Njerëzimi e fillon Vitin 2019 me dy hapa gjigant në gjithësi

Fillimisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës me New Horizons i sollën pamjet e para nga fundi i Sistemit Diellor, pastaj Kina me anijen e tyre kozmike zbritën në anën me të largët të Hënës, gjë që nuk e kishte bërë askush më parë.

Anija kozmike e NASA-s, New Horizons, i ka dërguar fotografitë e para të shkrepura në Ultima Thule, një copë guri i cili duket si një dordolec i papërfunduar. Ky gur gjendet rreth 6,5 miliardë kilometra larg në skaj të sistemit solar, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Kjo fotografi u shkrep gjatë Ditës së Vitit të Ri dhe ajo tregon se kjo copë guri është 33 kilometra e gjatë dhe 16 metra e gjerë. Guri rrokulliset në boshtin e vet çdo 15 orë dhe në pamje të jashtme duket i kuq.

Anija kozmike i bëri me mijëra fotografi të këtij objekti, i njohur formalisht si 2014 MU69. Neë Horizons, gjatë kohës kur ishte duke i shkrepur këto fotografi, e theu rekordin për udhëtimin më të largët në histori të njerëzimit.

Forma e çuditshme e Ultima Thules thuhet se është formuar gjatë kohës kur grimca akulli dhe pluhuri ishin përplasur mes vete, gjatë fillimit të jetës në sistemin solar dhe me kalimin e kohës, dy gurët e mëdhenj që u formuan u përplasën dhe u ngjitën mes vete.

Ndërsa, vetëm një ditë më vonë u bë e ditur se Administrata Kombëtare e Hapësirës në Kinë e ka zbarkuar një anije kozmike, Chang’e 4 në pjesën e pahulumtuar më parë të Hënës, e cila është pjesa më e madhe, më e vjetër, më e thella në sipërfaqen e Hënës.

Lajmet fillestare për këtë zbarkim shkaktuan mjaft ngatërrime pasi që mediat shtetërore kineze, China Daily dhe CGTN, pasi raportuan për këtë zbarkim, i fshinë të gjitha lajmet vetëm disa minuta më vonë.

Dy orë më vonë erdhi konfirmimi zyrtar për këtë arritje nga CCTV-ja, e cila raportoi se anija kozmike zbarkoi në orën 3:26 të mëngjesit. Ky mision pati qëllim që t’i bëjë matjet e para të detajuara të sipërfaqes së Hënës se përbërjes minerale të kësaj hapësire.

Kjo pjesë e Hënës, e njohur si “Pellgu i Aitkenit” thuhet se është formuar gjatë një përplasjeje gjigante në fillimet e historisë së Hënës. Pasi që kjo përplasje mendohet se ia largoi një pjesë të sipërfaqes, hulumtuesit tani mund t’i fillojnë hulumtimet për ta kuptuar se si është formuar ky satelit natyror.

Eksperti nga Instituti i Politikave Strategjike të Australisë, Malcolm Davis, thotë se kjo arritje tregon për rritjen e vazhdueshme të Kinës si një superfuqi.

“Këtu janë të përfshira shumë aspekte gjeopolitike dhe astropolitike, nuk është vetëm një mision shkencor. Kjo ka të bëjë me ngritjen e Kinës si një superfuqi. Ka shumë entuziazëm për këtë program në Kinë. Aty ka shumë nacionalizëm dhe popullsia e sheh rolin e Kinës në hapësire si një pjesë kyçe për ngritjen e tyre”, ka thënë Davis.

Zbarkimi i anijes Chang’e 4 është vlerësuar edhe nga administratori i NASA-s, Jim Brindestine, si një arritje mbresëlënëse.

“Urime për ekipin e anijes Chang’e 4 të Kinës për atë që duket si një zbarkim i suksesshëm në pjesën më të largët të Hënës. Kjo gjë po ndodh për herë të parë në historinë e njerëzimit dhe është një arritje mbresëlënëse”, ka shkruar Brindestine në Twitter.

Fotografi të kësaj pjese të Hënës janë publikuar edhe më parë, mirëpo askush nuk ka arritur me sukses të zbarkojë në këtë sipërfaqe. Kjo arritje është një hap i rëndësishëm për Kinën, pasi që ajo synon të bëhet një superfuqi për eksplorimin e hapësirës, së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusinë.

Eksperti australian, Davis, thotë se këto ambicie të Kinës janë të shtyra nga shumë faktorë të ndryshëm, përfshirë këtu edhe dëshirën për dominim ushtarak në hapësirë dhe dëshirën për zotërimin e burimeve të pasurisë përmes asteroideve.

“Kina ka qenë shumë e qartë për këtë gjë. Ata e kanë krahasuar hënën me Kinën e Jugut dhe Tajvanin, asteroidet me detin e Kinës së Lindjes. Ata janë duke e bërë një krahasim të qartë gjeopolitik me atë që po ndodh në hapësirë dhe ne duhet të jemi të vëmendshëm”, është shprehur Davis.

Loading...
Të ngjashme

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.