Shtëpia e Dritëroit

Altin Bamllari


Menkulas, Devoll. Sa hyj në fshat pyes dy të rinj për shtëpinë e Dritëroit. Çuna përsëmbari. Më drejtojnë te një godinë dy katëshe pa dritare në qendër të fshatit. Sa mbërrij bëj gati aparatin (zakon turisti ?). Që të sigurohem pyes një tjetër riosh që flet në telefon. -Kjo është shtëpia e Driteroit? -Jo, ma kthen ai, pa hequr telefonin nga veshi. Ky është Muzeu. Kthehu mbrapsht, pastaj te ajo rrugica aty merr majtas dhe pyet.

 E shoh me çudi. Kthehem. Pyes një tjetër djalosh me stap në dorë që godet bagëtinë nga vithet. -Ku ta di unë! Më tregon edhe ky Muzeun pa dritare. Ore, jeni m’terezi apo çfarë?! Jetoni në fshat apo në Hënë ju? Pak më tutje shoh një grua. E shkreta s’kish në gojë asnjë dhëmb dhe, fatkeqsisht, vetëm një gji të stërmadh që i tundej nën bluzë. Më thotë që ndodhet një rrugë më pas. Shko aty dhe pyet! E falenderoj. Në rrugën paralele s’ka njeri. Pres pak. Po afrohet një çift. Burri para, gruaja prapa. -Ja.., ajo. Jo, thotë gruaja. Këtë e ka filani që ka ikur në Tiranë.

Ore, ç’bëhet kështu?! Vërtet s’dini ku e ka shtëpinë shkrimtari i madh?
-Jo po ai ka ikur i vogël. Jo po ata e kanë patur dikur shtëpinë këtu e pastaj u shpërngulën atje… Shyqyr që del nga hauri xha Fatmiri 84 vjeçar që shuan çdo dyshim.
-Hajde me mua mor bir. Nga të kemi? Kjo është shtëpia e Dritëro Ahmetliut!
-Si? Çfarë?! Më duket s’po merremi vesh. O këta qenkan të gjithë shakatorë, ose unë kam rroitur. -Xhaxha, po pyes për Dritëro Agollin.
Qesh xha Fatja. -Kështu e kanë patur më parë. Edhe unë kështu e kam. Gjithë lagja kështu e kishte para çlirimit. Ne erdhëm nga Greqia kur u bënë shkëmbime popullsish. Kishim mbiemrin Ahmeti dhe na shkoi për shtat mbiemri i Ahmetllinjve, kur u vendosëm në lagjen e tyre.

Nuk e ndërruam më. Kurse familja e Dritëroit e vuri Agolli, këto shtëpitë këtu Flaga, këta të tjerët kështu e ashtu.
Pastaj xha Fatmiri më tregon më shumë për familjen e shkrimtarit. Më thotë që ka qenë familje e kamur, që pjesëtarë të saj u lidhën me luftën. Më flet për Rizain, babain e poetit dhe qejfin e tij ta thërrisnin Riza bej.

Kur e pyes pse shtëpia ka katandisur në këtë gjendje e s’vë dorë njeri, ai ngre supet. -Ju të Tiranës i dini më mirë këto punë.
Në të dalë të Menkulasit ngrita në kupë të qiellit zërin e kasetofonit dhe bashkë me Ardit Gjebrenë i treguam Devollit dhe gjithë Botës shtëpinë e vërtetë të poetit të madh.
“Po kur të jesh mërzitur shumë.
Në raft të librave kërkomë,
Atje do të jem i fshehur unë,
Në ndonjë varg a ndonjë shkronjë”

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.