Kërkohen për dëmin 1 miliard dollarë, dy biznesmenët ortakë në Dhërmi në kompaninë e krijuar nga ish-deputeti i PS

Po qendrojnë në Shqipëri dy biznesmenë indianë Nitin Sandesara dhe Chetankumar Sandesara, ndërkohë që në Nju Delhi vijon procesi gjyqësor ku ata akuzohen për mashtrime bankare dhe pastrim parash në shifrën e 1 miliard dollarëve. Në shkurt të 2018-ës, presidenti Ilir Meta ka firmosur dekretin që i jep dy vëllezërve nënshtetësinë shqiptare, ndërsa autoritetet indiane kanë kërkuar së fundmi ekstradimin e tyre.

Vëllezërit Sandesara kanë regjistruar në vitin 2017-të, në Qendrën Kombëtare të Biznesit një kompani të quajtur ‘Laxmi Reale Estate & Investment’, që ushtron aktivitet në fushën e ndërtimit në Shqipëri. Kompania është e regjistruar në rrugën ‘Hamdi Garunja’ në Farkë të Tiranës, ndërkohë që nuk ka informacion të saktë për godinën ku ndodhet.

Nga kërkimet rezulton se kompania ‘Laxmi Reale Estate & Investment’ është gjithashtu një prej ortakëve në resortin ‘Drymades Dream’, që po ndërtohet në Dhërmi, në jug të vendit.

‘Drymades Dream’ është një kompani e krijuar në Vlorë, në qershor të 2017-ës, nga Besnik Dervishi dhe Jorgji Ruçi, siç konfirmohet edhe nga në QKB.

Aktualisht, në këtë kompani përveç ‘Laxmi Reale Estate & Investment’ rezulton të jetë ortak edhe biznesmeni Juljan Morina, i cili është edhe administrator i saj.

Përfshirja e Besnik Dervishit

Zoti Dervishi është aktualisht Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Ai është emëruar në këtë post në vitin 2014-të, me propozim të Këshillit të Ministrave, i drejtuar nga kryeministri Edi Rama. Përpara se të merrte këtë detyrë, Besnik Dervishi ka qenë prefekt i Vlorës dhe ish-deputet i Partisë Socialiste.

Në bazë të ligjit, “Funksioni i Komisionerit është i papajtueshëm me çdo funksion tjetër shtetëror, me antarësimin në partitë politike, dhe pjesëmarrjen në veprimtraitë e tyre, si dhe me çdo veprimtari tjetër fitimprurëse, me përjashtim të mësimdhënies.”

Por pavarësisht pengesës që parashikon ligji, Besnik Dervishi krijoi kompaninë ‘Drymades Dream’ në vitin 2017-të dhe mori lejen për të ndërtuar resortin luksoz në Dhërmi në një hapësirë prej 4700 m2.

Në vitin 2018-të, në media u publikuan disa artikuj që kishin në fokus angazhimin në biznes fitimprurës të komisionerit Dervishi.

Largimi i dy themeluesve

Publikimi i artikujve në media duket se vunë në vështirësi Besnik Dervishin, i cili më 27 nëntor të 2018-ës, i transferon aksionet e tij te bashkëaksioneri Jorgji Ruçi, duke u larguar nga kompania ‘Drymades Dream’.

10 ditë më pas, më 7 dhjetor të 2018-ës, edhe Ruçi vendos të largohet nga kompania, duke i shitur aksionet te biznesmeni Juljan Morina. Që nga ky moment, Morina rezultonte pronar i vetëm i kompanisë ‘Drymades Dream’, e themeluar nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit.

Hyrja e indianëve

Vetëm një muaj pas largimit të komisionerit Dervishi, zoti Morina vendos më 28 dhjetor të 2018-ës që të shesë 50% të aksioneve te ‘Laxmi Reale Estate & Investment’, e zotëruar nga Nitin Sandesara dhe Chetankumar Sandesara.

Dy biznesmenët indianë u bënë aksioner të kompanisë ‘Drymades Dream’, 10 muaj pasi kishin marrë nënshtetësinë shqiptare dhe një vit pasi kishin themeluar kompaninë ‘Laxmi Reale Estate & Investment’.

Akuzat në Indi

Dy vëllezërit Sandesara janë drejtues të kompanisë farmaceutike ‘Sterling Biotech Ltd’ (SBL), pjesë e grupit ‘Sandesara’ me bazë në Gujarat të Indisë. Kjo kompani është përfshirë në një skandal të madh mashtrimi bankar dhe pastrimi të parave në Indi, ndërkohë që autoritetet e këtij shteti po kërkojnë ekstradimin e dy biznesmenëve.

Ata akuzohen se kanë krijuar të paktën 200 kompani fiktive për të bërë të mundur fshehjen apo pastrimin e rreth 1 miliard dollarë

Gjykata në Nju Delhi ka miratuar së fundmi kërkesën për ekstradimin e Nitin Sandesara dhe Chetankumar Sandesara, e cila do t’u dorëzohet autoriteteve të Shqipërisë. Autoritetet indiane akuzojnë dy biznesmenët se me qëndrimin në Shqipëri po i shmangen procesit gjyqësor që ka nisur në vendin e tyre.

Loading...
Të ngjashme

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.