Reforma në Drejtësi, mashtruesit e Tiranës dhe të Brukselit

Fatos Lubonja

 

Argumenti më absurd që kam hasur në mediat shqiptare kohët e fundit është ai sipas të cilit Edi Rama votoi pro rezolutës që kundërshtonte njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit sepse donte të pengonte reformën në drejtësi. Pra, se amerikanët do të mërziteshin me Ramën dhe nuk do të jepnin ndihmat materiale dhe logjistike për reformën; dhe kjo ngaqë Rama nuk e do këtë reformë pasi i trembet edhe vetë. Argumentin e bënte edhe më absurd fakti se këtë e tha opozita që akuzohet nga Rama se është ajo që nuk e do reformën në drejtësi pasi ka frikë prej saj.

Në fakt, reforma po çan përpara drejt suksesit me vela të fryra. Dhe në erën që e fryn, është edhe kontributi i pamohueshëm i bulçive të ambasadorit amerikan. Doni prova? Po ja, kjo që po bën Kryeprokurorja e përkohshme, kujtoni ju se nuk është reformë? Kjo është vetë reforma. Do të thoni ju: po vetingu? Prisni se edhe atij do t’ia ndieni krismën, por Arta është pararoja e vetingut sepse, siç do të thoshte Orwelli në këtë rast, të gjithë janë të barabartë përpara vetingut, përveç atyre që janë vetë vetingu. Dhe mos bëni sikur e keni për herë të parë ju të opozitës. A nuk ju kujtohet kur zëvendësuat gjyqtarët, që nuk i kontrollonit dot me ata me kurse 6-mujore te plepat e Kavajës? Po sulmet ndaj Ina Ramës si prostitutë e bulevardit, a i keni harruar? Jo, jo, të mendosh se politikanët shqiptarë duan prokurorë të pavarur, është njëlloj sikur të imagjinosh hajdutët duke u përpjekur që të vihen roje të ndershme, në vendet ku ata do të shkojnë të vjedhin.

Po atëherë, ç’është kjo reformë, që askush s’e do dhe të gjithë e brohorasin? Po ambasadorët ç’dreqin kanë që ngatërrohen me këto mashtrime?

Teoria ime është kjo: Jetojmë në një vend ku, siç ka thënë dje edhe vetë Rama, jeta për njerëzit e ndershëm është bërë e pamundur. Imagjinoni, shqiptarët, më 2016, vinin në Gjermani pas sirianëve për ikje nga vendi i tyre. Më 2017, në Francë u bënë të parët, duke ua kaluar edhe afganëve. Ka më tmerr se kjo? Një vend i pashpresë, që veç tjerash, po dëshpëron edhe vendet e tjera ku po eksporton mjerim dhe krim. E, pra, në këtë lloj vendi o duhet të ulesh e të punosh me përulësi, sinqeritet e përkushtim për njerëzit e ndershëm, o duhet të gjesh mashtrimin e radhës me njerëzit e pandershëm. E meqenëse për të parën kjo racë shqiptarësh nuk ka bythë, “Reforma në Drejtësi” është mashtrimi i radhës për të gjetur një fajtor dhe për të ndërtuar një shpresë të rreme për budallenjtë e radhës. Është edhe mashtrimi më polivalent sepse i shërbente një shumësie aktorësh dhe qëllimesh. Më së pari i shërben kryemashtruesit të këtij vendi, Edi Ramës, për të kapur edhe pushtetin e drejtësisë ashtu siç, nëpërmjet reformash të tjera, pastroi institucionet nga kundërshtarët e tij, me rezultat zero. I shërben edhe si një alibi për të thënë se gjërat nuk kanë shkuar mirë deri tani, sepse na kanë penguar disa njerëz të liq në drejtësi, që kanë qenë të lidhur nga kundërshtarët e mi të liq. Teorinë që përdori kur u bashkua me Metën se është sistemi që e pjell të keqen, jo njerëzit, tani e zëvendësoi me teorinë se janë disa njerëz të liq, si Meta, që na e kanë sjellë të keqen. Por reforma i shërben edhe si një mashtrim për të huajt që do thonë: ja reformatori i guximshëm, që më në fund po lufton korrupsionin në Shqipëri!

Ndërkaq, togfjalëshi magjik u shërben goxha edhe mashtruesve të Brukselit. Në funksion të projektit të Bashkimit Europian, janë derdhur shumë para. Për të punon një armatë e tërë burokratësh, e paguar nga taksapaguesit europianë me rroga të majme. Dhe ndër nënprojektet e rëndësishme të këtij projekti, që po jep shpirt nga paaftësia dhe korrupsioni i këtyre burokratëve, është edhe ai i integrimit në Europë i Ballkanit Perëndimor. E, pra, edhe këtyre perëndimorëve u duhen disa prova se rrogat e tyre nuk paguhen kot. Ja, në sajë të ndihmës së tyre kompetente, vende si Shqipëria po bëjnë hapa përpara drejt integrimit. Taksapaguesit europianë duhet të jenë të sigurt se paratë e tyre nuk kanë shkuar në ndonjë gropë të zezë dështimi e korrupsioni. Dhe a ka provë më të mirë sesa një Reformë në Drejtësi, që do të kurojë sëmundjen më të rëndë të vendeve si Shqipëria, që nuk i le ta çojnë vendin drejt Europës, por i bën banorët e tyre të lenë vendin për të invaduar Europën. Ja pse suksesi i kësaj reforme është kaq i nevojshëm për t’u reklamuar. Po Lu-ja, ç’pjesë ka në këtë mashtrim, do të pyesë ndokush. Lu-ja përfaqëson SHBA, që është partneri i madh i Perëndimit, plus që duket se është i lidhur me lobet që kanë mbështetur Ramën në SHBA – në mos pastë edhe ndonjë “inat personal” me drejtësinë aktuale për shkak të “Bankers Petrolium” – siç thonë gojët e liga.

E kështu, tani kemi arritur në një pikë ku mungon vetëm një gjë e vogël për ta përmbyllur në mënyrë të suksesshme këtë mashtrim. Kjo gjë e vogël e ka mbiemrin të madh sepse quhet: “peshku i madh”. Duhet, pra, që rrjeta e reformës “ramalu”, vrimat e së cilës po i mbyll me shpejtësi kamikazja Arta Marku, të hidhet në det sa më parë dhe të ngrihet që andej me një apo dy peshq të mëdhenj, që t’i fotografojnë të gjithë të kapur në rrjetë. Atëherë, e gjithë bota perëndimore do të ndalë frymën e do të thotë: bravo Shqipëria, bravo Edi Rama, faleminderit Bruksel, faleminderit ambasadori LU!

Do të thoni ju, po dosja Rama – Tahiri e kthimit të vendit në narkoshtet, po drejtorët e Policisë trafikantë droge të arratisur, po koncesionet kriminale të Ramës, po kullat si pastrim i parave të drogës, po votat e blera me para të pista, po shqiptarët që ikin me vrap nga vendi. Harrojini sa më shpejt këto, historinë e bëjnë fitimtarët. Tani s’na ka mbetur, veçse të themi: e gëzofshim reformën “ramalu”!p

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.