Ministrja Balluku: Air Albania së shpejti me dy avionë të rinj, emrat e tyre, “Elisa Spiropali”, “Nard Ndoka”, ose “Rudina Hajdari”

Sot në mesditë, zonja Meri që sheh yjet, zhvilloi një bisedë të shkurtër, në formë interviste, me ministren e Energjisë dhe Infrastrukturës,  Belinda Balluku, për shoqërinë “Air Albania”, që mbulohet me aeroplanë të ardhur nga Turqia.

Për të realizuar këtë bisedë, zonja Meri që sheh yjet, mori me qira për 30 minuta, studion e intervistueses me famë ballkanike, Rudina Magjistari.

Ja pak a shumë kjo intervistë:

Zonja Meri që sheh yjet: Zonja Ministre, zonja Balluku, faleminderit shumë, shumë faleminderit, që në këtë kohë të madhe pune, pranuat këtë intervistë! Si shkon puna me kompaninë shqiptare “Air Albania”? Ku fshihet suksesi kaq i madh i kësaj kompanie?

Ministrja Balluku: Sigurisht që suksesi qëndron tek puna e madhe, por mbi të gjitha, ky sukses i dedikohet veçanësisë së kësaj pune, mënyrës si është krijuar kjo kompani.
Më ndiq me kujdes zonja Meri! Në këtë rast, ne nuk kemi krijuar një kompani klasike, të rëndomtë, ashtu siç bën bota që ble avionë, me buxhetet e veta. Një kompani e tillë, jo vetëm që nuk na duhej, por ne nuk e krijonim dot as për njëmijë vjet. Ne kemi bërë një zgjidhje shumë të shpejtë, vërtet të padëgjuar ndonjëherë, por shumë shumë praktike. Konkretisht ,ne thjesht marrim me qira avionë të shoqërisë “Turkish Airlines”. Ata janë një shoqëri e madhe dhe kanë avionë sa të duash. Ne i marrim, paguajmë qiranë që ata duan, i ngrejmë aeroplanët në ajër, me emrin tonë “Air Albania”.  Është thjesht një mardhënie pune, një qiramarrje, përshembull siç merret një charter, me procedura shumë të thjeshtëzuara.

Zonja Meri që sheh yjet: Ua sa bukur ju ka shkuar në mendje! Edhe “Air Albania”, edhe “Turkish Airlines”, edhe charter me qira. Ua, ua ua! Po mirë, zonja ministre, kush u kujtua që aeroplanëve të Turqisë, t’ju vendosen emrat e poetëve të Shqipërisë? Kush e hodhi këtë ide të madhe? Përse nuk vendosët përshembull, emra piktorësh? Se udhëheqësi ynë, Edi Rama, është vetë piktor…

Ministrja Balluku: Pikërisht fakti që udhëheqësi ynë është piktor, na detyroi që të mos ju vendosim avionëve emrat e piktorëve. Nëse do të vepronim kështu, do të vinte koha, që njëri nga avionët të merrte emrin Edi Rama dhe nuk do të ishte mirë, më kupton? Do të ishte, jo vetëm konflikt interesi, por do të dukej sikur po krijonim edhe kultin e individit. Udhëheqësi ynë, siç e ke parë edhe ti, e urren këtë kult.

Zonja Meri që sheh yjet: Dakord, dakord, e kam parë, po për emrat e poetëve kush u kujtua?

Ministrja Balluku: Vetë udhëheqësi ynë, zoti Rama, u kujtua. Le të jenë poetët tha, s’ka më mirë se poetët për këtë punë. Mendja e tyre gjithë jetën ka fluturuar dhe tani le t’ju fluturojë emri mbi avionët e Turqisë.

Zonja Meri që sheh yjet: Sa bukur! Zonja Balluku, do të vazhdoni më me emra poetësh të tjerë?

Ministrja Balluku: Jo, sepse Turqia nuk do të na jepte gjithë flotën e vet të aeroplanëve me qira. Ju e dini, i gjithë populli këtu te ne, është poet, kështuqë, pas Naimit, ndërpritet gjithçka. Kemi bërë marrëveshje, që të marrim edhe dy avionë të tjerë, pra gjithësej pesë. Por, siç thashë, në këta dy të fundit nuk do të përdorim emra poetësh. Pas një rrahje të gjerë mendimesh, ne vendosëm, që avioni i katërt dhe i pestë, të marrin emrat e dy politikanëve shqiptarë, një nga mazhoranca dhe tjetri nga opozita.

Zonja Meri që sheh yjet: Keni vendosur cilët do të jenë emrat?

Ministrja Balluku: Po, kemi menduar dhe vendosur. Nga pala jonë, është votuar unanimisht që aeroplanit numër katër,  t’i vendoset emri Elisa Spiropali, i shkruar thjesht Elisa. Ndërsa nga opozita, për shkak se nuk jemi ne që vendosim, vazhdojnë bisedimet.
Opozita e rrugës mendon që në avion të vendoset emri i kryetarit aleat, Nard Ndoka, i shkruar thjesht Nardi, ndërsa opozita e re, mendon dhe i ka kërkuar ndihmë edhe OSBE-së, si edhe zotit Palmer të Amerikës, që në aeroplanin e pestë turk, të flotës “Air Albania”, të vendoset emri i Rudina Hajdarit, shkurt Rudina.

Zonja Meri që sheh yjet: Dhe kur përfundon ky proces përzgjedhës?

Ministrja Balluku: Çështje orësh dhe më e rëndësishmja, që do ta deklarojë vetë në një konferencë shtypi, udhëheqësi ynë, Skënderbeu, domethënë Edi Rama,  është menduar që aeroplani me emrin Elisë, të ngrihet dhe të rrijë përgjithmonë lart.

Zonja Meri që sheh yjet: Uaaaa, po kjo është gjeniale zonja Balluku. Me këtë rast ju lutem shumë ju dhe Rilindjes, a mund të gjendet në aeroplanin Elisë, edhe një vend për mua? Duke ikur lart, afër yjeve, do të kem fatin, t’i lexoj dhe shpjegoj ata edhe më mirë…TPZ.al/ Tej e këtej

Loading...
Të ngjashme

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.