

Loading...
Të ngjashme

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.