Shkëlzen Berisha: Ambasadori Withers ka gënjyer në kabllogram

Shkëlzen Berisha, ka qenë i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, ku ka komentuar një kabllogram të ambasadorit Withers. Në këtë kabllogram, thuhet se shefi i Shtabit të Përgjithshëm, i ka rrëfyer ambasadorit se është i frikësuar për jetën e tij dhe se Shkëlzen Bersiha i ka kërkuar të çojë municione në Gërdec.

Berisha u shpreh se një gjë e tillë nuk është e vërtetë, sepse shefi i shtabit, Luan Hoxha, ka bërë një deklaratë publike që e përgënjeshtron. Më pas, Shkëlzen Berisha tha se ambasadori Withers gënjen në kabllogramin e tij.

Pjesë nga intervista e Shkëlzen Berishës me Ylli Rakipin:

Ylli Rakipi: Zoti Mihal Deligjorgji, pas shpërthimit në Gërdec, ka komunikuar me stafin më të afërt, zotin Mediu dhe me ju. Përse?

Shkëlzen Berisha: Kjo është një ngrehinë tjetër shpifjesh, që lidhet me çështjen e tabulateve. Dua t’ju pyes diçka, nëse ju flisni me dikë në telefon, a ju bën kjo juve ortak apo bashkëpjesëmarrës në biznesin e personit me të cilin flisni në telefon?

Ylli Rakipi: Jo, sigurisht jo. Me Delijorgjin flas dhe unë, flet pronari i televizionit Irfani, të gjithë flasin.

Shkëlzen Berisha: Zoti Rama ka 200 telefonata me zotin Delijorgji, të cilit i ka dhënë leje ndërtimi sepse ka qenë kryetar bashkie. Nuk e akuzon njeri zotin Rama, që ështe pjesëtar në biznesin e ndërtimit të zotit Delijorgji për shkak të telefonatave.

Ylli Rakipi: Po ai nuk e ka bërë telefonatë, 5 minuta pas shpërthimit të Gërdecit.

Shkëlzen Berisha: Mua, zoti Delijorgji nuk më ka marrë në telefon. E kam marrë unë i pari në telefon. Unë kam qenë në Suedi, në Stockholm, ditën kur ka ndodhur ngjarja. Persona të afërm, të ish bashkëshortit të tezes time, të ndjerit zoti Hoxha, i cili humbi jetën, në këtë aksident, më kanë kërkuar të interesohem tek personi në fjalë. Unë e kam marrë në telefon. Nuk është përgjigjur, sepse me siguri ka qenë në një moment të vështirë.

Ylli Rakipi: Mos gaboj është një njeri i afërt juaji, që zoti Berisha nga nxitimi i ngatërroi emrin.

Shkëlzen Berisha: Jo nuk është nga nxitimi. Zoti Muhamed Hoxha, ish bashkëshorti i tezes time. Familja ime, si shumë familje të tjera shqiptare, ka brenda vetes, historinë e emigracionit. Njerëzit shkojnë në emigrim. Ka raste nuk shihen prej vitesh. Gjyshër që nuk njohin nipërit, teze që nuk njohin nipërit. Në këtë aspekt, i ndjeri sapo ishte kthyer nga emigracioni bashkë me tezen. Une e kam takuar dy ose tre herë. Nuk e dija që punonte atje, e kam marrë vesh nga këta të afërm, që më kanë telefonuar dhe më kanë kërkuar të interesohem. Babai im nuk e ka takuar kurrë personin në fjalë, edhe anëtarë të tjerë të familjes time, ka patur nga ata që nuk e kanë takuar asnjëherë.

Ylli Rakipi: Ish shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, ka vajtur tek ambasadori Withers dhe i ka shprehur frikë për jetën e tij. Ai ka thënë se ju i keni telefonuar dhe i keni kërkuar që të vijojë të dorëzojë municione të kalibrit të lartë në Gërdec dhe ta bëjë këtë gjë pa vonesa. Kjo thuhet në kabllogramin e Withers. Keni një përgjigje?

Shkëlzen Berisha: Unë kam përgjigje dhe e kam bërë publike. Nuk kam patur kurrë komunikim me zotin Hoxha. Nuk them se nuk e kam njohur, por nuk kam patur mardhënie dhe kontakte me të. Përveç meje, këtij pretendimi i ka dhënë vetë përgjigje, me deklaratë publike, për median, vetë zoti Hoxha, ku thotë se gjatë takimit me Withers, nuk është përmendur emri i Shkëlzen Berishës. Kësaj i ka dhënë përgjigje zoti Hoxha. Unë nga ana ime ju them se kjo është e pavërtetë.

Ylli Rakipi: Ka një moment këtu. Këtu gënjen ose Hoxha, ose Withers, ose ju. Se Withers i ka dërguar kabllogram qeverisë së vet.

Shkëlzen Berisha: Zoti Rakipi, ne kemi parë që ambasadorë të tjerë i kanë dërguar informacione institucioneve të tyre, që Shkëlzen Berisha në moshën 17 vjec ka qenë trafikant ndërkombëtar droge, e ka bërë ish ambasadori i OSBE. Unë nuk futem të them se kush ka gënjyer por ju them se kjo nuk ka ndodhur. Zoti Hoxha ka bërë deklaratë publike. Zoti Withers nuk ka folur. Se kush gënjen është e qartë. Personi që nuk flet i bie të jetë ai që ka gënjyer.

Ylli Rakipi: Ka marrë edhe azil ky person?

Shkëlzen Berisha: Nuk e di.

Ylli Rakipi: Ndoshta e ka marrë për këtë shkak, sepse ka marrë azil nga amerikanët.

Shkëlzen Berisha: Nuk e di.

Loading...
Të ngjashme

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.