‘Na keni ça k***n’

Nga Briken Fejzullai*

Dy fjalë zemre, nga shpirti!

Keni 30 vjet, që i pasoni prona e pushtete njëri-tjetrit!
Të majtë, të djathë e të mesit (që anojnë gjithmonë, nga ndonjëri krah).
Keni 30 vjet që blini vota e deputetë, bashkë me shpirtra njerëzish.
30 vjet, që grabisni si të babëzitur… me arrogancën e kujt, ka blerë që në krye të herës drejtësinë e bashkë me të, edhe detyrimin për të paguar me burg përçudnimin dhe përdhunimin që i ka bërë këtij vendi.
I keni “sistemuar” gratë, burrat, fëmijët, të afërmit madje edhe dashnoret, në pozicionet më të mira të institucioneve shqiptare.

Keni blerë vota me “cash”, me thasë mielli, me karta telefoni e me xhinse.
TË GJITHË JU!
Kujtoni se nuk i dimë palaçolliqet që bëni, çdo herë kur vijnë zgjedhjet?!

Po si nuk mendoi kurrë dikush nga ju, për pleqërinë e prindërve tanë… për shkollat e fëmijëve tanë… për spitalet tona?!
Po në fund të fundit, përse të mendoni xhanëm?!
Pleqërinë, e keni “sistemuar” (me miliardat që vodhët).
Për të shkolluar; fëmijët, i çoni nëpër shkollat më të mira të botës (me miliardat që vodhët).
Për t’u kuruar; Turqi, Itali, Gjermani, Austri…(me miliardat që vodhët).

Por sot, po kaloni në komplet, tjetër nivel!

Jo se nuk janë blerë ndonjëherë media e “gazetarë”, por sot e bëni ditën për diell, haptaz e pa pikë turpi.
Jo se nuk janë blerë ndonjëherë “artistë”, por sot e bëni ditën për diell, haptaz e pa e skuqur surratin.
Jo se nuk janë “fiksuar” ndonjëherë tendera, por sot i jepni, përpara se t’i kërkojë kush, nën siglën që keni aq për zemër “PPP”.
Jo se nuk janë blerë ndonjëherë vota, por sot e bëni ditën për diell, pa e rruajtur trapin hiç.

Një Mbret i marrë dhe “puthadorët” e tij, që çojnë një vend të tërë, drejt abisit.
Ja ç’është Shqipëria sot!
Nuk ju mjaftojnë shpërdorimet e abuzimet e pafundme në miliona euro për tangërlliqet tuaja, por keni 6 muaj që vazhdoni e harxhoni paratë e një populli që po shkon drejt skamjes, nëpër fushata donkishoteske, duke “luftuar” të vetëm pa kundërsharë, me mullinjtë e erës.
Keni 6 muaj që keni krijuar një opozitë prej letre, ndërkohë që vazhdoni të organizoni mitingje me fjalë boshe duke u “kinse” kërkuar vota atyre, të cilëve ua keni marrë tashmë me detyrim; e bashkë me votat, edhe dinjitetin, duke i nxjerrë me dhunë si spektatorë në shoë-et e dala boje që organizoni, nëpër sheshet tuaja “koreano-veriore”.

S’keni lënë të dobët pa kërcënuar e pa i treguar dhëmbët, ndërkohë që ulni brekët e u përkuleni 90 gradë “ujqërve” të këtij vendi, të cilët vendosin de facto edhe kush, do jetë ministri i kujt ministrie.
S’keni lënë ambasador të huaj pa i trashur qafën me gjakun e shqiptarëve, për t’i përdorur më pas, si garantues demokracie në një vend ku diktatura tashmë po instalohet (Shpresa e vetme që kjo të mos ndodhë, është ambasadorja e re e USA, në Tiranë).

Ju është katandisur fushata, në projekte “KimJongUn-jane” 3D dhe në llogje pazari, barsaletash, thashethemesh, batutash bajate e falli filxhani, njësoj si ato llaxoret që natën e marrin në gojë, ndërsa ditën, marrin nëpër gojë.

E tallni trapin me këtë popull, mëngjes, drekë, darkë; e kështu nga fillimi… por nuk do të jetë e largët dita, kur t’ju zënë haqet e mallkimet e fukarenjve të cilët përbuzni krejt arrogancë e fodullizëm.
Personalisht, uroj me shpirt që të paguani ju, e jo fëmijët tuaj… se që do paguani, do paguani si Çeço. Përballë njerëzve apo përballë Zotit, sepse Karma nuk është kurvë.
Është drejtësi hyjnore!

Tani, për të mos u zgjatur se jemi edhe kështu, si biçim prag votimesh… një sugjerim kisha unë, për punonjësit jo militantë të administratës:
Meqënëse këta janë kaq bastardë, sa ju kërcënojnë me bukën e gojës nëse nuk votoni; kthejuani bastardllikun mbrapsht, duke shkruar qartë, të zezë mbi të bardhë mbi fletën e “zgjedhjeve” me TEK kandidat, katër fjalë, në “rilindisht”:
NA KENI ÇARË K*RIN!

*Ish-kryebashkiaku i natës në Bashkinë e Tiranës

Loading...
Të ngjashme

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.