Politikanët gënjejnë, ne i ndihmojmë

ÇAPAJEV GJOKUTAJ

Çapajev-Gjokutaj
“Mashtrimet Politike”, kështu titullohej një emision që “Top Chanel” transmetoi javën e kaluar. Mbështetur në investigime të projektit Faktoje.al., emisioni sillte me zë dhe figurë politikanët kryesorë, duke nisur nga Kryeministri dhe kryetari i opozitës e duke ardhur te deputetë të thjeshtë. Thoshin gënjeshtra ditën me diell në Parlament, në konferenca për shtyp, takime elektorale etj.

Puna e grupit të gazetarëve të Faktoje.al është një fillim premtues. Bashkë me ndonjë nisëm tjetër, – fatkeqësisht të mbështetura vetëm nga burime të huaja financiare, – ngjallin shpresë se gazetaria investigative mund të kultivohet edhe në skërkat e ligjërimit tonë politik e publicistik, mbushur me thashetheme, gënjeshtra dhe shpifje. Duke ndjekur emisionin, lindte natyrshëm pyetja: Pse gënjejnë politikanët? Në fakt, është një pyetje që haset edhe në vendet me demokraci të zhvilluar. Parë kështu, paradigma “politikë – mashtrim” rezulton universale, haset në gjithë botën, sot e mot. Ka disa faktorë që i pranëvënë politikën me mashtrimin dhe politikanët me gënjeshtrën.

 

 

1. Maksima “politika është vazhdim i luftës me mjete të tjera” ka hyrë në përdorim dy shekuj më parë, si variacion mbi thënien “lufta është vazhdim i politikës me mjete të tjera”. Dhe qysh atëherë është përdorur jo si lojë fjalësh, as si parodi, por si afirmim i një të vërtete. Për ilustrim merret shpesh kalimi i luftës së Trojës nga betejat e përgjakshme te Kali, si akt politik që zëvendësoi luftën. De facto, Kali ishte mbrujtur mbi një kundërvënie: dhuratë në pamje dhe diversion në thelb. Kundërvënia “sipërfaqe-thelb” ka shoqëruar ligjërimin politik në kohëra, sepse përbën një nga strukturat bazike, mbi të cilën ky ligjërim sendërtohet. Noam Chomsky thotë se leksiku politik ka gjithnjë karakter të dyfishtë, ka një kuptim literal dhe një tjetër teknik, i pari i takon parimit, i dyti praktikës dhe, thuajse gjithnjë janë në kundërvënie me njeri-tjetrin. Fjala “komunizëm”, p.sh., shton gjuhëtari dhe politologu i famshëm, në kuptim literal do të thotë kontroll i punëtorëve mbi prodhimin, kontroll i komunitetit mbi vendimmarrjen; por në ligjërimin e sotëm politik fjala “komunizëm” ka marrë kuptim krejt të kundërt dhe shënon diktaturën e nomenklaturës partiake mbi bashkësinë.

Po kështu fjala “demokraci”, në kuptim literal do të thotë pushtet i popullit dhe me popullin. Por në praktikë, thotë Chomsky, rezulton se në vendin më demokratik të botës, në ShBA shumica e shtetasve, rreth 70%, nuk kanë ndonjë ndikim të dukshëm në vendimmarrje, ndryshe nga një pakicë fare e vogël, që përfaqëson interesat e bizneseve të mëdha. Ky dualiteti sipërfaqe– thelb buron edhe nga fakti se politikanët nuk janë aq të interesuar për të vërtetën sesa për të marrë dhe ruajtur pushtetin. Me fjalë të tjera, funksioni i parë dhe i patjetërsueshëm i ligjërimit politik është pushteti dhe jo e vërteta. Për hir të pushtetit, e vërteta mund të sakrifikohet. Të kesh pushtet politik do të thotë të jesh në gjendje të ndikosh mbi të tjerët, të kesh autoritet dhe mundësisht, edhe kontroll mbi ta. Prej natyre njeriu është gatuar ta lakmojë pushtetin, d.m.th të dëshirojë të ketë influencë, të tërheqë vëmendjen, të çmohet e vlerësohet.

Kur është fjala për grupime politike, kjo dëshirë thellësisht egoiste mund të realizohet ose përmes dhunës dhe shtrëngimit, ose duke u shërbyer të tjerëve, ose duke u shtirë sikur u shërben.

Në të gjitha rastet parësore mbetet vetja, egoizmi yt a interesi i grupit ku bën pjesë.

Asnjë person normal dhe, aq më pak, ndonjë grupim politik nuk pëlqen të projektohet nën flamurin e egoizmit. Rrjedhimisht, gjithë ligjërimi politik, herë më shumë e herë më pak, është përpjekje të fshehë egoizmin individual, interesat e grupit etj. dhe për të thënë se gjithçka bëhet për të mirën e të tjerëve, me demek popullit.

2. Thënë përmbledhtas, politikanët mashtrojnë gjithandej. Por ka një ndryshim, i vogël në dukje, esencial në përmbajtje. Politikanët e vendeve me demokraci liberale të konsoliduar mashtrojnë, duke thënë përgjithësisht gjysmë të vërteta. Me fjalë të tjera, marrin fakte, ngjarje, rezultate reale që janë në favor të tyre dhe lenë në hije ato që u vijnë kundër. Me të dhënat, që i kanë në favor, ndërtojnë argumente dhe realitete fiktive për të ndikuar te qytetarët. Politikanët tanë duket se kanë qasje tjetër. Përdorin gjithë arsenalin e mashtrimeve, përfshirë edhe gjysmë të vërtetat, por peshorja anon nga trillimet dhe shpifjet.

Vështirë të thuash se politikanët e vendeve të zhvilluara e duan më pak pushtetin se këta tanët. Madje, vështirë të thuash se prej brumi janë më engjëj se tanët. Por gjithsesi, janë më të kujdesshëm kur u duhet të shkelin në viset e mashtrimit. Tanët janë më të shkujdesur. Rol vendimtar në këtë shkujdesje duket se kanë disa faktorë, që lidhen me shoqërinë dhe kulturën tonë, faktorë të tillë si fryma folklorike, manipulimi i lajmit, militantizmi i çartur etj..

3. Ndër instrumentet më të përdorur për të ngjizur mashtrime është stërzmadhimi. Po të nisesh thjesht nga ligjërimi politik, jeta jonë e sotme përcaktohet nga dy balozë, liderët e dy partive kryesore, që alternojnë njeri-tjetrin, duke kaluar herë në pushtet dhe herë në opozitë. Është e vërtetë që kryetarët e partive të mëdha kanë shumë kompetenca, kurse vetë partitë kanë instrumente të dobët dhe, përgjithësisht, jofunksionalë për të kontrolluar dhe kufizuar pushtetin e kryetarëve. Megjithatë, në ligjërimin politik roli i liderit stërzmadhohet, gjithçka paraqitet si meritë a si zullum i tij, sipas skemash të njohura të epikës legjendare.  Nuk do shumë mend të pikasësh se ky lloj stërzmadhimi bëhet për të ndikuar në rrugë sa më të lehtë masat e militantëve. Ngjallin më shumë emocion dy balozë që ndeshen se sa lukunia e politikanëve, shtetarëve, oligarkëve, punonjësve civilë etj., etj., që, me veprime të papërgjegjshme dhe korruptive, po drobisin trupin e ligur të shtetit dhe shoqërisë. Një lukuni me krimba politikë i janë vërsulur, do thuhej me një batutë të Shekspirit.

Loading...

Si një rast domethënës, për të parë se qysh e ndikon fryma folklorike ligjërimin politik, mund të shërbejnë deklaratat e Presidentit të Kosovës për rishikimin e kufijve. Në fakt, edhe Thaçi, edhe Vuçiç, nisën gjatë kësaj vere, pothuajse në të njëjtën kohë, dy fushata mediatike. Me gjasë, donin të përgatisnin shoqëritë përkatëse për një marrëveshje të mundshme.

Vetëm se Vuçiç u kujdes të përgatiste serbët që zgjidhja e problemit të Kosovës do të ishte e vështirë dhe jo pa dhimbje. Thaçi pati qasje tjetër, njoftoi bashkëqytetarët se po përpiqej për korrigjimin e kufijve, korrigjim që do t’i bashkëngjiste Kosovës edhe Luginën e Preshevës, pa dhënë asgjë në këmbim. Se si dhe qysh do ta detyronte Presidenti Serbinë t’i falte në tavolinë territore një bashkësie, që as nuk të pranon si shtet, vështirë se merrej vesh.

Të dy presidentët bënin fushatë, por njeri synonte qasje realiste në bisedë me qytetarët e vet, tjetri qasje folklorike; njeri respektonte inteligjencën e dëgjuesve, tjetri i merrte për dashamirë folklori; njeri përfytyronte se fliste me elektoratin, tjetri me klanin. Mungonte vetëm lahuta.

4. Frymën folklorike e provinciale të ligjërimit politik e nxjerrin më në pah dhe e forcojnë disa gjynahe të mediave tona. Kështu p.sh., një pjesë e mirë e lajmeve që mediat hedhin në qarkullim nuk vijnë nga realiteti, por nga thëniet e politikanëve. Lajmet e tipit filani tha ashtu e fisteku ia priti kështu, në një pjesë të mirë të rasteve nuk pasqyrojnë gjëra reale, por dëshira dhe interesa të këtij apo atij politikani.

Lajmi i mbështetur mbi thënie dhe jo mbi realitetin e gjërave, të sjell ndër mend thashethemet në shoqëritë tradicionale. Për thashethemin, si zhanër folklorik, nuk ka rëndësi e vërteta, rëndësi ka krijimi i një atmosfere argëtuese e çlodhëse, ndërtimi i një marrëdhënieje mirëbesimi mes atij që flet dhe atij që dëgjon etj.. Problem është se lajmet e mbështetura mbi thëniet e politikanëve, të mbushura me dizinformime, shpifje për kundërshtarin, goditje nën brez etj. etj., shumicën e herëve hidhen në qarkullim pa kurrfarë verifikimi. Po kaq problem përbën dhe fakti se lajme të tilla duket se nuk janë në rënie, por në shtim gradual. Dhe, më e keqja, nuk po duket në horizont ndonjë faktor që do t’i pakësonte. Përkundrazi, thuajse gjithçka ngjan në favor të kësaj klime folklorike e provinciale.  Duket se sot kemi shumë më tepër media (portale, televizione, radio, gazeta etj.) sesa dukuri e ngjarje prodhon realiteti ynë i vogël dhe jo rrallë letargjik, sidomos në rrafsh intelektual. Gjithë këto media ngjajnë si tenxhere e tiganë të vëna në zjarr, që nuk mund të rrinë bosh se ndryshe vetëdigjen. Përpara këtij rreziku, merret dhe përhapet si lajm çdo gjë që shfaqet. Jo vetëm kaq, uria për lajme dhe materiale të tjera, bën që një pjesë e mirë e mediave që janë në qarkullim, përfshi shpesh edhe ato më seriozet, të huajnë copy & paste nga njëra-tjetra. Politikani shpif nga foltorja e Parlamentit p.sh., shpifja bëhet lajm, lajmi përsëritet e përsëritet nga një media te tjetra dhe vihet kështu në jetë motoja e Geringut: gënjeshtra e thënë vetëm një herë është thjesht mashtrim, por gënjeshtra e përsëritur njëmijë herë bëhet e vërtetë.

Parë kështu, mediat me dashje apo pa dashje, nga halli apo nga malli, rrezikojnë të bëhen shqytarë të politikanëve dhe të taktikave të tyre ligjërimore.

5. Gënjeshtra nuk do vetëm gojë, por edhe veshë, thoshte i pari. Me fjalë të tjera, nuk ka gënjeshtarë pa dëgjues, nuk mund të kultivosh gjëra të rreme pa pasur një treg që “i blen”, pa pasur njerëz që jo vetëm i dëgjojnë, por edhe i pëlqejnë dhe i besojnë. Parë kështu, militantët e çartur që dëgjojnë, besojnë e miratojnë, janë një tjetër faktor që favorizon mashtrimet e politikanëve. Psikologë konjitivë kanë vërtetuar në rrugë eksperimentale se mendja njerëzore, jo rrallë është e prirur të krijojë dhe besojë iluzione. E bën këtë për të lehtësuar ekzistencën, për ta perceptuar jetën më të thjeshtë, më të kuptueshme dhe më koherente, për të reduktuar konfuzionin, kaosin dhe ankthin e frikërat që burojnë prej tyre. Për të arritur të gjitha këto, truri i njeriut kryen një varg perceptimesh të shtrembëruara, nuk rri në pozitat e njohësit objektiv, por nis dhe mban anë. Hyjnë kështu në skenë anshmëritë konjitive (cognitive biases). Mes këtyre shquan anshmëria e konfirmimit. Kjo e shtyn trurin të seleksionojë informacionin që merr, të lejë mënjanë e të injorojë gjërat që s’i pëlqejnë, të dëgjojë dhe të besojë ato që i vijnë për hosh. Në fusha ku të menduarit përzihet me emocionet, të tilla si sporti, identiteti etnik, besimi fetar, politika etj., anshmëria e konfirmimit shfaqet më e gjallë dhe më vepruese. Aradhet e militantëve politikë hyjnë në grupet që e përdorin më shumë anshmërinë e konfirmimit, pëlqejnë e besojnë ato që u interesojnë dhe e nxisin folësin t’u përgjigjet pëlqimeve të tyre. Është kjo një dukuri e përbotshme, por në vende të prapambetura e të pazhvilluara, anshmëria e konfirmimit apo dëshira për të dëgjuar vetëm gjëra të pëlqyeshme, qofshin edhe gënjeshtra, është shumë më e fuqishme. Ndodh kështu, sepse në vende si yni, krahas faktorëve psikologjikë, veprojnë edhe faktorë të fuqishëm ekonomikë dhe socialë. Militantët dëshirojnë mbajtjen e pushtetit sa më gjatë ose presin me padurim radhën e alternimit të pushtetit, jo thjesht për tifozllëk, por sidomos për interesa. Çdo informacion që duket në favor, qoftë edhe i rremë, rezulton mëse i pëlqyer e i mirëpritur.

Nuk thonë kot se ligjërimet nga selitë e partive kryesore dhe nga kafet e militantëve sot, ua kalojnë edhe klubeve të dikurshme të gjahtarëve. Natyrisht për përhapjen e mashtrimeve politike. Dhe është afërmendsh, sa kohë të ketë mjete që përhapin gënjeshtrat e politikanëve si dhe treg që i kërkon e i pëlqen, makina e mashtrimeve politike s’ka pse e ndërpret prodhimin.

Loading...
You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.