Kur kryeministri kruan kokën …

Nga Edmond Tupja

Ashtu si shumë e shumë nga bashkëqytetarët e mi të përfshirë, qoftë edhe si teleshikues, në vorbullën shkumuese të politikës shqiptare, ndoqa me kureshtje qesëndisëse, të enjten e shkuar, seancën plenare të Kuvendit tonë tragjikomik. Qysh në fillim, deklamimi thuajse i përkryer i zotit Balla në stilin e asaj që francezët quajnë “langue de bois” (d.m.th. gjuhë propagandistike), më la të kuptoja se edhe folësit e tjerë socialistë do të ndiqnin shembullin e tij, gjë për të cilën nuk u zhgënjeva.

Mirëpo, kur zoti Kryeministër mori fjalën, interesimi im u përqendrua jo aq te ligjërata bilbilore, sesa te gjestet e tij dhe, sidomos kryesisht e në veçanti, te kokëkruajtja e tij e herëpashershme me dorën e majtë. Me siguri, mendova, duhej të ishte ndonjë mizë që po e bezdiste ose që, e joshur nga ndonjë lloj ere (mjalti në rastin më të mirë ose mushti në rastin më të rëndomtë), nuk po i ndahej, prandaj, për disa çaste, vrava mendjen se për ç’erë mund bëhej fjalë.

Pastaj, nuk e mora vesh përse më erdhi ndër mend shprehja “ka mizën nën kësulë”, në kuptimin “shqetësohet ose ka frikë se mos zbulohet që është fajtor” (sipas “Fjalorit të gjuhës shqipe”, Tiranë, 2006). Mirëpo, fakti është që zoti Kryeministër nuk mban asnjëherë ndonjë lloj kësule; sidoqoftë, m’u kujtua një tjetër shprehje me fjalën “mizë”: “I djeg miza” në kuptimin “trembet se mos e kuptojnë të tjerët që ai është fajtori i vërtetë”.

Pastaj, ndërsa ai kruante kokën, e qetësova veten duke i thënë se ai, zoti Kryeministër, pra, veç të mira ka bërë, bën e do të bëjë sa të jetë në krye të qeverisë, kurse të këqijat (largqoftë!) mund t’i bëjë vetëm kur të mos jetë më në krye të asaj, prandaj i gjithë populli shqiptar, e tërë diaspora jonë, Europa, Amerika, Rusia e Kina me Indinë, ndoshta edhe marsianët, duhet ta ndihmojnë atë që të qëndrojë pambarimisht në pushtet!

Ja, këtë të vërtetë nuk po arrin ta kuptojë as opozita e bashkuar dhe as, deri diku, zoti Presidenti Republikës! Zbulova kështu, patjetër me tmerrësisht vonesë, se zoti Kryeministër paska pasur shumë të drejtë atë ditë kur tha: “Unë do të largohem kur të dua vetë, jo kur duan disa njerëz!”.

Megjithatë, më kapi një dyshim: Zotëria në fjalë nuk ka kësulë, por atij i kanë rënë shumë flokë dhe shprehja “e ka mizën nën kësulë”, mund të bëjë mutacion e, në rastin konkret, mund të thuhet “e ka mizën nën tullë” në kuptimin që atë diçka e bren, e shpërbën, e gërryen nga brenda! Këtë e konfirmon gjithashtu fjalori i lartpërmendur me shprehjen “kam miza në kokë” në kuptimin “kam shumë halle ose punë”.

Po, Zotëria në fjalë e kruan kokën se mendon e punon vetëm për hallet e popullit; falë mendjes e veprës së tij të ndritur, hapen çdo ditë e çdo natë vende të reja pune, emigrantët shqiptarë po kthehen të tërë në atdhe, mirëqenia e popullit është rritur e rritet pa pushim, çmimet dhe taksat po ulen pa ndërprerje, në Shqipëri nuk ka më as oligarkë, as të korruptuar, as kriminelë, as narkotrafikantë, madje as hajdutë xhepash, të gjithë këta janë qëruar, janë shporrur, janë zhdukur, por Zotëria në fjalë po përpiqet, po mundohet e po lufton që të shfarosë edhe vetë farën e së keqes në vendin tonë të shenjtëruar nga shpirti i tij! Cila është kjo farë?

Ama, ç’pyetje! Po opozita, o lexuese dhe lexues të dashur, opozita, që po i fut shkopinj në rrota Zotërisë në fjalë dhe ithtarëve të tij në llafe për t’i penguar që populli ynë i dëshiruar për lumturi të ngjitet sa më shpejt në qiellin e shtatë! Nga ana tjetër, edhe deklarata – në trajtë betimi – e Zotërisë në fjalë se nuk do të dorëzohet kurrë as si kryeministër dhe as si qytetar i zakonshëm, ishte shumë mallëngjyese, sepse ai ia ka kushtuar jetën e tij mirëqenies materiale dhe shpirtërore të popullit që e adhuron dhe që, këto kohët e fundit, ka parakaluar gati çdo javë para Selisë së tij të Shenjtë (po aq sa ajo e Papës) dhe para Kukuvendit kuku-ta! duke e përshëndetur atë dhe kukuvendarët kuku-ta me fishekzjarrë, shashka, molotovë e parulla ditirambike si “Rama rri!”, kurse ai ua ka kthyer përshëndetjen duke u lëshuar gaz mallëngjyes deri në lot dhe aspak të dëmshëm, siç mëtojnë gojët e liga.

Së fundi, dua t’i siguroj lexueset dhe lexuesit e mi të nderuar se, ndryshe nga psikologu francez Joseph Messinger, që ia kushtoi tërë jetën studimit të gjuhës së trupit dhe që, në veprën e tij “Ces gestes qui vous trahissent” (Këto gjeste që ju tradhtojnë), na mëson se kruarja e kokës është shenjë hutimi, mëdyshjeje ose pavendosmërie, pra, ndryshe nga ai, unë mendoj se kruarja e saj është po aq e vlefshme sa kruarja e gjithë pjesëve të tjera të trupit, të dukshme apo të padukshme qofshin ato!

Ah, gati e pafalshme, se për një fije do të harroja: Me të mbaruar ligjëratën bilbilore e tij Zotëria në fjalë, duartrokitjet që shpërthyen në parlament më zhgënjyen, besomëni. A dini përse? Sepse nuk u ndoqën nga ndonjë parullë entuziaste e tipit enverian si, për shembull të pashembullt, “Edi Rama, ti përherë, / Na jep lavd, na jep nder!”, “Në Kuvend me ty Edi, / S’kemi frikë as nga tërmeti!”, “Ti lart e më lart në piedestal, / Ne mendjen fushë e barkun mal!” dhe “Ti na rrofsh sot e mot, / Vetëm ty të kemi Zot, / Të kemi Zot e Perëndi, / Siç të do nëna Parti!”./Panorama

Loading...
Të ngjashme

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.