Rudi Erebara: Ja pse jemi sot në gjendje Amullie, Letërsia dhe Marrëdhënia me Jetën

- Intervista, Kryesore, Kultura
0

Zotni Rudi Erebara është fituesi i Çmimit Europian të Letërsisë për romanin e tij të fundit “Epika e yjeve të mëngjesit”. Por ai është më shumë se fitues. Z.Erebara është një prej mendjeve më të mprehta të pas 90, që ka rënë në sy për romanet, poezitë, shkrimet dhe aktivitetin e tij të tendur në rrjetet sociale me komente therëse, plot ironi e sarkazëm të ftohtë si qielli i mbrëmjes. Ai është në luftë prej vitesh me regjimet totalitare në mendjet e shqiptarëve.
Faktor.al i ka kërkuar me ngulm një intervistë sepse ka dëshiruar që të ishte personazhi i parë publik dhe intelektual që intervistohet në median tonë online. Ja intervista e z. Lita me 7 pyetje romancierit Erebara.

1. Z. Erebara ju jeni ndër të parët shkrimtarë që keni thyer mitin e rremë që në Shqipëri pas 90 nuk është bërë letërsi? Çkeni për të thënë kur dëgjoni se ska më letërsi si dikur?

Unë të them të drejtën nuk e di kush i mbart këtë mite akoma përveç historisë e teksteve nëpër shkollat e postdikturës, por për mendimin tim, në Shqipërinë e para 29 nëntorit të 1944 dhe pas dhjetorit të 1990 u botua letërsi. Pjesa tjetër e botuar mes këtyre viteve është parafabrikat. Ajo që na ka mbetur nga letërsia dhe artet e viteve të diktaturës është pak a shumë si industria e rëndë, e cila kryesisht është e papërputhshme me kohën, pasi përveç si histori, është e papërdorshme. Si zor gjen sot lexues të kësaj letërsie. E them këtë duke pasur parasysh se letërsia dhe artet kanë në themel të vërtetën. Frymëzohen nga e vërteta dhe sjellin një të vërtetë. Letërsia dhe artet e periudhës 1944-1990 janë produkt ideologjik. Pas çdo pleniumi apo kongresi partie, ndaheshin temat dhe detyrat, për çfarë të shkruhej, si të shkruhej edhe kush do t’i shkruante letërsinë, edhe në artet e tjera të njëjtat vendime politike. Shkrimtarët dhe artistët ishin milingona që shkonin e vinin të çonin tek mbretëresha parti ushqim, mbrojtje, disiplinë, vijimësinë e kolonisë, duke kryer detyrën për të cilën ishin prerë që në lindje. Gjithë jeta duhej të paraqitej sikur ishte një unitet. Një harmoni e përgjithshme. Armiqtë ishin armiq edhe duheshin gjetur e dënuar gjithmonë. Kur nuk kishte armiq duheshin shpikur. Edhe shpikjen e armiqve kur nuk kishte në realitetin njerëzor e bënte letërsia dhe artet në realitetin mendor. Edhe dashuria trajtohej si pjesë e unitetit. Ishte dashuria ndaj partisë dhe udhëheqjes edhe në dasëm. Ngriheshin dolli për partinë dhe udhëheqësin në ditëlindje dhe fejesa. Në letërsi dhe arte dashuria është trajtuar si një vegel që i duhet ndërtimit të komunizmit në Shqipërinë socialiste. Njeriu ishte gjithashtu një mjet. Nuk kishte asnjë hall e problem tjetër në jetë, përveç luftës për ndërtimin e socializmit. Përmes dashurisë nëpër filma zbulohej armiku i klasës. Dashuria ishte një formë spiunazhi. Nuk mbaj mend të kem lexuar poezi për dashurinë e thyer të njeriut, a për një dashuri të paplotësuar. Sepse dashuria e parë ishte dashuria ndaj partisë dhe udhëheqësit. Këtu nuk mund të presim të kishim dashuri të tillë të thyer, pa përfunduar shkrimtari apo artisti në rradhën e armiqve.
Unë jam kundër unitetit të tillë. Tema bazë e letërsisë dhe arteve të kësaj kohe, është lufta. Një luftë e përhershme, e pasosur, ndaj gjithçkaje që lidhej me kushtet normale të njeriut në paqe. Njeriu në luftë nuk gjykon kurrë drejt. Gjykon si kafsha, me instikte. Edhe instikti nuk mund të sjellë art, pasi nuk është një gjykim i ftohtë estetik ndaj të vërtetës letrare dhe artistike.

Nuk ka nevojë të mendohemi shumë gjatë të dalim në përfundim se letërsia e shkruar nën diktaturë sot nuk ka lexues, por vetëm disa pak studiues. Në fare pak kohë, me kutin e letërsisë, mijëra e mijëra tituj librash, të shkruar nga qindra e qindra shkrimtarë, sot nuk kanë lexues. Lexohet Kuteli, Poradeci, edhe pas 70 vjetësh, por nuk di të lexohen kënetat, tunelet, kantieret dhe sajesat me armiqtë e pafund të shpikur nga ideologjia. Shqipëria vuajti si gjithë vendet nën diktaturën naziste, fashiste, apo komuniste, (se janë njëlloj), metodat e sakta të shpikjes së një produkti, njëlloj si kapotat e ushtarëve, armatimi, bunkerët, gruri, apo energjia elektrike. Veprat e shfaqura, letrare, piktorike, skulpturore, filmike, disi më pak ato muzikore, nisnin me metodikën e realizmit socialist, zbatoheshin sipas kësaj metode, edhe u bëhej kontrolli i cilësisë pikë për pikë, nëse kishin plotësuar kushtet teknike, pastaj po me paratë e shtetit, nxirrej produkti edhe vilej fitimi. Zakonisht në një diskurs të tillë, rëndom nëse ke përballë dikë që thotë, se në atë kohë shkruhej e bëhej, siç thuhet në pyetje, të del si mesia Kadareja. Një shkrimtar i përkthyer e botuar në shumë gjuhë, sërisht i lexueshëm në perëndim e më gjerë. Por, nëse do të bëjmë vetëm një vrojtim këtu afër vetes, lexuesi në Shqipëri nuk e ndjek më siç e ka ndjekur dikur. Nuk kam takuar ndonjëherë të lindur pas 1990 që jo vetëm ta kenë idhull shkrimtarin, siç e kishim ne që ishim nga 20 vjeç kur ra diktatura, por edhe ta kenë lexuar. Thjesht e dinë prej teksteve të letërsisë në shkollë.

Letërsia dhe artet e diktaturës sot përdoren vetëm nga grupmosha që e ka jetuar kohën. Janë thjesht suvenire të kujtesës prej moshës së re. Nuk ka njeri që nuk e kujton rininë me mall. Kam njohur të burgosur politikë që e kujtojnë me mall të krisur rininë e kaluar në galerat e burgjeve. Në njëfarë mënyre, diktatura nuk ka asnjë meritë pse Kadare është shkrimtar që lexohet në vendet me demokraci të zhvilluar, pasi talentin personal të njeriut, nuk e shpiku diktatura. Krejt e kundërta. Diktatura i pa si skarcitet talentet. Si prodhime të mirëfillta të cilat i hynin në punë vetëm si ushtarë ose armiq, për të kryer raprezaljet e shpeshta me një mizori të pashembullt, si për nga zelli ashtu edhe për nga fantazia e llahtarshme në zbatim. Nuk mund të gjykojmë letërsinë dhe artet nën diktaturë sigurisht në kushtet e lirisë së sotme. Shteti paguante deri më një për një produkt të porositur. Të gjykojmë sot për letërsi apo art, film apo teatër, opera apo balet, të prodhuar gjatë viteve ideologjike, në radhë të parë duhet të mendojmë për shkrimtarin, piktorin, skulptorin, kineastin e muzikantin, si për një tornitor. Talenti i tornitorit nuk ka ardhur prej shtetit, as prej partisë, as prej marksit engelsit e leninit. Detajet e sakta e të mira do të dilnin ashtu siç e kërkonte kodi ideologjik. Nëse nuk dilnin kishin pasoja artistët e shkrimtarët, njëlloj si tornitori. U hiqej rroga të gjithëve. Burgu i priste si të prodhonin bullona që nuk mbërthehen, si të nxirrnin vepra jashtë metodës ideologjike. Sepse si bullonat si arti ishin produkt për të krijuar shpirtëroren e njeriut të ri në një vend ku shpirti ishte ndaluar me ligj. Ne kemi në fakt sot një gjendje. Një gjendje ku përsiatemi edhe kujtojmë të shkuarën. Nuk është krejt e pafarë kjo gjendje. “Kur ke pas kenë nji zonjë e randë,” gjëmon në kokat tona me të njëjtët megafonë. Mungesa e të qenit mirë, të sigurt, edhe prania e vazhdueshme e luftës, të cilën e shumëfishuan deri në talent komunistët e Shqipërisë, na bën të kërkojmë në të shkuarën mite. Janë këto mite të cilëve ne u kthehemi sa herë shohim një horizont të ri të panjohur, siç është sot Europa e bashkuar ku duam të hyjmë. Nuk është thjesht rastësi që kemi në politikë po ata njerëz që kishin në dorë organet më të rëndësishme të krimit të dikaturës. Diktatura nuk ka qenë thjesht byroja dhe udhëheqësit. Diktatura pagoi me mijëra vetë, me qindra mijëra në fakt, hyzmeqarë, si krahë pune që të zbatohej me punim dore dhuna. Kriminalizimi i një pjese shumë të madhe të një populli, me oficerë, komunistë, policë blu e policë bezhë, mësues, filozofë, shkrimtarë e artistë, nuk është thjesht një rastësi. Është një metodikë. Por ama është njerëzore të ndajmë ideologjinë edhe të shikojmë anën tjetër të medaljes. Njeriun, shkrimtarin, piktorin, artistin, kineastin. Ndonëse veprat e periudhës së realizmit socialist, janë sot, në pjesën më të madhe kriminale, qesharake apo thjesht aq të dobëta sa nuk mund të quhen vepra, njerëzit që i krijuan u përpoqën të krijojnë një jetë, edhe rrojtën edhe u dënuan për këtë jetë artistike e letrare. Nga gjithë diktatura unë mendoj se ne na mbetet të mbajmë mend njerëzit. Njerëzorja, edhe me aq pak sa është, mbetet. Thjesht sikur ta marrim letërsinë dhe artet e tjera të kohës si një ikje nga realiteti, si një ëndërrim, atëherë do të kemi në dorë të numërojmë një vlerë të mbetur. Siç shohim sot filmat e Kinostudios, jo më si një e vërtetë, (pasi historia është shtrembëruar, tema ka qenë e përcaktuar, paratë i ka paguar shteti që të kishim filma më shumë se prodhonin shumë vende europiane të fuqishme), por si një mbetje e gjallë e jetës. E kineastëve, aktorëve, piktorëve, dramatugëve dhe skenografëve, të cilët na nxorrën përpara ekranit të kinemasë apo na futën në sallën e teatrit të shohim edhe ne si gjithë bota, ëndrra në beze. E përmend kinemanë dhe teatrin si arte kolektive në një kohë ku siç e thashë më lart, gjithçka konsiderohej prodhim.
Nga gjithë diktatura, ne do të na mbeten në histori në vend të veprave, artistët si njerëz. Këta njerëz që edhe pse nuk kishin asgjë në dorë ta bënin ndryshe, në një shtet të militarizuar edhe të ideologjizuar deri në palcë, të paktën na kujtuan tërthorazi me artin e tyre se jeta e vërtetë në liri, nuk është si jeta që po jetonim ne ne Shqipërinë e kohës. Sot ne në kushte lirie jemi në gjendje të shohim në artet kolektive të asaj periudhe, pjesën që zgjedhim vetë të shohim, njerëzoren. Edhe arti është njerëzor. Nuk mund të gjykojmë disa qindra shkrimtarë e artistë, (për të qenë të ndershëm), pa gjykuar mëparë ata qindra mijëra që mbanin në këmbë rregjimin diktatorial. Anëtarë partie, oficerë sigurimi, policie, ushtrie, administratë e spiunë vullnetarë, të cilët me ndërgjegje mbajtën në këmbë një rregjim diktatorial, vetëm sepse paguheshin.

2. Ju jeni rritur në një familje intelektuale, keni një familje intelektuale dhe një shoqëri gati gati intelektuale. A ju dëmton kjo në krijimtarinë tuaj? Si ndikon në perceptimin e realitetit?

Unë jam rritur në një familje plotësisht intelektuale, brez pas brezi. Kam një shoqëri intelektualësh, për fat. Por unë kam me dhjetëra miq të ngushtë punëtorë krahu, siç e kam pranuar edhe vetë të jem kur më ka ardhur jeta. Kam qenë emigrant si shumica e shqiptarëve. Ndërtim kam punuar. Me kënaqësi. Edhe punoj prapë kur më del mundësia e ma do nevoja. Puna është kënaqësi. A më dëmton kjo në krijimtari? Në njëfarë mënyre po. Do të doja të kisha lexuar më shumë. Të kisha më shumë kohë të shkruaja apo pikturoja. Ja këtë gjë psh, diktatura e kishte kuptuar saktë. Artin e kishte cilësuar punë, edhe në punë për diktaturën, shkrimtarët dhe artistët paguheshin shumë herë më shumë se ai punëtori i thjeshtë që sot kujton me nostalgji kohën kur ishim mirë, se ishim të gjithë të barabartë në varfëri. Por sigurisht që nuk paguheshin në bazë të cilësisë së veprës. Cilësia e veprës matej me standartet ideologjike. Kështu që shpërbleheshin më shumë ata që përcillnin në vepër ideologjinë me zell dhe talent të shquar. Nëse do të ndalonim për një çast, do të shihnim se janë shpërblyer më mirë ata shkrimtarë e artistë, të cilët kishin si thelb të veprës antishqiptarizmin. Shuarjen e historisë së të shkuarës, zbatimin e luftës së klasave me përpikmëri përmes personazheve armiq. Romani Këneta, i ka me emrat e vërtetë për personazhe të pafajshmit e pushkatuar. Im atë dritë i pastë shpirti, ka qenë kineast, profesor, përkthyes, edhe dikur në rini të vet edhe poet. Ka qenë antifashit. Ai më ka mësuar se komunizmi e fashizmi janë diktatura, edhe nuk kanë vend në tokën tonë. Nëna gjithashtu ushtronte përditë disiplinën: mos folni se na fusin në burg. Unë jam rritur me këtë “ideologji”. Edhe ua di për nder të madh sepse duke më mësuar kësisoj, më edukuan me ndasinë. Ne jemi të tjerë edhe ata janë të tjerë. Na ra halli edhe shkuam në punë aty ku dinim më mirë. Im atë është i vetmi artist që kërkoi falje për : trushplamjen që i bëmë shqiptarëve me ideologjinë në film. Pavarësisht se ishte krejt i qartë se nuk mund të kishim filma “demokratikë”, as vepra “demokratike” në një vend diktatorial. Ai më tha se në Shqipëri nuk mund të kishim disidentë, pasi njeriu nuk kishte ku ikte. Duhet gjithmonë të kujtojmë se kulmi i diktaturave ka ndodhur pikërisht në këtë vendin tonë. Këtu ridënoheshin me burg ata që guxonin e shanin regjimin, kur ishin brenda në burg të dënuar pse kishin sharë rregjimin.

3. Dy librat tuaj të fundit Vezët e Thellëzave dhe Epika e Yjeve të Mëngjesit janë romane që temë kryesore kanë eksperimentin e Shqipërisë me komunizmin. Dhe në intervistat tuaj ju cilësoni Mehmet Shehun dhe Enver Hoxhën, njësoj si dy kriminelë të dhunshëm. Pse mendoni që ka njerëz që bëjnë dallim mes këtyre dy figurave? Kujt i intereson të bëjë dallim?

Unë mund të cilësoj edhe më kriminelë ata të paaftë të pandershëm që kryenin krime edhe më të rënda se këta të dy vetëm që të mbanin vendin e punës. Biografia, ishte eleksiri magjik për të gjithë dembelët e këtij vendi. Fshatari pa tokë i lidhur me luftën, formula magjike që të jepte automatikisht shkollim e lartë, ishte tërësisht i ndotur. Që të mos kthehej të punonte tokën që e mori me reformën agrare, ky fshatari i brymosur me mësimet e partisë dhe shokur enver, bëhej katil e bir katil. Do t’i kishte zili edhe Stalini vetë. Thonë që enveri nuk ka vrarë njeri me dorën e tij. Thonë që mehmeti ka vrarë plot. Thonë për koci xoxen. Thonë për të tjerë plot. Janë kaq shumë sa si zor se mund të shpëtojmë për kaq pak vjet. Por duhet të kujtojmë përherë se kanë qenë me mijëra të pandershëm me veten edhe sot, që u bënë kriminelë thjesht për një rrogë të mjerë. Ajo rrogë nuk i shpëton dot në gjyqin e fundit. Kështu që sipas mësimeve të partisë, mbeten kokëfortë si ateistë a komunistë. Mungesa e Zotit në kokën e tyre, i bën përherë e më katilë, si gjaku që nuk lahet dot nga lëpitkat e Makbethit. Është një ikje tjetër nga realiteti. Një mospësim i vetëdijshëm i ndërgjegjes. U bënë 27 vjet nga rënia e regjimit diktatorial, edhe vetëm shkrimtarët dhe artistët kanë gërmuar brenda vetes të gjejnë fajin, të shfajësohen, të kërkojnë falje, apo të krijojnë një vepër tjetër e cila i bie ndesh diktaturës. Nuk di të kemi shumë raste pendese nga ata që e kryen diktaturën. Di që ka plot syresh që sot janë bërë fetarë, madje kam parë të tillë që janë edhe fetarë edhe me enverin. Unë këtë e kuptoj si përpjekje për shpëtim. Këta janë lindur e rritur si formulë e njeriut të ri të socializmit. Ne thelb të tyre është përpjekja e përhershme për shpëtim përmes bindjes ndaj partisë dhe udhëheqësit. Nuk janë njerëz. Janë krijesa ushtarake ideologjike. Kjo është arsyeja pse jemi sot në këtë gjendje amullie. Di edhe të tjerë që rrojnë në Amerikë edhe kanë fotot e enverit nëpër shtëpi.

4. Z. Erebara, ju fituat një çmim të rëndësishëm europian për letërsinë. Por sa europianë janë shqiptarët dhe sa europiane janë letra tona?


Letërsia e mirë nuk ka rëndësi me çfarë shkruhet. Letrat tona, kanë qenë ka plot kohë, disa e kanë kapërcyer Adriatikun a Jonin edhe kanë dalë në letër tjetër me germa të tjera. Nuk ka rëndësi mendoj unë se me çfarë shkruan shkrimtari në mënyrë metaforike me penë a me kompjuter. Mjaft që vepra të jetë për njerëzimin. Për të mirën e njerëzimit. Edhe të jetë e shkruar bukur.

5.Letërsia është kontinentale apo universale?

E vërteta është universale, nuk ka oqean që ta kufizojë. Realizmi magjik për shembull, ishte kontinental, edhe ja ku është sot. Po kështu edhe realizma apo surealizma të tjerë të europës, apo së fundmi të vendeve arabe. Një shkrimtar japonez psh, është po aq i madh sa një anglez, apo turk, në letërsinë e tij.

6. Çfarë marrëdhënie keni me fjalën e shkruar në letër? Dhe sa dallon ajo nga fjala e shqiptuar çdo ditë?

Unë përpiqem të shkruaj atë që jetoj përditë. Në njëfarë mënyre të gjithë shkrimtarët shkruajnë autobiografi të asaj që jetojnë, sepse të gjithë kanë një jetë e një vdekje. Ja vetë jeta si e vërtetë, është po aq e vërtetë sa vdekja. Njeriu rron edhe vdes edhe nuk e ka në dorë as të rrojë as të vdesë.

7. A kujdesemi ne për fjalët që themi?

Ne sigurisht që kujdesemi. Ne kujdesemi sepse jemi të “mbushur” për mirë. Ata që nuk kujdesen për fjalët që thonë, janë pikërisht këta që përfolëm më lart. Ata që lexonin raportet e partisë edhe i përsëritnin fjalë për fjalë. Kjo është varfëria më e madhe e shpirti njerëzor. Të shprehësh një gjuhë që nuk e kupton vetëm që të hash bukë qyl.
E thashë më lart se jam kundër unitetit. Kam qenë kundër unitetit parti popull, edhe mora pjesë në lëvizjen kundër diktaturës të 1990, me këtë bindje. Edhe sot jam sërish kundër unitetit. Nuk mund të jemi për hatër të unitetit të gjithë shqiptarë. Ata që kanë kryer krime edhe ata që kanë pësuar në shpinë këto krime nuk ka si të jenë me një unitet për hatër të këtyre fjalëve komb, atdheu, etj etj. Përballë krimit këto fjalë janë thjesht dokrra. Unë dhe familja ime nuk kemi bërë kurrë keq në këtë vend. Kemi bërë vetëm mirë. Kemi kërkuar falje për ndershmëri ndaj vetes, kur na është dukur sikur po ndaj të ngjashmëve me ne, kemi bërë ndonjë gabim të detyruar nga rrethanat. Edhe këtë unë e njoh si unitet. Ndershmërinë personale dhe familjare. Këtë ndershmëri që e shoh të përcjellë në shoqërinë shqiptare. Bijtë e kriminelëve u bënë kriminelë edhe po i bëjnë nipërit kriminelë. E kuptojnë krimin punë, edhe jetën e të tjerëve lëndë e parë për të rrojtur vetë. Për këtë jam kundër unitetit. Nuk ka unitet mes kriminelit dhe viktimës. Shqipëria sot është një vend më i mirë për të gjithë vetëm prej demokracisë. Në diktaturë sado të ketë qenë numri i atyre që kanë qenë mirë, nuk duhet të harrojmë kurrë që edhe nëse kanë qenë shumica, kanë rrojtur me krimin që i kanë bërë pakicës.

Facebook Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *