Prapaskenat e krijimit të Partisë “Bindja Demokratike”, si po sfidon PD-në Rudina Hajdari. Regjistrimi në zgjedhjet e…

 Partia ‘Bindja Demokratike’ do të jetë alternativa e re që deputetja Rudina Hajdari, vajza e liderit të dhjetorit Azem Hajdari, ka vendosur t’u ofrojë të djathtëve pas përjashtimit nga Partia Demokratike.

Një javë pasi mori në Parlament drejtimin e atij që u emërtua si Grupi Parlamentar Demokrat, Hajdari ka vendosur të avancojë me krijimin e një formacioni të ri politik, që ligjërisht do të regjistrohet në gjykatë javën e ardhshme.

Nga foltorja e Parlamentit, deputetja Hajdari premtoi se pavarësisht se koha nuk është në favorin e saj, demokratët do të kenë një alternativë në zgjedhjet e 30 qershorit.

“Koha nuk është në favorin tonë, por ne do të përpiqemi që opozitarëve dhe demokratëve në këtë vend mos u lëmë një vend bosh në këto zgjedhje. Ne nuk jemi dakord me bojkotimin e zgjedhjeve, si një alternativë opozitare, kundër cilësdo qeverie, sado e kompromentuar dhe e korruptuar qoftë ajo. Ne e konsiderojmë atë si vetëvrasje politike. E vetmja rrugë për të ndryshuar pushtetin në një vend demokratik janë zgjedhjet”, deklaroi Hajdari.

Këtë të martë, Hajdari pritet të dorëzojë në gjykatë listën me 3.000 firma, duke lënë plotësisht të hapur mundësinë që përfaqësues të kësaj force të re politike të kandidojnë në zgjedhjet vendore.

PARTIA

Burime të “Panorama” konfirmojnë se në mbështetje të kësaj force të re politike do të jenë edhe figura, që kanë mbajtur poste të rëndësishme në PD. Ish nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi, ka konfirmuar se do të mbështesë këtë formacion të ri, duke theksuar nevojën urgjente që vendi ka për një forcë të re. Por ofertën e saj për të qenë në partinë ‘Bindja Demokratike’, Hajdari mësohet t’ua ketë propozuar deputetëve të Grupit Parlamentar që ajo drejton.

Në mbledhjen e Grupit Parlamentar Demokrat që është zhvilluar këtë të shtunë në zyrat e Kryesisë së Kuvendit, Hajdari ka komunikuar vendimin për krijimin e forcës së re. Sipas deputetes së dalë nga listat e PD, demokratët duhet të jenë të përfaqësuar në zgjedhjet vendore dhe për këtë arsye ata do të kenë alternativën e tyre të re.

Në mbledhje ka munguar deputeti i PD-së, Myslim Murrizi, ndërkohë që deputetët e tjerë, pjesë e grupit të ri parlamentar duket se nuk kanë qenë shumë entuziastë për këtë forcë të re.

Të kontaktuar nga “Panorama”, disa prej tyre kanë deklaruar se Grupi Demokrat nuk është pjesë e kësaj partie të re dhe nuk kanë autorizuar askënd për krijimin e partisë. Por pavarësisht kësaj, mbledhjet mes Hajdarit dhe deputetëve të këtij grupi parlamentar do të vijojnë edhe ditët e ardhshme, kur kërkesa zyrtare me 3.000 firma të dorëzohet në gjykatë.

Në grupin e ri parlamentar, të drejtuar nga Hajdari, bëjnë pjesë shtatë deputetë; Myslim Murrizi, Alban Zeneli, Arben Elezi, Arlind Çaçani dhe Halil Jakini.

PRECEDENTËT

Regjistrimi në gjykatë i ‘Bindja Politike’ do të regjistronte edhe çarjen e parë të PD-së nga marrja e drejtimit të saj nga Lulzim Basha. Pavarësisht se zërat kritikë ndaj tij nuk kanë munguar në 6 vitet e drejtimit të PD-së, asnjëri prej kritikëve nuk ka marrë vendimin për krijimin e një formacioni të ri politik.

Ndërkohë që gjatë drejtimit të PD-së nga lideri historik i saj, Sali Berisha, disa prej bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë u shkëputën dhe krijuan parti të tjera.

Fillimisht, ishte Neritan Ceka me Partinë Aleanca Demokratike, më pas Genc Pollo me Partinë Demokratike të Re dhe në 2012 ishte ish-Presidenti Bamir Topi që krijoi Frymën e Re Demokratike.

Loading...
Të ngjashme

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.