Qaniu pro dhe kundra celularit

Capajev Gjokutaj

Sa herë flisni për celularin dhe rrjetet sociale, edhe ti, edhe Qaniu, i bini fyellit në një vrimë. Shihni vetëm gjysmën bosh të gjësë. E bëni celularin djall me brirë dhe lini në harresë anët pozitive që i ka të shumta dhe të çmuara.

Kështu më shkruan Naqja dhe nis e shtjellon qendrimin e tij. Celulari, thotë, na e bën jetën më të lehtë, kurse marrëdhëniet me të afërmit më funksionale.

Nipin dy vjeçar e takojmë vetëm për fundjavë, se Tirana është bërë e madhe dhe shtëpinë e vajzës e kemi larg. Gati çdo mëngjes, dhëndri na lidh me videokamer.

Veç të shohësh mua dhe Verën, pa u larë akoma, ndenjur shesh në krevat dhe ngjitur me njeri-tjetrin, që të na kapë kamera e celularit, i këndojmë e i themi vjersha. Ai dëgjon e gazmohet, bija dhe dhëndri bëhen gati për punë pa çamarrokun nëpër këmbë.

Baxhanaku im në Amerikë, sa ka dalë në pension. Mërzitem e bëhem derr, thotë. Edhe në metro, mes lumit të njerëzve, ndihem i vetmuar, si të isha në Patagoni. Vetëm kur hap fejsbukun më ngjan vetja sikur jam në Fier.

Lexoj statuse e komente, kthej ndonjë përgjigje, të gjitha shqip dhe më duket se jam atje, mes miqsh e të njohurish. Me njërin përshëndetem, me tjetrin bëj ndonjë batutë nga larg, me të tretin shkoqitem në muhabet. Gjë e madhe fejsbuku.

Në postimin e djeshëm, vazhdon Naqja, ti flet me keqardhje e gati-gati me përçmim për ata njerëz që, kur ndodh ndonjë gjë e jashtzakonshme, nxjerrin celularët dhe filmojnë. I quan sehirxhinj dhe harron që, jo rrallë sjellin shërbime të çmuara shoqërore e publicistike.

Po të qe për televizionet dhe kamerat profesionale p.sh, pamjet e shpërthimit të Gërdecit, do t’i kishim me llafe. Celularët e dy-tre qytetarëve të thjeshtë i fiksuan për ne dhe për historinë.

Loading...

Ose merr një ngjarje të freskët. Opinioni dhe mediat greke u trazuan goxhá për vrasjen e të riut minoritar në Bularat. Fillimisht mbisundoi versioni se u vra me që ngriti flamurin grek.

Vetëm kur doli videoja që e tregonte të riun në rrugën përbri kafenesë, duke shtirë me armë në lartësinë e trupit, edhe në opinionin grek u shtuan zërat që u jepnin të drejtë punonjësve të rendit: policia e çdo vendi ka të drejtë të asgjësojë personat që ngrenë armën kundër saj.

Kjo videoja, që bëri ndryshimin, ishte e ‘një sehirxhiu’, që ndodhej në kafene dhe, në vend të rrinte dyarkryq e të përjetonte emocionet dhe drithmat e ngjarjes, siç i quan ti, nxorri celularin dhe filmoi. Gjeje vet ç’vlerë kanë drithmat e një personi krahasuar me mirëkuptimin mes dy shtetesh fqinjë.

Si ti dhe Qaniu, kulmin e arrini kur fajësoni celularin dhe rrjetet sociale se po na zhytin në një botë virtuale. Në fakt po na bëjnë një shërbim të çmuar. Po na ndihmojnë të shuajmë etjen e përjetshme humane që hera-herës të çlirohemi nga realja e të shkojmë tek virtualja, të arratisemi nga e zakonshmja e të strehihemi te e çuditshmja. Kjo është dëshirë safí njerëzore, ndaj çdo kohë ka patur e ka nevojë edhe për përralla e trillime.

Në një pikë jam dakort me ju: ka shumë teprime në përdorimin e celularit, por fajtor jemi ne e jo instrumenti. Pastaj, më thuaj një dashuri e cila në hapat e para ruan sensin e masës.

Dhe e fundit, llogjet e tua dhe të Qaniut kundër celularit, më kujtojnë ankesat dhe qarjet e përjetshme të pleqve, se kjo botë po u prishka. S’është prishur bota, të keqen e kemi brenda, ka ardhur me moshën. Ankohemi e qahemi që të jashtësojmë dhimbjet, drobitjen, pakënaqësitë dhe frikërat.

Kështu më shkruan, Naqja dhe unë u ndërdysha: ta postoja apo jo reagimin e tij. Jo për gjë, por vende vende sikur shkel etikën🤡

( Nga cikli ‘ Kafe për llafe’ )

Loading...
You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.