Lëreni Edin të pushojë!

Andi Bushati

Ndërsa Edi Rama ka nisur pushimet, të gjithë opozitarët e tij i kanë filluar një proces në mungesë për dy nga temat madhore që po zaptojnë këto ditë titujt kryesorë të shtypit.

Disa i kërkojnë llogari për ngjarjen makabre të Selenicës, për faktin se vazhdoi vakancat i qetë, për postimet që bëri pas saj në Facebook, e kështu me radhë. Në krye të frontit të këtij sulmi janë vënë kryesisht figura qëndrore të LSI-së, të cilët përditë e më shumë e shohin si dekoratë për opozitarizmin e tyre, kritikën e kryeministrit, për çdo gjë dhe me çdo kusht.

Aq të fiksuar janë në shigjetimin e kryerilindasit sa shpesh ngjajnë me atë personazhin e anekdotës së Vlorës së vitit ’97 që edhe kur kapi gruan duke e tradhëtuar me dikë tjetër, rifilloi të shante Berishën për këtë të keqe.

Po me të njëjtin sens humori i kishte trajtuar një media pranë qeverisë, kritikat që po i bëhen kryeministrit për mosprononcimin ndaj idesë së ndarjes së kufirit. “Hip se të vrava, zbrit se të vrava” ishte njëri prej titujve të kësaj të diele.

Ai i referohej kërkesave këmbëngulëse që po bënin hierarkë të lartë të PD-së, se Rama duhet të prononcohej për deklaratat e Thaçit dhe Vuçiçit, duke harruar se po të njëjtët njerëz, i kanë përsëritur me nerv dhe insistim që të mos bëjë rolin e protektorit të Kosovës dhe as të flasë në emër të saj.

Pa dyshim se, pas gjithë kësaj fushate, me nota që herë janë për t’u mëshiruar dhe herë për të qeshur,  fshihet një sëmundije maniake e politikës shqiptare për të folur për gjithçka dhe për të mabjtur të pushtuar skenën në çdo moment.

Pa dyshim se, ajo është në traditën më të keqe të protagonistëve të partive që e kanë shndërruar në normë, sulmin kundër kundërshtarit, qoftë edhe vetëm se pse ky i fundit merr frymë.

Pa dyshim se, ajo është, në rastet më të shumta, kundërproduktive dhe rrezikon të shndërrohet në boomerang.

Dhe ky është në fakt një nga problemet e të bërit opozitë: shumëfishimi i përditshëm i akuzave deri në zhvlerësimin e tyre. Goditja e Ramës për çdo gjë, është gati gati e barabartë me mosgoditjen e tij për asnjë gjë.

Dhe Ramën ke shumë se ku ta kapësh. Mjaftojnë temat e mëdha të hajdutërisë, lidhjes me krimin, mbrojtjes së trafikantëve, krijimit të një kaste që po thellon drejt konfliktit civil, betejën mes të pasurve dhe të varfërve, për të qenë një kundërshtar dinjitoz i tij.

Po t’i kërkosh llogari edhe për krimin e një të sëmuri mendor që mund të ndodhë në çdo kënd të globit, apo pse për disa ditë të vetme ka vendosur të na lërë në paqe dhe të mos na bëjë pis ekranet, kjo nuk është më opozitë, por parodi.

Problemi i dytë i kësaj strategjie politike, për ta thirrur kryeministrin me çdo kusht në skenë, nuk përbën as një lëvizje pragmatike në interes të qytetarëve. Rama i takon asaj race të shpeshtë mes liderëve tanë, që bëjnë më shumë dëm duke qenë në punë, sesa kur janë jashtë zyre.

Me siguri që Edi i Dhërmiut, që gëzon vilën qeveritare që e ka dizenjuar vetë, është një përdorues më i mirë i Facebook-ut në orët e zhegut, një baba më i kujdesshëm për Zahon, një familjar më i qetë dhe një qytetar më i zakonshëm, sesa Rama që do të rikthehet në zyrë, për të firmosur shembjen e teatrit, favoret për pikat e basteve, ndërtimet e reja te garda dhe rrënimin e stadiumit Dinamo.

Prandaj le të mos e thërrasim atë sa më shpejt në skenë. Le t’i gëzohemi edhe disa ditë ekraneve të çliruara të TV-ve dhe le t’i shtyjmë edhe për pak gjëmat që na ka rezervuar shtatori. Edi na duhet edhe disa ditë me pushime.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.