Qyteti ka nevojë për “veshë”

AGIM BAÇI/ baci agimAi që komandon në një tregim nuk është zëri: është veshi”, shkruante shkrimtari dhe studiuesi italian Italo Calvino në librin e tij “Qytete të padukshme”, teksa udhëtari Marko Polo i rrëfente imagjinatën e tij perandorit Kublai Kani. Një thirrje që duket i rëndësishëm për qytetet e sotme, ku flasin shumë e dëgjojnë pak ose aspak, ku gjithkush mendon të performojë e askush nuk preferon të ulet në karrigen e dëgjuesit. Këto vëzhgime të Calvinos mbi qytetin dhe marrëdhënien e domosdoshme të njeriut me të m’u kujtuan teksa flisnim disa ditë më parë në Berat për librin e gazetarit dhe studiuesit Namir Lapardhaja, për kronikat e tij për qytetin, pa shmangur as këndvështrimet mbi politikën, letërsinë e sidomos kulturën. Në fakt, çdo qytet ka frikërat dhe ëndrrat e tij, ka të dukshmet dhe të padukshmet e tij. Për Namirin, frika në qytetin e tij nis nga ajo e cila mban peng mjaft njerëz në mbarë qytetet, e ndoshta edhe në mjaft vende në botë: nga na erdhi ky fqinji ynë? Por pikërisht këtu nis ndarja e madhe e atyre që pyesin dhe e veshëve që e dëgjojnë, pasi dikush pyet për të bërë një dallim mes tij dhe fqinjit me gjëra që s’kanë të bëjë fare me zotësinë e tij, ndërkohë që dikush tjetër kërkon të gjejë një bashkëbisedues. Ndaj veshët në çdo qytet janë të ndryshëm, sepse zëri godet brenda gjithkujt sipas mënyrës se si ne kemi ëndërruar, se çfarë kemi frikë dhe se çfarë duam më shumë.

Por pyetjet për Beratin mund të jenë kudo, thuajse në çdo qytet të Shqipërisë, madje edhe në mes të kryeqytetit, ku i ardhuri nga periferitë vijon të shihet si një njeri që kërkon t’i rrëmbejë territoret, t’i marrë pushtetin e origjinës së tij të lindjes. Mjaft e çuditshme vijon të jetë kjo ndjesi mes shqiptarëve, edhe pse prej 28 vitesh ne vijojmë të jemi një popull me emigracion që rritet, duke pasur shumë bashkëqytetarë pjesë të qyteteve të ndryshme botërore, pjesë të kulturave të ndryshme, e që shumicës prej tyre iu është zgjatur dora e bashkëjetesës, edhe pse asnjë e kaluar e mëparshme nuk ekzistonte.

Loading...

 

 

Ndaj, duket sikur në libër ka një pyetje që kërkon përgjigje: A mund të jetë historia dhe jeta e një qyteti vetëm gurët dhe muret? Pra, cilat janë themelet e vërteta? A mundet që ndërtesat të zëvendësojnë fuqinë, që ka dora e një njeriu për tjetrin përballë? Shumë njerëz jetojnë me ëndrra dhe kujtohen se nuk kanë bërë asnjë hap për t’u mbajtur mend vetëm atëherë kur mosha e tyre është veç për kujtime. Por për çfarë do të kujtohen nëse në jetën e tyre nuk janë përfshirë për të marrë dhe për të dhënë diçka me tjetrin? Për çfarë mund të meditojnë nëse nuk kanë menduar ndonjëherë për tjetrin, që jeton në të njëjtin pallat, në të njëjtën mëhallë?

Ne nuk kemi pse të kërkojmë që në një qytet të gjithë të arrijnë të bëjnë me zë të lartë pyetjet e duhura. Por mund të shpresojmë se kur një e vërtetë na thuhet, ne duhet të ngremë veshët dhe të pyesim veten tonë për atë që besuam dhe atë që ëndërruam. Sepse ne kemi nevojë të dallojmë kufijtë tanë dhe hapësirën e pafund të historive, që shkojnë e vijnë në një qytet apo kudoqoftë që ne kemi ngritur jetën tonë, ku rrisim fëmijët tanë dhe ku besojmë në një buzëqeshje.

“Nuk tradhtojnë fjalët, por veprimet”, thotë personazhi Marko Polo, duke na kërkuar kështu që të besojmë te fjala, por edhe të shohim nëse fjala ka qenë pararendëse e vërtetë e asaj që deshëm të bënim. Ndonjëherë mes fjalës dhe veprimit dallohen brigje të mëdha që veç largohen, pasi janë jo të paktë ata që veçse flasin se si duan të jenë, por nuk kuptojnë kurrë se si janë. Por fundja këto janë qytetet, me harta të papërcaktuara mes dëshirave dhe veprimeve, mes të dukshmes dhe të padukshmes, mes jetës dhe vdekjes. E megjithatë, veçse dora dhe zëri i njeriut munden t’i japin një kuptim gurëve, mureve, të thënave dhe të pathënave. Ndaj në një qytet janë gjithnjë të domosdoshëm ata që guxojnë t’i thonë gjërat, ata që kërkojnë veshë për fjalët e tyre dhe që kërkojnë njeriun. Ndaj, në një qytet është e rëndësishme që, më së paku të pyesim: A e kuptuam vallë njeriun përballë nesh dhe a u përpoqëm të bashkëndajmë një hap apo një ëndërr me të?

Loading...
You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.