Sonte Nata e Kadrit/ Nata më e bekuar dhe më e begatë për çdo besimtar musliman!

Këto janë ditët e fundit të muajit të shenjtë të Ramazanit, por e sotmja dallohet nga ditët e netët e tjera pasi është nata e madhe ‘Nata e Kadrit’.

Kjo është nata më e bekuar dhe më e begatë për çdo besimtar musliman. Sipas fesë islame, nata e Kadrit është nata në të cilën kanë zbritur ajetet e para të Kuranit.

Këtë e shpjegon edhe Kur’ani kur thotë: Në të zgjidhet çdo çështje në mënyrë të prerë.

Kjo do të thotë se këtë natë përcaktohet kaderi i të gjitha krijesave për vitin që vjen, siç janë: kush do të lindë dhe kush do të vdesë, kush do të fitojë e kush do të humbasë, kush do të jetë i kënaqur dhe kush i hidhëruar.

Çfarë është Nata e Kadrit?

Nata e Kadrit është një ndër netët e bekuara të muajit Ramazan, e cila gjendet në dhjetëditëshin e fundit të tij. Kurani Famëlartë dhe thëniet profetike tregojnë për rëndësinë dhe vlerat e mëdha që përmban kjo natë. Kurani ka një sure të veçantë e cila mban këtë emër dhe përshkruan me hollësi veçoritë e saj.

Zbritja e Kuranit në Natën e Kadrit

Në këtë natë, Zoti zbret mëshirë mbi robërit e Tij besimtarë, të cilët i nënshtrohen me sinqeritet vullnetit të Tij dhe kërkojnë mënyrat për t’iu afruar Atij. Vlera më e madhe e kësaj nate është që në të zbriti libri më madhështor, Kurani, mbi Profetin më madhështor, Muhammedin s.a.v.s. Allahu thotë që Kurani është zbritur në muajin Ramazan dhe në një natë të bekuar.

Kjo natë vjen çdo vit, për të na kujtuar që ta bëjmë Kuranin udhërrëfyesin tonë drejt Allahut. Kjo natë ka edhe vlera të tjera, që burojnë nga ana kuptimore dhe mbështeten nga Kurani e hadhithi. Nata e Kadrit do të thotë nata e caktimit apo fuqisë. Kjo natë është më e mirë se 1000 muaj. Le të dihet që 1000 është shifra më e lartë numerike në gjuhën arabe. Përpos kësaj, 1000 muaj janë të barabartë me 83 vjet e katër muaj, pra kjo natë është më e vlefshme se sa një jetë e tërë e njeriut. Në këtë natë të madhe, zbresin engjëjt në tokë, duke përndarë mëshirën dhe bekimet e Zotit.

Çfarë duhet të bëjë muslimani e muslimanja Natën e Kadrit?

-Të bëjë sa më shumë dua (lutje).

-Të bëjë teube e istigfar (të pendohet, për mëkatët dhe të kërkojë mëshirë nga i Madhi Zot.

-Të shtojë tespihët (të permendurit dhe të madhëruarit e Allahut) dhe falënderimet.

-Të bëjë salavat për Pejgamberin a.s.

-Të japë sadaka sa të ketë mundësi.

-Të ruhet nga mëkatet e gjymtyrëve (duarve, këmbëve, syrit, veshit, etj).

-Të mos i kalojë namazet pa xhemat (pra të falet sa më tepër në xhami).

-Të falë namaz nafile dhe tesheh-hud (namaz i natës) më tepër se zakonisht.

Loading...
Të ngjashme

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.