Një milionë lekë rrogë nuk mjafton!

Nga Dritan Brakaj

Nëse punon në Tiranë prej disa vitesh si inxhinier (apo një profesion tjetër të ngjashëm) gjasat janë që merr 700 000 deri në 1 000 000 Lek (te vjetra) neto rrogë mujore. Le te themi që merr maksimumin, 1 000 000 Lek.
Nëse ti ke disa vite që punon (p.sh. 10 vite) gjasat janë që ke dhe një familje me dy femijë dhe bashëkshorten.
Nese nuk ke trashëguar një shtëpi nga prindërit ti paguan qeranë ose kredinë me siguri; supozojmë që paguan qeranë.

Le të fillojmë të bëjmë bilancin ekonomik nga data 1 e muajit sapo ke marrë rrogën.
Dita 1: More rrogën, 1 000 000 Lek. Super!
Para se të dalësh nga shtëpia për në punë duhet të sistemosh fëmijët; njërin e nis për në kopësht, tjetrin e lë në shtëpi me dado. Kështu bën shumica pasi kushtet dhe oraret e kopshteve shtetërorë janë krejt të pa-përshtatshme. Kopështi privat kushton mesatarisht 200 000 Lek në muaj me gjithë transport, po aq kushton edhe dadoja pak a shumë. Pra iken 400 000 Lek që në mëngjes.
Nëse ti punon në një firmë te vogël që nuk ta garanton transportin (dhe shumica e firmave dihet që janë të vogla) gjasat janë që ti përdor makinën tënde. Për të përshkuar Tiranën mes përmes në orarin pik duhen rreth 45-60 minuta mesatarisht dhe nëse ke një makinë të vjetër (si shumica) me motor mesatar ajo harxhon mesatarisht 5000 Lek për këtë rrugë; shto edhe rrugën e kthimit bëhen 10 000 Lek karburant në ditë. Nëse firma jote respekton Kodin e Punës së Republikës së Shqipërisë atëhere ti punon 20-21 ditë në muaj, pra ti harxhon rreth 200 000 Lek karburant në muaj.

Nëse ti paguan qeranë diku më afër periferisë se sa qendrës, për nje apartament 2+1 pjesërisht të mobiluar atëhere ti paguan rreth 300 000 Lek.
Dita 2. Supozojmë që në ditën e dytë vijnë faturat (ujë, drita, mirëmbajtje pallati, etj).
Në Tiranë një familje e vogël si kjo që po analizojmë harxhon mesatarisht 20 000 Lek ujë Ujësjellësi, 50 000 Lek energji elektrike, 10 000 Lek gaz, 10 000 Lek mirëmbajtje pallati. Total 100 000 Lek në muaj utilitete, pa përfshirë telefon dhe internet.
Le ti mbledhim shpenzimet derimë tani:
200 000 + 200 000 + 200 000 + 300 000 + 100 000 = 1 000 000 Lek
Ups! Që në ditën e dytë mbaruan Lekët e muajit dhe nuk kemi folur ende për ushqim, veshmbathje, spital e ilaçe, etj. Nëse nuk ke të ardhura të tjera, ti je i falimentuar qysh në fillim. Nëse bashkëshortja punon dhe të ardhurat e saj janë të mjaftueshme për të mbuluar konsumin mujor të familjes plus shpenzimet për doktorë e ilace atëhere jeni me fat.

Pra nga 30 ditë që ka muaji, vetëm dy ditë duhet te jetojmë, sipas qeverisë, ndërsa 28 ditët e tjera duhet të ngrijmë (mos të konsumojmë asgjë).
Kjo është tabloja ekonomike e nje familje të shtresës së mesme në Tiranë, sot e disa vjet.
Prandaj nje numër i madh familjesh shkatërrohen, shumica e inxhiniereve dhe mjekëve ikin ose kërkojnë të ikin nga ky vend. Prandaj shkalla e divorcit ka arritur shifrat më te larta ndonjëherë me shkaktar kryesor ekonominë. Prandaj depresioni dhe vetëvrasjet janë fenomene gjithnjë e më të shpeshtë.
Prandaj duhet që të flasim me njëri-tjetrin për këto probleme dhe te bashkojmë zërat derisa zëri ynë të çohet ne kupë të qiellit e t’u buçasë fort qeveritarëve.
Përse të prishet familja ime, familja jote? Le të prishet rehatia dhe qetësia e atyre qeveritarëve që paguhen nga taksat tona pikerisht për të na garantuar balancë ekonomike e qetësi sociale që të mund të punojmë e jetojmë te qetë.
Ne duhet të kuptojmë që vendi ynë nuk është i varfër përkundrazi është shumë i pasur, është në krye të listës për pasuri natyrore për frymë në Europë. E përkundër kësaj, sistemi ynë politik ja ka dalë ta rendisi vendin tonë në fund të listës për të ardhura për frymë në Europë.

Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që nuk jemi të varfër por jemi të vjedhur. Jemi të vjedhur dhe të mashtruar madje. Shikoni raportet vjetore të Kontrollit të Lartë të Shtetit; përvit raportojnë miliarda Lek shkelje dhe abuzime. Vetëm për vitin 2018 KLSH raporton 193 000 000 Euro dëm ekonomik dhe 1.7 miliardë Euro ishte vlera totale e projekteve të afektuara.
Ja pra përse rrogat tona nuk rriten. Ja pse ne mbetemi të varfër.
Ti sot e ke një mundësi të flasësh e ta çosh zërin tënd lart, ke Nisma Thurje që ka marrë angazhim të grumbullojë firmat e nevojshme për të ndryshuar sistemin zgjedhor me lista të mbyllura i cili ka prodhuar këtë sistem shtetëror.
Për këtë na duhet ndihma jote. Nëse ti e identifikon veten më sipër, mos nguro, firmos Peticionin për ndryshimin e kodit zgjedhor TANI. Mund ta bësh online te www.nismathurje.al ose në një nga stendat tona që janë prezente në Tiranë dhe në shume qytete të tjera.
Kur ne bashkohemi ata dridhen! Eja, bashkohu për veten, për familjen tënde!

Loading...
Të ngjashme

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.