Mbi miqësinë

Nga: JETA DEDJA

“Po dal me një shoqe për kafe. E kam lënë me një shok për një birrë! Do shkoj me shokët në kinema”

Sa rëndësi marrin miqtë në jetën tonë? Nuk janë të rëndësishëm vetëm për kohën e lirë, të jemi të qartë. Por ata janë pjesë me rëndësi e jetës dhe zhvillimit tonë. Siç thotë një shprehje “familjen nuk e zgjedhim, por ama shoqërinë e kemi vetë në dorë”, do të thotë se miqësia ngrihet mbi vullnetin e lirë të palëve. Ne jemi qënie sociale dhe si të tilla kemi nevojë të ndjejmë se i përkasim një grupimi shoqëror e të ndihemi të vlerësuar nga njerëzit që mbajmë afër. Miqtë e ngushtë ndajnë me njëri-tjetrin përvojat, ata jetojnë jetën e njëri-tjetrit në njëfarë kuptimi. “Sapo dikë e ke futur në jetën tënde, mos e përflit më poshtë e lartë, mos e gjyko, pranoje sic është dhe foli hapur”– thoshte me pak fjalë Seneka. Zakonisht dy miq të mirë i bashkojnë këndvështrimet e ngjashme mbi jetën, vlerat, normat, dhe shkojnë më shumë kur vinë nga histori dhe tradita të ngjashme familjare e kulturore. Miqtë e mirë janë dëshmitarë përgjatë viteve të rritjes së fëmijëve reciprokë. Ata kanë festuar së bashku ditëlindje e diplomime. Kanë marrë pjesë në celebrime a lindje fëmijësh. Orë të pafundme mund të jenë rregjistruar në telefonat e tyre edhe kur nuk kanë patur mundësinë e pirjes së kafes apo të takimit kokë më kokë. Miqtë e mirë janë ata që tolerojnë e të qëndrojnë pranë edhe në ditë të zeza. Miqtë e mirë të mos i ngatërrojmë me ata që na lajkatojnë në ditët më të arta tonat.

Aftësia për të zënë shokë edukohet në fëmijërinë e hershme. Atëherë kur prindërit të thonë: “Zure ndonjë shoqe në kopësht? Mos i gjuaj shokut, pajtohu me shoqen, jepi dhe shokut, luaj me shoqet”. Kështu fëmijët mësojnë të ndërveprojnë edhe pas një zënke për një top, edhe pas një humbje në një lojë. Ata mësohen të përshtaten me njëri-tjetrin, të pranojnë dallimet, të mos presin tjetrin të ulë hundën i pari meqënëse është ndonjë vit më i vogël. Dhe kështu mësojnë të zënë e ti mbajnë shokët/shoqet. Këto episode kalimtare në dukje në fëmijëri, janë aq të rëndësishme për jetën në fazat e tjera moshore. Nëse dikush arrin të përthithë mesazhet pozitive të prindërve apo të ketë kuptuar vetë që herët se sa vlerë ka një mik, atëherë do të dijë të njohë dhe vlerësojë miqësinë e vërtetë. Do ta ketë më të lehtë të përballojë ditë të vështira që do ti duhet të kalojë ndonjëherë në jetë. Lumturinë njeriu edhe mund ta shijojë në vetmi. Apo vetëm me një njeri. Ndërsa trishtimin, ka nevojë për miq.  Njerëzit që kanë miq raportohet se kanë më pak probleme të shëndetit mendor dhe emocional sesa ata që zgjedhin të rrinë me veten.  Prandaj është e nevojshme që miqësia të kultivohet edukohet dhe ushqehet përgjatë viteve. Edhe nëse vitet apo distancat bëhen shkak për ndarjen nga miqtë e vërtetë të hershëm apo të mëvonshëm, u duhet thënë disa herë faleminderit mediave sociale që mundësojnë ribashkimin. Rilidhjet përmes këtyre mediave ndonjëherë nuk janë  varkë  shpëtimi për vetminë, por disa herë kanë ndihmuar miqësi të bukura të rigjehen. Ashtu siç edhe nga ana tjetër shërbejnë për ti mbajtur sa afër, aq edhe larg. Sepse media sociale nuk e zëvendëson dot kurrë ndërveprimin ballë për ballë.

…Pothuajse çdo ditë në një nga baret ku unë pi kafen, ndodh të jenë në tavolinat pranë të njëjtët grupe njerëzish. Më simpatiku prej tyre janë disa gra të moshuara, pensioniste. Ato dallohen që janë shoqe prej shumë vitesh. Dhe sa të këndshme që janë. Shprehjet e fytyrës së tyre janë ato që unë adhuroj. Ngrysen, qeshin, habiten, nervozohen, tremben, lumturohen brenda një kohe të shkurtër. Janë si fëmijë. Dhe kur ndonjëra prej tyre largohet për pak çaste, të tjerat e presin në heshtje që ajo të mos humbë asgjë nga biseda. Askush prej tyre nuk flet. Kjo është mahnitëse…

Këto ia tregova shoqes sime, për të cilën më merr malli kur nuk takohemi në ndonjë ditë të javës, për ti thënë se miqësia e vërtetë është vërtet një nga gjërat më të bukura në jetë !

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.