Profil/ Manjani:Nuk kam lekë të harxhoj për zgjedhje, në këtë mënyrë ti blen diçka që nuk blihet, demokracinë

“Kjo është pikëpamja ime”

Është cilësuar shpesh herë edhe si politikani “rebel” apo “mistrec”, pasi i ka shprehur hapur pikëpamjet e veta. Pa ngurruar aspak shpreh dallimin e madh që sheh mes Nanos dhe Ramës në drejtimin e Partisë Socialiste, tregon pse iku nga kjo parti, si iu bashkua Lëvizjes Socialiste për Integrim, apo si e sheh mjedisin e politikës shqiptare në terma afatshkurtër, pasi për të, nuk ka afate të gjata për këtë lloj politike.

 

Një jurist që u përfshi në politikë me ftesën e Fatos Nanos, Ylli Manjani nuk e fsheh në asnjë moment mirënjohjen për ish-udhëheqësin e PS, pasi jo vetëm e “prezantoi” me politikën, por edhe se i mësoi shumë rreth demokracisë.

“Kujtoj që asokohe Partia Socialiste ishte vërtet Partia Socialiste”, shprehet Manjani duke shtuar se për të, puna me Fatos Nanon ka qenë universitet politik i mirëfilltë.

Gjithsesi, rrugëtimi i Manjanit në Partinë Socialiste vijoi edhe gjatë kohës kur kjo parti drejtohej nga Edi Rama, një rrugëtim që pati një fund sa të paqartë aq të pakëndshëm për juristin. Kush braktisi kë dhe pse? U tregua sërish “rebeli” i partisë, apo partia nuk kishte më nevojë për të?

“Rama insistonte të shkoja në Dibër”, tregon Ylli Manjani për kandidimin e tij për deputet në vitin 2009, zgjedhje të cilat PS i humbi. Pas këtij kandidimi, Manjani nuk përjetoi vetëm zhgënjimin e humbjes së partisë së tij, por edhe “tradhëtinë” që iu bë në momentin e fundit.

“Kryesia e PS në Tiranë, kishte miratuar listën e deputetëve, ku unë isha i pari i listës në Dibër. Mora edhe urimet e anëtarëve të kryesisë atë natë. Fjeta gjumë dhe të nesërmen ngrihem dhe shoh lajmet që tregonin se isha rrokullisur i treti (dy të parët fituan mandatin). Nuk kisha ndonjë pozitë armiqësore me Ramën, realisht. Deri vonë nuk kam pasur as pozitë ndarjeje, as pajtimi. Nuk më erdhi mirë, sigurisht”, tregon Manjani.

Në pozitat e një anëtari të Partisë Socialiste në vitin 2002, kur udhëheqës ishte Fatos Nano dhe gjithashtu në vitin 2005, kur PS drejtohej nga Edi Rama, Manjani ka një koment të shkurtër për një dallim tepër të madh mes tyre. “Është shumë e thjeshtë të bësh një krahasim”, shprehet i bindur ish ministri.

Sipas Manjanit, bota e politikës është një vorbull që hyn dhe është vështirë të dalësh. Pas largimit nga PS, juristi kërkonte bashkëpunëtorë të rinj për të qëndruar pjesë e kësaj “vorbulle”. “Armikun” politik, Partinë Demokratike, nuk mund ta konsideronte si mundësi. Në këtë kohë, Manjani tregon se Ilir Meta i dha mundësinë, që në partinë Lëvizja Socialiste për Integrim, të vazhdonte të jepte kontributin politik.

Pas vazhdimit të karrierës politike me LSI-në, Manjanit i propozohet në vitin 2015 një pozicion që çdo jurist do e donte, posti  i ministrit të Drejtësisë. Gjysma e mandatit kishte kaluar dhe Manjani e merr postin në një periudhë shumë të ngarkuar, kur Reforma në Drejtësi kishte marrë udhë. Zhgënjimi i radhës do të ishte ajo çfarë iu kërkua të bënte si ministër, apo e thënë më saktë, çfarë iu kërkua të mos bënte.

“Kur ika, nuk kam ikur për çështje të detyrës, besoj janë çështje politike që i dinë udhëheqësit”, tregon Manjani për largimin e tij nga posti i ministrit të Drejtësisë në vitin 2017.

“Unë formalisht jam ende anëtar i kryesisë së LSI-së, kur ka mbledhje më thërrasin akoma dhe unë shkoj. Pra nuk është si historia e PS”, tregon Manjani. Duke e parë LSI-në me në krye Metën dhe Kryemadhin, ai nuk heziton të bëjë dhe një dallim mes tyre.

Manjani: Besoj se Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kanë një dallim shumë të madh . Ilir Meta është një negociator, një lider që krijon marrëdhënie ndërpersonale dhe politike me njerëzit, ndërsa Kryemadhi është një punëtore partie, por me disa defiçenca në pjesën e lidershipit apo të paraqitjes politike.

Edhe pse vazhdon të jetë anëtar i kryesisë së LSI-së, diçka e ka penguar Manjanin të kandidojë për deputet në zgjedhjet e vitit 2017, edhe pse dëshira nuk i mungonte për të marrë përsipër një detyrë të tillë.

“Viti 2017 pati një tension absurd, veçanërisht pas largimit tim si ministër. Ilir Meta pati një ftohje, deri në largim me mua. Në kohën e listave, Meta u zgjodh president, por ishte kryetar aktiv i LSI dhe pati një mbyllje totale. Fillova të perceptoj edhe njëlloj mllefi, duke më lënë të kuptoj se diçka, diku paskam bërë gabim. Mora një propozim gati-gati fyes që të isha në listën e Tiranës diku nga mesi i listës. Unë bëra një deklaratë ku shpreha se prisja të shërbeja si deputet, jo si kandidat për deputet”, kujton me keqardhje ish ministri.

“Aktualisht merrem me këtë zyrën këtu. Pres dhe përcjell njerëz përditë”, tregon Manjani për angazhimin e tij, tashmë larg politikës. Ai jep këshillim ligjor dhe vazhdon profesionin e tij si jurist. Tregon se kjo punë i merr shumë kohë, pasi ‘është e nevojshme të japë këshillat dhe orientimin e duhur për personat që mund të kenë probleme me drejtësinë’.

Këshillimin ligjor nuk e ka kursyer as në rrjetet sociale, një hapësirë që e mban gjithashtu edhe shumë pranë politikës. Ylli Manjani është një person shumë aktiv në rrjetet sociale dhe shpesh shpreh online qëndrimet e tij, kryesisht kundër qeverisë.

“Unë nuk e mbështes dot një kryeministër që ndërhyn te drejtësia, apo një politikë të caktuar që do të zaptojë çdo gjë. Nuk e mbështes dot një kryeministër që nuk e lë ministrin të bëjë punën. Shumë ministra nuk janë aq pula sa duken, por kështu i shet kryeministri dhe kjo është gabim”, thotë Manjani.

“Ka kohë që me thënë të drejtën kam ndjesi jo optimiste”. Me këtë pohim, Manjani tregon se e sheh të zymtë të ardhmen e politikës shqiptare, në të cilën edhe po të përfshihej sërish, nuk di sa do i zgjaste qëndrimi.

Duke e konsideruar përfshirjen në politikë si një biznes, Manjani tregon: “Nuk kam lekë të harxhoj për zgjedhje, nuk kam. Në këtë mënyrë ti blen diçka që nuk blihet, demokracinë. Nuk shitet demokracia. Ai që shet votën është faqezi, ai që e blen është i pafytyrë. Pronari i demokracisë është votuesi”./ Politiko.al

Loading...
Të ngjashme

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.