Kulti i të huajve ka rënë prej kohësh Rama!

Nga Elona Caslli

Rama, nëse do t’u flisje shqiptarëve shumë vite më parë për një ide të të huajve, apo të një shqiptari që kish kryer studimet në një vend të huaj, mund të të dëgjonin krejt sy e veshë pasi do të besonin se diçka e dobishme do të vinte nga paraqitja e idesë.

Por, prej shumë vitesh kulti i të huajve ka rënë. Protesta mbi mbrojtjen e Teatrit Kombëtar e ka përforcuar akoma më shumë rënien e këtij kulti, ku u pa qartazi qëndrimi dhe gjykimi me dy standarde i të huajve për Shqipërinë.

Dukej se këta të huaj kishin një standard të posaçëm për të gjykuar një ngjarje në Europë dhe një standard të prodhuar enkas për Shqipërinë.
Dukej se fabrika që kish prodhuar standardin e gjykimit për Shqipërinë, kish vënë mbi këtë standard etiketën – Prodhim për Shqipërinë!

Le të ndalemi tani tek shqiptarët që kanë kryer studimet jashtë vendit. Të kesh kryer studimet jashtë vendit dhe për më tepër në një vend si Franca, nënkupton që për vite me rradhë syri dhe brendia jote janë zgjuar dhe kanë fjetur me të bukurën.
Dhe aq më tepër kur bëhet fjalë për një artist dhe regjisor me një karrierë të pasur, sikundër e përshkruan ti artistin në fjalë, marrëdhënia me të bukurën është më e drejtpërdrejtë dhe shumë më e fortë.

Lindin natyrshëm pyetjet për regjisorin me “s” dhe jo me “ z” ( siç e shkruan ti):

-Sikur e njëjta protestë të zhvillohej në Francë, çfarë do të ndodhte?
-Sikur Presidenti i Francës të kish rrëzuar dy herë ligjin e posaçëm mbi shembjen e Teatrit Kombëtar dhe Kryeministri të ngulmonte në marrëzinë e tij, çfarë do të ndodhte?
-A do të mund ta përdorej mendimi i kunatit apo një çift antonimesh për të fyer protestuesit si argument për shembjen e Teatrit Kombëtar në Francë?

E lexova me vëmendje deklaratën e artistit dhe regjisorit me një karrierë të pasur dhe sikundër e kam nënvizuar më lart, përveç mendimit të kunatit të tij dhe çiftit të antonimeve nuk kuptova gjë tjetër. Për të qenë më e kthjellët po e citoj:

Kunati im, arkitekti francez me banim në Suedi, Philippe d’Aboville, më telefonoi i emocionuar që në Tiranë, arkitekti më i mirë sot në botë, projektoka Teatrin Kombëtar të qytetit tim. Kjo duhet të na gëzojë.
Gent Kame

Pse duan këta njerëz ta lënë qytetin pa një teatër të vërtetë? Ç’interesa ekonomike dhe politike kanë? Si mundet të mbrosh një institucion si vend i shenjtë, kur njerëzit që e ndërtuan, e zhvilluan dhe e bënë të shenjtë i denigrojnë, shajnë, shpifin për ta në mënyrë të ulët ? Çfarë muresh të shenjta mbrojnë këta pseudo, kur përdhosin ikonat? Një farsë qesharake që tregon edhe njëherë se kauzat e mëdha nuk mund të mbrohen nga njerëz të vegjël, që tregon se artistët e vërtetë janë të rrallë dhe se ata gjenden në të shumtën e rasteve në pjesën e heshtur dhe punëtorë.
Gent Kame

Post Scriptum- Rama, i jam mirënjohëse artistit dhe regjisorit me një karrierë të pasur mes Parisit e Romës,për kontributin e tij të çmuar në art, por është i pamohueshëm fakti që mendimi i një kunati apo çifti i antonimeve nuk përbëjnë një argument.
Sepse në fund të ditës argumentet peshohen dhe nuk numërohen.

Mos ndoshta artisti dhe regjisori me një karrierë të pasur mes Parisit e Romës po përdor standardin e prodhuar enkas për Shqipërinë në gjykimin e kësaj çështjeje?!

Elona Caslli

Loading...
Të ngjashme

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.