Rekomandimi i KE, Bregu: Evropa u shkon shqiptarëve

Nuk ka kthim prapa, pavarësisht delirantëve dhe Haxhi Qamilëve

Pas lajmit për rekomandimin e pozitiv nga Komisioni Evropian për hapjen e negociatave, ka reaguar dhe ish-ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu.

Në një postim në Facebook, Bregu shkruan se është një lajm i mirë, dhe është drita jeshile në fund të tunelit.

“Do të ketë nevojë së pari për të shënuar progres dramatik në zbatimin e ligjit si shenja më bindëse e dëshirës tonë për të qenë europianë. Akoma më shumë do te ketë nevojë për gjakftohtësi përtej përdëllimit tonë të zakonshëm poetik apo vandalizmit politik; për zhdehje nga paranoiat me armiq të brendshëm e të përbotshëm. Do të lipset të qartësohet një proces gradual, strategjik, dhe i qëndrueshëm që të mundësojë sukseshëm kryerjen e negociatave të anëtarësimit”, shkruan ndër të tjera Bregu në reagimin e saj pas rekomandimit pozitiv nga KE.

Postimi i plotë i Bregut:

Më në Fund!

Propozimi për celjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Europë është lajmi me i mirë për shqiptarët këto kohë, është drita jeshile në fund të tunelit të gjatë e të errët të ndarjes tonë shekullore nga Europa!

Loading...

Çka u propozua sot në Strasburg, është cfarë duhej për Shqipërinë, Maqedoninë dhe konfirmim i perspektivës jetike të anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Europë!

Rikthimi i plotë i Shqipërisë në Europë është e vetmja urë, e vetmja shpresë, e vetmja degë e një pemë të gjatë përpjekjesh që s’u këput kurrë, pavarësisht tronditjeve dhe krisjeve të shqiptarisë sonë.

Pas gjithë rrengjeve të hershme që historia ka përcjellë ndër shqiptarë, ca të liga e ca idiote; ca me armiq të jashtëm e ca me bashkfajësi së brendshmi; -prej sot nis një fazë e re në të cilën koha, (sidomos deri në qershor),nuk mund të ikë pa i thënë gjë askujt.

Do të ketë një “pështjellim” më të madh këto muaj deri në marrjen e vendimit përfundimtar për çeljen e negociatave.

Do të ketë nevojë së pari për të shënuar progres dramatik në zbatimin e ligjit si shenja më bindëse e dëshirës tonë për të qenë europianë. Akoma më shumë do te ketë nevojë për gjakftohtësi përtej përdëllimit tonë të zakonshëm poetik apo vandalizmit politik; për zhdehje nga paranoiat me armiq të brendshëm e të përbotshëm. Do të lipset të qartësohet një proces gradual, strategjik, dhe i qëndrueshëm që të mundësojë sukseshëm kryerjen e negociatave të anëtarësimit.

Europa ju shkon shqiptarëve!

Megjithë hambarin tonë plot me shqiptarë të mirë, por edhe delirantë, Haxhi Qamilë, pro injorantë, vullnetshkatërrues, revanshistë,megjithë zymtinë e realitetit, Europa prodhon hapje jo mbyllje, liri jo robëri, drejtësi jo padrejtësi.

Urime cdo shqiptari me bindje e identitet të patronditur europian!

Mirënjohje për miqtë e Shqipërisë në ditë të mira e të vështira!

Ngushëllime të sinqerta edhe për ata vogëlsira politike apo profesionistë të shtjellave të marra, të cilët gjatë këtyre viteve, qëndrimin tim të pandryshuar PRO çeljes së negociatave e quajtën shkelje të parimeve të demokratit të denjë apo partiakut ushtar dhe sot ngrenë si të paqënë flamurin e luftëtarit më të denjë pro europian!

Kushedi cdo të sjellin erërat për fatin e tyre të gremisur!

Loading...
Të ngjashme

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.