Këtu në Republikën Afrikane të Lëkurëbardhëve!

Nga Kreshnik Osmani

Ministrat e popullit më të varfër në Evropë dhe ndër më të varfërit e globit, shpenzojnë 700 euro nata në Hilton për vizita pune jashtë Shqipërisë, nga taksat e mjerimit. Zonja ministre shpenzon për një natë gjumë, sa pesë paga mujore që marrin moshtarët e saj gratë skllave të fasonërive. Zonjat dhe zoterinjtë, ministrat e Republikës së Hashashit dhe të Kokainës shpenzojnë për një natë gjumë, sa 7 pensione mujore të njeëezve që ua shkriu jeta kockat, që punuan një jetë për këtë vend dhe në fund i dhanë 100 euro pension në muaj.

Ministrat e Republikës së Mjerimit e paguajnë një natë gjumë, jashtë Shqiperisë prej taksave të mjerimit sa 3600 kilogramë hekurishte për skrap që i duhen mjerimit 7 muaj për t’i mbledhur. Ministrat e Republikës së Urisë, e pagujanë një natë gjumë sa pesë muaj zgjim të atyre grave që i gdhijnë netët rrugëve për të pastruar plehrat dhe jashtqitjet e parisë.

Ministrat e Republikës së Dëshpërimit e pagujanë një natë gjumë, tek carcafët e bardhë të ngrirë në formë zemre, në formë petalesh e mjelmash, sa 20 fatura mujore korenti të atyre që shkuan në burg sepse nuk i paguan dot ose që vdiqen shtyllave për të bërë një lidhje kontrabandë me vdekjen dhe ranë dëshmorë të errësirës.

Ministrat e Republikës së Dhimbjes e paguajnë një natë gjumë, sa paguhen dhjetëra netë zgjim rojesh, ushtarësh e policësh që e ruajnë gjumin e mjerimit dhe të popullit fatkeq, por edhe pushtetin e parisë, në vendin e origjinës.

Ministrat e Republikës se Arratisë e paguajnë një natë gjume prej taksave të mjerimit, sa 500 kilogramë gjizë, 800 kokrra vezë, 2700 kanace kos (tre 1 mijë lekë) me të cilat kalojnë ditën dhe i bëjnë masazh urisë, mbi 200 familje të pashpresa në një ditë këtu në Republikën Afrikane të Lekurëbardhëve!

***

Skandali i ministres së Drejtësisë/ Udhëtime luksi në Europë me paratë e shqiptarëve (dokumentet)!

53 mijë e 982 familje janë trajtuar me ndihmë ekonomike gjatë vitit 2018. Sipas INSTAT, shteti shqiptar jep si pagesë mesatare mujore për secilën familje rreth 5 mijë lekë në muaj. Në të njëjtën periudhë kohore, rezulton se shteti paguan mijëra euro në vit për fatura hoteli dhe bileta fluturimi për Ministrinë e Drejtësisë.

Sipas faturave të vëna në dispozicion po nga kjo ministri, rezulton se për një natë qëndrimi në Romë, ministrja e Drejtësisë ka paguar 700 euro, ose aq sa ç’është asistenca sociale në muaj e afro 17 familjeve shqiptare.

Udhëtimet jashtë shtetit të ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj i kushtojnë shtetit shqiptar mijëra euro në vit. Sipas faturave, në udhëtimet e punës gjatë vitit 2018 deri në qershor të vitit 2019, ministrja Gjonaj ka qëndruar në hotele luksoze me çmime që e kalojnë shifrën 700 euro nata. Por nuk mjafton vetëm kaq. Kostot e biletave me të cilat fluturon ministrja e Drejtësisë rezultojnë më të shtrenjta sesa biletat që një individ i thjeshtë mund t’i rezervojë online.

Hotele të shtrenjta

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj është akomoduar në të shumtën e rasteve, në hotele me pesë yje që kanë çmime “të kripuara”.

Në një prej udhëtimeve të saj të punës në Bruksel, nga data 19 deri në 21 qershor të vitit 2018, Gjonaj ka paguar 1320 euro për dy netë ose 660 euro nata në hotelin e quajtur “The Hotel Brussels”.

Fatura nuk ka shpjegime të detajuara se në çfarë lloji dhome është akomoduar ministrja që e ka bërë këtë rezervim dy-ditor kaq të shtrenjtë por mjaftohet me emrin e ministres si blerësi dhe çmimi total i konsiderueshëm. Rezervimi është bërë nga një kompani shqiptare e quajtuar Albania Experience.

Ministrja në këtë udhëtim pune është takuar me komisioneren Vera Jourova për të diskutuar lidhur me Reformën në Drejtësi, ecurinë dhe arritjet në zbatimin e saj.

Fatura e Brukselit, udhëtimi 1

Po në Bruksel, gjashtë muaj më vonë, në dhjetor Gjonaj është akomoduar për një natë në një hotel me pesë yje i quajtur “Steigenberger Wiltcher’s” me kosto 543 euro.

Ministrja është akomoduar në një nga dhomat më të mira (Superior King Buffet).

Ministrja ishte në Bruksel për të marrë pjesë në Samitin e 19-të Evropian të Ballkanit Perëndimor 2018 mbi “Zgjerimin, Integrimin dhe sfidat e ndryshimeve”.

Fatura e Brukselit, udhëtimi 2

Në datat 4 deri më 6 shkurt të vitit 2019 ministrja ka udhëtuar drejt Londrës ku është akomoduar në një prej hoteleve më të shtrenjta të kryeqytetit britanik. Rezervimi për dy netë i ka kushtuar ministres 1291 paundë ose e përkthyer në euro rezulton se ministrja e Drejtësisë ka shpenzuar 706 euro për një natë.

Ministrja ka udhëtuar me tre persona të tjerë të ministrisë teksa vetë është akomoduar në “Corinthia Hotel London” i cili njihet si një prej hoteleve më luksozë me pesë yje në Londër.

I ngjashëm është rasti i Parisit ku ministrja ka qëndruar për tre netë nga data 4-7 maj të këtij viti në hotelin me pesë yje “Majestic Hotel Spa”. I gjithë rezervimi shkon në shumën 2014 euro, ose 670 euro nata. Hoteli në fjalë është nga më të shtrenjtët dhe më të mirët në Paris.

Gjatë këtyre tre ditëve ministrja ka pasur takime me homologen e saj dhe institucione të tjera të drejtësisë franceze.

Një nga qëndrimet e saj më të shtrenjta jashtë shtetit ministrja Gjonaj e ka paguar në Romë. Ajo ka fjetur vetëm një natë nga data 21 deri 22 maj të këtij viti në hotelin luksoz me pesë yje “Ambasciatori Palace” dhe kjo i ka kushtuar shtetit shqiptar plot 706 euro.

Në këtë udhëtim pune ministrja ka takuar homologun e saj italian Alfonso Bonafede.

Fatura e Romës:

Hotelet e shtrenjta nuk mbarojnë për ministren e Drejtësisë. Në një udhëtim pune nga data 3-6 qershor të këtij viti në Berlin të Gjermanisë, ministrja Gjonaj është akomoduar në hotelin Hilton me një kosto totale prej 1900 eurosh. Nisur nga këto të dhëna rezulton se kostoja e një nate ka qenë 630 euro.

Siç shkruante asokohe ministrja në rrjetet sociale, ajo ishte takuar me përfaqësues të Bundestagut Gjerman dhe kishte marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare “One Forencics”, Forencic and Integrity Services bashkë me ministrin shqiptar të Brendshëm Sandër Lleshi.

Fatura e Berlinit:

Buxheti i Ministrisë së Drejtësisë

Për vitin 2019 dikasteri i Drejtësisë ka programuar një buxhet total prej 12,2 miliardë lekësh. Në krahasim me vitin 2018 kur buxheti ishte 10,4 miliardë lekë, buxheti këtë vit është me rritje.

Me rritje është edhe fondi për shpenzimet e udhëtimit të punonjësve jashtë vendit, ku përfshihen edhe shpenzimet e ministrit.

Për vitin 2018 fondi i planifikuar ishte 14.5 milionë lekë ndërkohë që për vitin 2019 fondi në total i planifikuar është 15 milionë lekë. /Faktoje.al

Loading...
Të ngjashme

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.