M’u dhimbs Ulsiu me kominoshe e kasketë kamionistësh tek mua ankua: Rama na ka hequr të drejtën të mendojmë, të këndojmë, të reagojmë…

AGRON GJEKMARKAJ Agron-Gjekmarkaj

Më kishin paralajmëruar disa miq me dorë në zemër: Lëre këtë vit, mos e bëj kronikën e verës se do i hapësh vetes punë. Se çfarë nuk ka ndodhur në këtë kohë të mbrapsht! Armiqësitë e meritë do të rrethojnë. Ngjarjet dhe personazhet rendin kush të fitojë më tepër vëmendje. Ca do t’i lësh jashtë, të tjerë do fusësh e të dyja palët, për arsye të kundërta do mërzisësh. Do të këqyrin vëngër, do të mallkojnë si haram.

Kazani vlon dhe kadrinjtë ngrohen rreth prushit, që djeg trungjet e Rilindjes. Dako dhe Valdrini janë të mërzitur.

 

 

Tani hajde nxirr sytë. I pari u ankua miku im hebre “nuk qenke njeri, por katran”, psherëtiu e la me të shpejtë Prishtinën, mblodhi çaklat dhe nëpër natë zu të parën balonë që e nxirrte jashtë Kosove. Tani është fshehur në një bodrum të Brukselit dhe s’andejmi, për pak ajrosje del veç kur nata fillon e lëpin hapësirën. Shëtitjet i bën pa portofol në xhep dhe mendon si të ndërtojë fabulën e varfërisë kur të kthehet prapë në Tiranë, se sa herë paguan ndonjë drekë të crrolët e të vakët, i shkurtohet një vit jetë. Bardhyl Londo u tregua shpirt njeriu, zengjin i vërtetë! Lëre evlat,- tha,- ma ke gjetur zemrën. Në “Kotorre të reja” tha do shkojmë bashkë kur të kthehesh, i hipim “Migjenit” e ta pimë nga një but se na plasi shpirti nga myteberitë që shohim e dëgjojmë! Do zoti deri atëherë s’na grabit njeri Erjon Braçen për punë faturash dhe informaliteti, siç bëri Halili me Tanushën e Kralit, se pastaj kërcet dyfeku. Me hanë duart për beteja patriotike, sokëlliu në anën tjetër të tel. e mbi divanhane u rehatua si Ali Pashai me nargjile.

Persida Asllani po ashtu, kur bast nuk mund të vihej në do triumfonte bujaria apo kopracllëku mjaft mirë, si rob zoti, ndaj kërkesës për petulla e mjaltë u soll! Menjëherë tha, miellin e kam porositur në Prizeren, ndërsa ne kufijtë veriorë dhe jugorë kam dërguar lajmës për të gjetur mjaltë safi me nektar nga lulet e gështenjave.

Aman, veç të mos ketë sheqer si fotot që boton Kryeministri me objektet që restaurohen me paret e veta, të ndara nga rroga e kursimet e pakta që mezi i ka mbledhur, siç janë ato të operës, i thashë, pa ani. Shpirt njeriu! Pa merak,- dha garanci,- e madje ç’të mbesë nga pogaçja mund ta hash i ulur te shkallët e Filologjikut me qypin shtrënguar mes këmbëve deri në sosje, më sugjeroi. M’u ndez imagjinata! Me qypin mes këmbëve në shkallare dhe lugën, që fap e rrasja në të dhe e nxirrja pa të keq e drejt e te bulçinjët e gjuhën e mendoja të mbështjellë me mjaltë zgjoi. Krejt siç bën Kryeministri me buxhetin e shtetit, ku e shtrëngon fort, fut garuzhdën dhe e përzien, ha sa të dojë vetë sa t’i nginjet plëndësi, i jep kujt të dojë, PPP, rrugë floriri siç pat thënë dhe deputetja Tabaku para se të behej me djalë, që e pastë me jetë të gjatë, e të tjerëve u nxjerr gjuhën dhe u thotë ngrohuni në diell more edepsëzër!

Nuk po dimë më si të sillemi. Inxhinieri deri para pak kohësh zemërmirë, Bernard Banushi, në bisedë e sipër desh më bëri gjëmën. Po kritikoja Bashën me ëndje për do punë, kur u çua vrik shkoi te makina dhe erdh s’andejmi me një revole me dy grykë të lara në serm, si ajo e Zenel Gjolekës dhe më vikati në vesh: E sheh këtë? – Po, ju gjegja! Për nur të Allahut tha, po e shave më kryetarin t’i hedh trutë në erë sa hap e mbyll sytë. Përballë atij kërcënimi m’u prenë gjunjët. Jo bre, kurrë më i thashë dhe ai u bë pluhur teksa ikte me tërbim. Pas kafes së gabuar të Blendi Klosit me Fahron, ku plasi potere e jerm i madh se duheshin ndarë njëherë e mirë miqtë nga armiqtë, nuk është e lehtë të takohesh më si dikur me kundërshtarët.

Darkën e fundit që hëngra me Musa Ulqinin dhe Ulsi Manjën para se t’ia behja në Itali, e stisëm me të tretë! Unë shkova një orë përpara në lokal dhe hyra nga derë e pasme, brigjeve të Erzenit. Ata nuk njiheshin kur u shfaqën brenda.

Ulsiu kishte veshur kominoshe dhe kasketë kamionistësh, ndërsa në fytyrë kishte vënë dy njolla vaji! Një taterr që parkoi në oborr kishte qenë e tij. Ndërsa Musai, që ka lexuar shumë për ilegalët, mustaqe të dendura, syze me skelet të trashë, një republika mbi krye, ndërsa në dorë shtrëngonte një çantë nëntëqindëshe.

S’i njoha derisa u prezantuan. Ç’ka ngjarë, i pyeta me ankth? Lëre vëlla, thanë njëzëri, se e ka marrë ferra uratën. Edi Rama na ka depersonalizuar, na ka hequr të drejtën të mendojmë, të këndojmë, të reagojmë dhe më e keqja, ne të gjithë pranojmë! M’u dhimbsën, sidomos Ulsiu, që ka mbi supe edhe Reformën në Drejtësi, për të cilën ishte i bindur që është paçavure politike. Në fund, para se të ndaheshim, futi dorën në një çantë me vegla makine dhe së andejmi nxori dy bombola me gaz. Po këto, ç’i ke? – pyeta. Peshqesh tha, nga miku yt Sandër, se ashtu janë do punë e s’ mundi të vinte, mirëkuptoje. Po m’u lut shumë që t’i sillja se tha s’di ç’të bëj tjetër për të me kaq shumë pushtet që kam e nuk ia theva zemrën. Mbeta shtang, po edhe u gëzova që nuk më kishte harruar!

Andej nga PD-ja ka zëra që pohojnë se Gaz Bardhi paskësh deklaruar që, veç kur të libronet Shqipëria nga thundër e Rilindjes do ta rruajë mjekrën, madje në të thatë fare. Enno Bozdos i kishte rënë zali prej emocioneve! Ndërsa Aldo Bumçi, për befasi dhe maraz të lezhjanëve, kishte refuzuar monumentin që populli i Lezhës paskësh dashur t’i ngrinte për shërbimet që i ka bërë. Ai ua ka thyer zemrën, ka refuzuar, kështu lexova në një portal, në mos qoftë lajm i vjetër. Po Nepi, ku prehet vallë në këtë muaj qetie e pushimesh, apo ata shejtanër të burgosur me grevat e tyre ku lypin miradina ia kanë shtyre vakancat? Mos bëfshin hajër, tani e gjetën të protestojnë maluketërit!!! Mos, Kujtim Gjuzi si lider i opozitës së re organizon kryengritje e zezona kësodore për të tronditur themelet e rendit demokratik? Mbase! Por Nepi s’e meriton këtë.

Di që kronika brenda meje nuk vdes kurrë. Edhe kur e qëllojnë, ajo rri në këmbë si komunistët te filmat e Kinostudios, por vazhdimin e saj e vendos lexuesja dhe lexuesi i mërzitur me kumtet solemne dhe krypjen e mendve. Deri atëherë, rrini në pritje, rixha ju kam, nëse Teatri i Kryeministrit do mundë teatrin e vërtetë dhe fantazinë tonë!? Kur të na tredhë edhe fantazinë, atëherë ka korrur fitoren përfundimtare. Deri atëherë, ka ende kohë./ Panorama

Loading...
Të ngjashme

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.