Mos u habisni, e kishte të vetmin premtim elektoral

- Kryesore, Statusi Publik
0

EDI LESI

Kapja nga Edi Rama e gjithë institucioneve që nuk janë degë e qeverisjes, si Prokuroria, organet e drejtë- sisë, Federata e Futbollit, akademi e institute, çdo zyrë që ka sipas rastit shumë ose pak pushtet, është revoltuese, por aspak e habitshme apo e papritur. Ky ishte premtimi i tij elektoral. I vetmi premtim, në fakt, dhe ndoshta i vetmi që po e mban qysh se u zgjodh Kryeministër për herë të parë. Kur tha dua timonin, Rama nuk po kërkonte policinë gri të kamionëve.

Atë policinë gri, që ishte bërë tmerri i Shqipërisë, rajonit dhe më gjerë, sipas tij. Të tjera kishte në mendje. Nuk po më- tonte qeverisjen thjesht, në kuptimin e ekzekutivit, të cilën e kishte. Sepse për katër vite, pati absolutisht nën kontroll të plotë policinë, financat, ushtrinë, çdo gjë që është ashti mes legjislativit dhe gjyqësorit. Nuk donte t’i shtonte sqetullave të dhjamosura me pushtet, ca zyra banale aleatësh, që ishin kthyer në burimin kryesor të së keqes në vend e po mbanin peng integrimin europian, e që sipas tij, ishin arsyeja pse punët s’po shkonin mirë.

Ndoshta në një prej momenteve më të sinqerta të jetës së tij politike, ai nxori zbuluar shtresa të errëta të nënndërgjegjes, kur tha dua gjithë timonin, pra, kërkoi gjithë pushtetin në vend.

Edhe si metaforë, timoni është kontrolli i plotë mbi tërë makinerinë, drejtimi i saj sipas interesave, qejfeve dhe trilleve të shoferit.

E para ra Prokuroria. Në krye dukej si çmenduri dhe jo pak vetë mendonin se s’kishte për ta bërë këtë shkelje jo vetëm të Kushtetutës, po dhe të asaj tradite modeste në shtetbërjen e këtyre 27 viteve.

Thelbi i Reformës në Drejtësi, tamtamizuar me të madhe, mbi të cilën shpiku edhe armiqtë që i duheshin, binte ndesh saktë- sisht me atë çka ai dëshironte në të vërtetë, me timonin.

Një prokuror i reformës ishte rrezik potencial për t’i hequr patentën.

Dhe ja ku kemi. Përfytyroni një Prokurori, që kryesisht duhet të ketë në vëmendje e hetim qeverinë e aferat e saj, por sot, nuk është aspak çudi që dërgon për konfirmim te Rama dhe deklaratat për shtyp.

Prandaj, zyrat e tjera janë thjesht çështje kohe. Nëse i ka vënë syrin Federatës së Futbollit, është e sigurt që edhe ajo ka hyrë në rrugën pa kthim të transformimit në agjenci kryeministrore.

Ka dorën e fortë dhe besnike në sistemin banker.

Luzmën e shoqërisë civile, skifterë grykës ndaj opozitës, por pula fushe para Ramës.

Çdo media që ai do, se i mëkon ose shantazhon sipas rastit. Sipërmarrjen private nga taksitë te ndërtimi.

Gardhet metalike që mbijnë çdo ditë mbi trojet më të shtrenjta.

Njollat në bregdet.

Kudo ai ka një zgjatim dhe atë që e njohim për vatan, është sot, veçse një pronë e madhe e Kryeministrit.

Ti mund të dallosh nja dy tre ambiente joqeveritare, ndonjë fakultet filologjik, ca pak zëra me integritet në studio e shtyp, dhe shpresa është që morali dhe etika, qëndresa parimore, ta kthejnë mbrapsht ambicien e tij të çartur, nëse një ditë synon të fusë brenda sinorëve edhe Kishën e Xhaminë. Dhe sigurisht, nuk ka ç’t’i bëjë “Facebook”-ut, ende s’ia ka gjetur anën.

A do ta votonin shqiptarët një projekt të tillë, a do votonin me 25 qershor, që pas 27 vitesh të ktheheshin te një sistem autokrat, ku gjithë pushtetet i ka një njeri?

Çdokush dhe mbarë bota e di që jo. E ka thënë edhe zyrtarisht institucioni i zgjedhjeve, OSBE, që është shprehur e shqetësuar për shitblerjen e votës.

Edhe Edi Rama vetë, që nanuriste këtë ëndërr të çmendur, e dinte se me vullnet të lirë, qytetarët s’do ia jepnin gjithë pushtetet. Kjo është arsyeja pse u tronditën tregjet në vend e kursi i euros u fut në lavjerrës të marrë ato ditë të nxehta qershori, teksa vota blihej si në pazar të Milotit.

Duheshin shumë para, e për më tepër, edhe përmbaruesit e duhur që ta çonin në fund projektin, organizatat e tjera të rëndësishme në vend, ato të krimit e drogës, që dihasin dhe ato në sqetullat obeze të një Kryeministri pa cak.

A do ta mbajë dot këtë baule të rëndë paraje e force me pushtet, zyra e institucione, grumbulluara të gjitha në një, ndërkohë që këmbët hollohen çdo ditë në një terren të plasaritur varfërie, skamje e pabarazie të thellë sociale?

Më 27 janar vjen testi i parë.p

Facebook Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *