PS mbledh 28 firma për të shkarkuar Arben Malajn nga Banka e Shqipërisë

Maxhoranca socialistet pritet të shkarkojë ish-deputetin e saj, Arben Malaj nga Bordi i Bankës së Shqipërisë.

Burime bëjnë të ditur se deputetët e Partisë Socialiste kanë mbledhur 28 firma, me anë të të cilave kërkojnë që Arben Malaj të lirohet nga posti i anëtarit të Bordit të Bankës së Shqipërisë. 

CV e Arben Malajt

Prof. Dr. Arben Malaj është anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë që prej muajit dhjetor të vitit 2018. Ai ka shërbyer si anëtar i këtij Këshilli edhe në periudhën korrik 2016 – nëntor 2018.

Prof. Dr. Arben Malaj ka mbaruar studimet e larta për financë në vitin 1986 pranë Universitetit të Tiranës. Mban titullin “Profesor” që prej muajit shkurt të vitit 2016.

Gjatë periudhës 2005-2006, ai ka ndjekur programin “Senior Felloë” pranë Universitetit të Harvardit, Shkolla e Qeverisjes John F. Kennedy, Qendra për Biznes dhe Qeverisje, gjatë të cilit kreu studimin kërkimor me fokus perspektivën ekonomike të integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ai ka kryer specializime pasuniversitare në disa universitete evropiane e amerikane dhe ka marrë pjesë në shumë konferenca shkencore kombëtare e ndërkombëtare.

Gjatë karrierës së tij të pasur profesionale, Prof. Malaj ka dhënë kontributin e tij si në fushën akademike ashtu dhe në shërbim të sektorit publik.

Prof. Dr. Malaj ka qenë Ministër i Financave gjatë periudhës 1997-1998, Ministër i Ekonomisë gjatë periudhës 2002-2003 dhe sërish Ministër i Financave në periudhën 2003-2005, duke shërbyer edhe si Guvernator i Shqipërisë pranë Bankës Botërore.

Në periudhën 1997-2013, ka qenë Deputet i Kuvendit të Shqipërisë, gjatë së cilës ka qenë edhe anëtar, zëvendëskryetar dhe kryetar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave. Në vitin 2001, ai ka qenë Kryetar i Delegacionit të Kuvendit Shqiptar në Parlamentin Evropian.

Prof. Dr. Malaj është bashkëthemelues dhe ish-President i Institutit të Politikave Publike dhe Mirëqeverisjes. Në periudhën 2016-2017, Prof. Dr. Arben Malaj ka qenë Rektor i Kolegjit Universitar “Luarasi”. Gjatë karrierës së tij të gjatë akademike, z. Malaj  është angazhuar si lektor me kohë të pjesshme dhe të plotë pranë Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës.

Ai është autor i mjaft studimeve të karakterit ekonomik, si dhe udhëheqës i shumë doktorantëve për tematika të zhvillimeve financiare lokale e globale. Në bibliografinë e punimeve të tij numërohen mjaft botime shkencore, të cilat janë botuar brenda dhe jashtë vendit, si dhe është autor/bashkautor i disa teksteve mësimore.

Prof. Dr. Malaj ka mbajtur një sërë leksionesh të hapura në universitete të ndryshme brenda vendit, në rajon dhe në SHBA. Ai jep kontributin e tij publik në median e shkruar dhe vizive nëpërmjet opinioneve të ndryshme që lidhen me çështje të ekonomisë dhe financave shqiptare.

Loading...
Të ngjashme

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.