Notre Dame, komedia në Tiranë

Nga Jorgo Mandili

 

Titulli i këtij shkrimi është marrë nga emisioni i Rudinës në “Dritare”: Djegia e një “ëndrre” – NOTRE DAME e Parisit

Hipokrizi shqiptare

Në Paris u dogj Notre Dame. Humbje e madhe e vlerave të kulturës botërore, padyshim! Dhe jo vetëm Rudina, por edhe Fevziu edhe Dudushi me emisionet tyre i bënë jehonë kësaj ngjarjeje të rëndë për djegien e një prej institucioneve të kulturës botërore.

Të ftuar në studio akademikë, profesorë, arkitektë, shkrimtarë, historianë, artistë, figura tjera të kulturës dhe artit shqiptar, disa të nderuar, disa groteskë, disa që kishin vizituar një apo dy herë katedralen, disa të tjerë, që kishin jetuar në Paris e një takëm tjetër që kishin një përfytyrim mbi katedralen e Parisit nga leximi i librit të V. Hygoit.

Të gjithë bashkë: derdhnin lot më shumë se francezët, të trishtuar më shumë se francezwt, të pikëlluar më shumë se francezët. Të shqetësuar se si do të rikonstruktohej, me çfarë materiali dru apo metal, për sa vjet, a do t’i ruante vlerat etj… U fol edhe për historinë e ndërtimit kush e vuri gurin e parë e kush të fundit e… në garë, kush e kush të promovonte njohuritë e veta e të tregonin dituritë e tyre, përkushtimin e keqardhjen e tyre… e të parashikonin se çfarë do të ndodhte e si do t’i vente fati i saj. Mungonin vetëm përfaqësues të zjarrfikësve për të sqaruar se pse nuk u përdorën helikopterët me ujë nga ajri?!

Si gjithmonë në këto raste kush e kush të fliste sa më shumë duke i ndërprerë fjalën paraardhësve, duke mos kuptuar i shkreti qytetar se çfarë flitej nga “kakofonia”, nga mungesa e një etike komunikimi si dhe përdorimi i një fjalori me tautologji të pakuptueshme të përdorur prej këtyre “profetëve të vetë emëruar” e të promovuar nga mediat. Të njëjtët, të përhershëm, të konsumuar, por të “pashtershëm” në ide, mendime, propozime që më së pakti të kujtojnë “alkimistët”-priftërinj të mesjetës, që kërkonin të zbulonin “gurin filozofik,

Në disputet dhe debatet e tyre që zgjasnin pambarim e shpesh përfundonin edhe me të rrahura diskutoheshin dhe përpiqeshin t’i jepnin përgjigje pyetjeve të tilla si “sa djaj ka në kokën e gjilpërës”, nëqoftëse këta “djaj dalin nga koka e gjilpërës”, në cilat shpirtra do të strehohen”?, ose “ai që bleu manto, bleu edhe kapuçe”?, po “kapuçi që bleu, çfarë forme kishte, me çfarë materiali ishte, çfarë ngjyre kishte”?, etj., etj., pyetje të tilla haluçinante. Dhe në fund të këtyre disputeve mesjetare asnjë përgjigje, asnjë përfundim asnjë progres në mendim e në shkencë.

Por teatri absurd mediatik i Notre-Damit nuk mbaron me studiot televizive. Ai vazhdon edhe me groteskun politik me trishtimin e presidentit, kryeministrit e të tjerë zyrtarë. Edhe këta më të të trishtueshëm e të pikëlluar se vetë homologët përkatës të tyre!

 

Notre-Dame”shqiptar

E përfytyroni se çfarë komedie shqiptare shpërfaqet nga këta “aktorë” të politikës dhe shoqërisë shqiptare që kanë 30vjet që para syve kanë një “Notre-Dame” shqiptar dhe asnjëherë nuk e kanë ngritur zërin. Dhe me të drejtë në një status të tij studiuesi dhe poeti Petraq Kote, këta “gjirizë” hipokritë e demagogë politikë, mediatikë, akademikë etj, i denoncon dhe ju bën një thirrje qytetare :

…o shqiptarë hipokrite, ligështohuni më parë për Shqipërinë që vazhdon të digjet të përvëlohet, të shkrumbohet, e pastaj për Notre Dame!

Nga ky zjarr që nuk shuhet (1991-2019) kanë ikur nga Shqipëria mbi tre milion shqiptarë.

Janë djegur gjithë pyjet, gjithë bujqësia, gjithë industria, gjithë arsimi, gjithë ushtria, intelekti i një populli të tërë ,dhe vlerat shpirtërore të këtij populli.

“Ligështohuni për…”Notre Dame shqiptar”, për Shqipërinë që vazhdon të digjet të përvëlohet…”.Mesazhi është i qartë. Mirë bëni që shqetësoheni për “Notre-Dame” francez por përse ju moderatorë, gazetarë, akademikë, profesorë, presidentë, kryeministra ministra, zyrtarë të lartë, nuk keni folur e nuk flisni, nuk keni analizuar e nuk analizoni shkaqet e arsyet se pse u kthye Shqipëria në një “Notre Dame” gjigant që morri flakë,u dogj, u vodh e u shkatërrua? Dhe ende vazhdon të digjet e përvëlohet…!

E njerëzit ikin, ikin ,vetëm të ikin duan.

Mirë të papunët e të varfëritë që ikin për bukën e gojës sepse atdheu i tyre nuk ua mundëson, po të punësuarit dhe të kamurit pse po ikin? Për hobi? Kanë humbur shpresën për ëndrrën europiane ? Prisnin një jetë më të mirë pas daljes nga monizmi? Përse u është bërë e pamundur jetesa në këtë vend 70% e njerëzve që duan të ikin…vetëm të ikin… të ikin… nga “sytë këmbët”… Përse ky vend me mrekulli natyrore, me pasuri tokësore e nëntokësore, me dete, liqene lumenj, brigje, gërxhe, kodra e livadhe të gjelbëruara ku këngës ia thotë thëllëza e fyellit bariu, është kthyer në “ferr”për ta ?

U është djegur ëndrra europiane? Nga kush? Dhe përse? Rastësi? Paaftësi e atyre që na i servirwn idealet e demokracisë të shkëlqyera për bukurinë dhe harmoninë e tyre apo u tradhtuan nga po ata njerëz që na i serviren dhe që nën trysninë e instinkteve ataviste para arsyes e ligjit, apo nën trysninë e lakmisë për pushtet e babëzisë për pasuri e çuan këtë vend në kaos e degjenerim moral nëpërmjet korruptimit të dijes, rrënimit të Intelektit dhe konvertimit të virtyteve në vese për të krijuar një realitet dëshpërues, mllef dhe polarizim, të gjithë kundër të gjithëve, të gjithë njëlloj, krizë idesh, izolim të mendimit intelektual, blerje e medieve, emërime nepotike, krahinore, partiake, “zgjedhje demokratike” – show, relativizimi i të vërtetave, konformizëm e servilizëm kudo, padrejtësi dhe pabarazi sociale, poshtërime e nëpërkëmbje të dinjitetit nga administrata e politika etj. etj.?

Aleanca e heshtur e të “Pandëshkuarve dhe e të Korruptuarve”

Aq shumë jemi tronditur dhe zhgënjyer gjatë këtij 30 vjeçari, saqë me të drejtë shtrohet pyetja: Vallë rastësi të jetë kjo? Mos vallë ka ndonjë projekt antishqiptar përderisa një gjëmë e tillë, një “Notre-Dame” po ndodh vetëm në Shqipëri, si në asnjë vend tjetër të ish Lindjes komuniste? Nuk jam i sigurt për këtë, por dyshime të arsyeshme ekzistojnë. Por për një gjë jam i sigurt dhe jo vetëm unë! Se ekziston një “Aleancë e heshtur” e “të Pandëshkuarve dhe e të Korruptuarve” që duke alternuar pushtetin midis tyre.

-I kanë bërë dhe vazhdojnë t’i bëjnë varrin Shqipërisë duke e djegur ëndrrën shqiptare “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa ”

-Duke pasur një koshiencë të ulët morale dhe politike janë shpërfaqur si opozitë dhe qeverisje mashtruese, hipokrite e demagoge në opozitë deklarata kundër padrejtësive dhe korrupsionit,me duar të pastra që do të ndëshkojmë të korruptuarit e qeverisjes,në qeverisje harrojnë ndëshkueshmërinë e paraardhësve dhe i futen “me kokë korrupsionit” galopant dhe e njëjta histori është përsëritur gjatë këtyre 30 vjetëve me të njëjtin skenar por me aktorë të ndryshëm ,përveç regjisorit që ka mbet i pandryshueshëm si “Mallkim i Shqipërisë” dhe “Sjellësi i fatkeqësive”.

-Nuk kanë ditur të ndërtojnë shtet me institucione të qëndrueshme, sepse u ka munguar dhe u mungon forca morale e karakterit për të bërë reforma dhe për të drejtuar me ide vizion, program dhe ekip e njerëz të aftë profesionalisht dhe moralisht që të kenë logjikë dhe kuptueshmëri.

-Kanë marrë gjithçka dhe nuk kanë dhënë asgjë, sepse kanë menduar dhe ende mendojnë më tepër për para, famë dhe pushtet dhe që as nuk ju bëhet vonë për mendjen dhe të vërtetën dhe as për përmirësimin e shpirtit të tyre, sepse u mungon fisnikëria, humanizmi, ndershmëria, dinjiteti, patriotizmi,komunikimi njerëzor, etika qytetare e mbi të gjitha dashuria për njerëzit dhe vendin, vizioni për të ardhmen, abnegacioni për demokracinë, devotshmëria për të drejtën dhe morali për të jetuar me nder dhe dinjitet.

Dhe si e tillë kjo “Aleancë e të Pandëshkuarve e të Korruptuarve” për të mbijetuar,  domosdoshmërish do të shpërfaqej në formën e turmave militante “të zhytura në baltën e injorancës, llumin e padrejtësisë dhe të dremitur në frëngjitë e hakmarrjes”, të këtyre turmave vulgare që kënaqen të gënjehen e të mashtrohen duke u hedhur në flakë” për prijësin, qoftë edhe duke u nëpërkëmbur e pashtruar,mjaft të jenë “gjithmonë gati” për të  bërë marrëzira “për çështjen e partisë, deri në flijim po të jetë nevoja.            


A ndjen ndonjë kënaqësi të madhe jesh qytetar i këtij shteti?

Një “Aleancë e tillë e heshtur e të pandëshkuarve dhe e të korruptuarve”e rastësishme apo jo, aksidentale apo jo, por krejtësisht mediokre, militante dhe primitive a mund të dizajnonte një projekt apo të bënte një qëndresë për ta ndalur rrjedhjen e lirë të shoqërisë sonë kudo në art, muzikë, arsim, shëndetësi, ekonomi? Jo absolutisht jo! Madje edhe ka nxitur me lirinë pa fre dhe politika pa tru. E vetmja mundësi e saj ishte të ndërtonte një “demokraci totalitare”të zbatuar në mënyrë skllavopronare dhe e një shteti

-I paaftë të ndërtojë institucione të qëndrueshme e që ka krijuar edhe pabarazinë dhe padrejtësinë sociale më të madhe dhe polarizimin më të skajshëm midis të pasurve dhe të varfërve, ku dënimi i krimeve bëhet aq padrejtësisht saqë është më mirë të vrasësh një njeri se sa të mos kesh paguar ndonjë taksë.

-Ku postet u jepen njerëzve të dyshimtë, hajdutë e batakçinj, mediokër e pa dinjitet që me arrogancën e tyre nëpërkëmbin personalitetin e dinjitetin e qytetarëve dhe të Republikës, korruptojnë të gjitha zakonet e një kombi, degradojnë edhe shpirtrat më bujarë, shuajnë shkëlqimin e dinjitetit, errësojnë virtytin dhe zëvendësojnë nderin më të lartë me neveritjen e përgjithshme.

-Mosmirënjohës dhe tallës ndaj punës dhe vlerave të pensionistëve dhe veteranëve ,mohues ndaj luftës dhe përpjekjeve të tyre në çlirimin dhe rindërtimin e vendit pas luftës duke i lënë në nivelin më të ulët të jetesës, ndërkohë që pagat e administratës dhe pushtetarëve i rrit sa pensioni i tyre.

-Ku pasuritë kombëtare u a ka dhënë të huajve dhe një grupi oligarkësh vendas. A janë tonat portet, aeroportet, hidrocentralet, minierat, bitumi, nafta, pushteti, ajri, malet, fushat, deti, rëra, plazhet, shkollat, spitalet, universitetet, mendimi e vullneti? Pothuajse asgjë.!Të gjitha të mirat materiale të këtij Dheu janë grumbulluar në pak duar,që kërkojnë të zotërojnë nderin dhe jetët tona.

-Që jo vetëm nuk u krijon mundësi punësimi, por u merr edhe kacidhen e fundit të varfërve, kur të pasurve u fal edhe detyrimet fiskale. A nuk keni parë në këtë shtet njerëz pa dinjitet, të kërrusur mbi tokë dhe të prangosur në shpirt ku euforinë e tyre, dhimbjen dhe fatin e tyre e lidhin me plotësimin e nevojës së ulët epshore, nevojë e cila sa më shumë plotësohet, aq më shumë rritet në një shkallë më të dhimbshme?.

Një shtet pa shtet, një shtet pa pushtet, një shtet luksokratik me një padrejtësi dhe pabarazi sociale të papërfytyrueshme. Një shtet pa zemër dhe pa shpirt! Skllevër të shtetit dhe skllevër të pronarëve….

-Ku në të gjitha llojet e bizneseve në fasonet, në miniera, në industrinë e naftës e në biznese të tjera, punëtorët punojnë në kushte skllavëruese si në dimër dhe në verë, me orë të zgjatura të papaguara, paga mujore diskriminuese për mbijetesë, me liri dhe të drejta të kufizuara, shpesh herë të nëpërkëmbur nga pronarët dhe qeveria për mospagesa disa mujore apo edhe me vite, shpesh pa siguracione shoqërore e siguri teknik, pa përmendur fermerët që janë më të diskriminuarit,pa subvencione e pa tregje duke i hedhur prodhimet e tyre në kanale .

-Ku dhe ju që dukeni më të “privilegjuarit”, në Presidencë, kryeministri,ministri, Universitete, në administratë shtetërore e kompanitë private që me veprimet tuaja reflektoni një sjellje feudale ndaj problemeve dhe halleve të popullit, jeni po aq të sunduar dhe të skllavëruar si gjithë të tjerët, në mos më tepër. Jeni skllevër dhe dëshironi të jeni të tillë. Ju “kujtoni se jeni padronët të të tjerëve, por që faktikisht jeni më skllevër se këta të fundit”

-Ku Ju “padronët e skllavëruar” ,kushdo qofshi (nga të sipërpërmendurit, në çfarëdo pozicioni qofshi )me siguri jeni shpirtra servile që zvarriteni poshtërsisht përpara njeriut të parë të fortë që do t’ u nënshtronte. Ju  shohim,ju dëgjojmë, ju vëzhgojmë! Të gjithë ju dukeni të kërrusur mbi tokë, që mënyrën tuaj të ulët për pasuri, pushtet dhe epsh e lidhni me dhimbjet, plagët, mjerimin e varfërinë e të tjerëve, Por mos harroni! Jeni po aq skllevër sa këta të fundit,por jeni vulgarë dhe orientalë dhe jo dinjitozë e krenarë si ata.!

A është kënaqësi e madhe të jesh qytetar i këtij shteti, kur të skllavërojnë ,jo vetëm të huajt , por edhe të ngjashmit e tu “patriotë”, madje më egërsisht me duart e tyre që të shtrëngojnë në fyt pa mëshirë duke t’a marrë shpirtin orë e çast?

A mund të durohen këta, që me lakminë dhe babëzinë e tyre kanë akumuluar për një kohë relativisht të shkurtër nga hiçi, nëpërmjet vjedhjes, korrupsionit dhe abuzivizmit aq pasuri marramendëse saqë ndoshta do t’ua kishin zili edhe shumë  të huaj të suksesshëm, që kanë punuar me përkushtim një jetë të tërë, por që kanë pasur edhe trashëgiminë e brezave të mëparshëm?

Këta që nga pangopësia e lakmia  e tyre materiale e pushtetore i kanë privuar shoqërisë sonë humanizmin dhe fisnikërinë, duke i përcaktuar edhe pabarazinë sociale më të madhe dhe polarizimin më të skajshëm midis të pasurve dhe të varfërve,nëpërmjet një shteti anarkik, jo ligjor “të mbuluar me frazeologji, me retorikë e me patos pseudo demokratik?

A ndjen kënaqësi të jesh qytetar i këtij shteti e të jetosh në mënyrë tragji komike, madje gjithnjë e më shumë dramatike, sa më haptazi tragjike është maska që na kanë vënë dhe vazhdojnë të na vënë këta “fshatarë të pagdhendur” ,që kur “zbulojnë qytetin e pushtojnë atë dhe zbatojnë ligjin e kecave dhe të deleve””(R.Qose).

Prandaj edhe të vetmet përpjekje që bëhen, janë ato të arratisë nga fati ynë i vërtetë, për të shmangur kështu përballjen me atë që mund të ndodhë. Sepse shohin,

-Se si është rrënjosur një mani e urryer për t’u pasuruar, jo nëpërmjet punës së ndershme dhe një prodhimtarie të bollshme, por nëpërmjet shkatërrimit të sovranit, të shtetit dhe të qytetarëve dhe një lirie deri në anarki, një liri që pjesa më e ndershme dhe e arsyeshme  nuk do të donte t’a kishte.

-Se si një sistem zgjedhor bën nul ndikimin e popullit në qeverisje dhe ku “gjirizet “e politikës e të pushtetit, duke u përpjekur të krijojnë iluzionin se përfaqësojnë popullin, në fakt tallen me të pa dhënë kurrfarë llogarie për sundimin e tyre.

-Se si oligarkia jonë patriarkale,feudale e otomane pushtetin, pasurinë, politikën e gjithçka ekziston në Republikën e Shqipërisë, i trajton si dhuratë e saj duke e uzurpuar madje vetëm me një tabelë “tokë e xanun”!?

-Se si paraja përcakton sjelljet, veprimet, mendimet, gjykimet, vlerësimet,vështrimet historike e dinjitetin e njerëzve.

-Se si politikanë, shtetarë e gjyqtarë , kanë humbur çdo sens të së drejtës dhe të padrejtës duke konvertuar urtësinë me aftësinë e realizimit të avantazheve të tyre, plotësimit të kënaqësive të tyre nëpërmjet abuzimit edhe me detyrën,që “madhështinë”e tyre e ngrënë në këtë degradim dhe nderin e tyre në këtë turp.

-Se si një “shoqëri civile” shërben si “instrument i pushtetit të padrejtë politik”, sepse ajo asnjëherë nuk është lënë të formohet realisht dhe kësisoj duke mos krijuar vlera të pavarura dhe identitet mendor e individual, nuk është ende “bërthama e mbrojtjes së drejtësisë shoqërore” me zërin e saj.

-Se si akademikët e profesorët, që janë katandisur deri në pikën e të qenit “derra të kënaqur” të korrupsionit, të formuar pa personalitet dhe pa besueshmëri në opinionin publik pa vlera shkencore ,pa identitet mendor e individual.

-Se si media, studio, rrjete sociale edhe shumë opinionistë, moderatorë, gazetarë analistë të paguar për të mos thënë të vërtetën para publikut,me poza prej “profeti”dhe argumente të sajuara demonizojnë  njërën palë dhe “glorifikojnë palën tjetër dhe e bëjnë këtë me një zell dhe pragmatizëm aq të madh sa humbasin “çdo druajtje dhe dinjitet” për të përfolur në vend të të folurit, për të gjykuar në vend të të menduarit, për të orientuar mendime sipas” porositësit më të parë “, për të relativizuar të vërtetën.

-Me një papjekuri të brendshme në formim, që nuk kupton se cili është realisht interesi i saj, që nuk e ka koshiencën e të drejtave të saj,ku mendimi ndryshe nuk konceptohet dot si vlerë dhe ku ligji nuk është garant i të drejtave të qytetarëve.

 

-Që ka humbur çdo besim tek moraliteti në jetë, politikë dhe treg , ku veset shihen si virtyte, ku shpresa duket si një gënjeshtër e padobishme.

 

-Që po degradon politikisht, ekonomikisht, kulturalisht e moralisht e ku përgatitet të rrënohet.

 

-Ku mungon elita intelektuale, akademike e politike,ku metastaza e mediokritetit, absurditetit dhe vulgaritetit, është përhapur dhe ka kapur edhe ato institucione që janë të destinuara vetëm për një pakicë të kualifikuar dhe të talentuar.

-Ku zgjedhjet “putiniste të të gjitha niveleve dhe llojeve që nga universitaret e deri tek lokalet, partiaket e parlamentaret, në shumicën e rasteve prodhojnë një lidership, ku aftësia korruptuese, dhuna, harbutëria, arroganca, paraja, joshja dhe shantazhi janë mjetet që mbështesin një sundim despotik.

 

Rraskapitëse dhe e padurueshme kur shohim një shoqëri, një shtet, një pushtet në krizë institucionale, por mbi të gjitha në një krizë morale dhe pikërisht, kjo ja bën më të lehtë klasës politike feudale shqiptare sundimin dhe skllavërimin e popullit të vet.?!

A mund të jetohet në këtë vend “që lapsin e ka kap injoranti, pushkën krimineli,pushtetin tradhtari?(A.Linkoln)…,atëherë ç’mund të themi për këtë vend.?Që është kthyer në një xhungël që nuk mund tê jetohet dot.

Prandaj edhe njerëzit ikin, ikin. .. vetëm të ikin …Për ku? Nuk e mendojnë …”nga sytë këmbët” …Vetëm të ikin nga ky “ferr”shqiptar të krijuar nga “Aleanca e heshtur e të Pandëshkuarve dhe e të Korruptuarve”

Deri kur kështu……?/ Dita.al

Loading...
Të ngjashme

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.