Shqiptarët në dy dekada 40-fishuan shpenzimet për bukurinë, për operacionet plastike

Dikur para viteve ’90 produkti që lakohej më shumë në kategorinë e kujdesit dhe pastërtisë ishte sapuni 15 lekësh. Ardhja e demokracisë dhe funksionimi i tregut të lirë do të sillnin me vete edhe ndryshimin e konceptit mbi pastërtinë, kujdesin dhe të bukurën, e bashkë me të edhe një “lumë” produktesh që i shërbenin këtij motivi.

Në vitin 1996 të dhënat tregojnë se importet e produkteve të bukurisë dhe kujdesit për fytyrën do të arrinin vlerën mbi 309 mijë dollarë. Vit pas viti këto importe do të pësonin herë rritje dhe herë ulje të shoqëruara me të njëjtin tranzicion që impononte situata e një vendi si i yni.

Por në vitin 2004 importet e këtij grupi do të kalonin në 1.2 milionë dollarë për të vijuar më pas me një rritje graduale që kulmin e saj e ka në vitin 2016. Sipas të dhënave këto importe ishin vitin e kaluar 12.5 milionë dollarë me një rritje prej 7.8% me bazë vjetore.

Importet më të larta tregojnë për një ofertë më të zgjeruar në treg që ka ardhur si efekt i rritjes së kërkesës nga ana e shqiptarëve për më shumë produkte bukurie, dhe kujdesi ndaj fytyrës.

Loading...

Në dy dekada rezulton të kemi një 40- fishim të vlerës së importeve për produktet e kësaj kategorie çka tregon mbi të gjitha për evoluimin e mentalitetit shqiptar mbi kujdesin ndaj vetes, duke zgjeruar gamën e produkteve që përdorin por edhe duke preferuar gjithmonë e më shumë marka të huaja.

Në rritje të dukshme dhe kërkesa për operacione plastike

Krahas shtimit të shpenzimeve për kujdesin për veten, në rritje të ndjeshme ka qenë dhe tendenca për ndërhyrje plastike. Sipas të dhënave që Monitor ka nxjerrë bazuar në përpunimin e bilanceve, klinikat e kirurgjisë plastike pothuajse kanë dyfishuar të ardhurat gjatë vitit 2016 në raport me 2015-n. Vitin e kaluar, pesë prej tyre qarkulluan mbi 2 milionë dollarë, me zgjerim vjetor në total prej 80%. Rritja e kërkesës në treg për shërbime të kësaj natyre ka nxitur edhe shtimin e numrit të bizneseve në këtë sektor. Në dinamikën e zhvillimit të këtij tregu që po rritet në mënyrë të jashtëzakonshme ka ndikuar zgjerimi gjeografik i kërkesës ku tashmë të huajt po zgjedhin edhe turizmin kirurgjikal në Shqipëri, sepse kostoja është disa herë më e ulët se në vendin e tyre.

Operatorët e tregut pohojnë se vendin e parë për llojin e ndërhyrjeve e mbajnë ato në hundë, të paktën 50% e ndërhyrjeve kanë të bëjnë me të.

Krahas rritjes së këtij biznesi, ka një debat të gjerë për të miratuar një ligj të veçantë që do të rregullojë tregun ku operojnë këto klinika por, mbi të gjitha, do të ofrojë siguri për materialet. Jashtë kontrollit, në disa raste mbeten sallonet estetike që ofrojnë fryrje të buzëve apo edhe më shumë procedura, duke mos përdorur materiale të kontrolluara ose në rastin më të mirë, materiale të lira.

Rastet e atyre që pas një ndërhyrjeje në një sallon të paspecializuar, përfundojnë në klinika më të mëdha, janë në rritje. “Më shqetësues është fakti ku trajtime në dukje të thjeshta, si fryrja e buzëve apo reduktimi i rrudhave me botox, po bëhet në qendra të paspecializuara dhe nga joprofesionistë. Në këtë mënyrë, shanset për të gabuar në qendra jo të përshtatshme janë më të mëdha dhe po ashtu numri i personave të pakënaqur është më i lartë”

Loading...
You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.