Kandidate për Bashkinë e Shkodrës? Zv.kryeministrja Mesi: Përballë Voltana Ademit do të jetë programi i rilindjes urbane i Partisë Socialiste

 

Zëvendëskryeministrja Senida Mesi shprehet besimplotë se më në fund shkodranët do të votojnë alternativën e PS-së për Bashkinë e Shkodrës.

Në një intervistë   ajo akuzoi kryetaren aktuale të bashkisë, e cila, sipas saj, bën vetëm retorikë politike dhe tregohet pa vizion e pa plane reale për qytetin, ndërsa përballë saj do të jetë programi i rilindjes urbane i Partisë Socialiste. Numri dy i qeverisë flet dhe për reformën që po ndërmerret në administratën publike për të rienergjizuar dhe rivitalizuar përmes trajnimeve dhe rekrutimeve meritokratike. seniada-m...

Qeveria ka ndërmarrë disa reforma në shërbimet publike, çfarë po ndodh me bashkimin e ATP-ZRPP dhe ALUIZNI-t? Kur do të ndodhë dhe si do jenë kompetencat?

Reforma e strukturimit të institucioneve në varësi si edhe ajo e shërbimeve publike janë reforma në zbatim të vizionit tonë për një qeverisje të përqendruar te qytetari dhe llogaridhënëse. Në këtë linjë është edhe bashkimi i ZRPP me ATP dhe ALUIZNI. Ajo çka ne synojmë është që qytetari të ketë një portë të vetme ku të trokasë për të gjitha çështjet e pronës dhe të marrë shërbim cilësor, në kohë dhe transparent. Duke përqendruar kompetencat dhe vendimmarrjen në një institucion, do të ndihmojmë në përmirësimin e shërbimit, do krijojmë mundësi reale për një kontroll më të mirë të kryerjes së detyrave, si dhe më shumë akses institucional për llogaridhënie.

Pra, rritja e funksionalitetit të institucioneve do të thotë më pak kohë e humbur dhe më shumë shpejtësi e cilësi në shërbim, zgjidhje e problemit, mënjanimi i dublimeve procedurale. Aktualisht po punohet me kuadrin ligjor që duhet të ndryshohet për të rregulluar kompetencat e këtyre tri institucioneve dhe agjencisë së re që do krijohet, por njëkohësisht edhe për të rregulluar procedurat që qytetarët do të ndjekin për marrjen e shërbimit. Një element tjetër është edhe dixhitalizimi dhe integrimi i hartave, duke u dhënë fund mospërputhjeve apo mbivendosjeve. Kjo do të lehtësojë në evidentimin e gjendjes reale të sipërfaqes së pronave, statusin juridik të tyre dhe marrjen e shërbimit. Natyrisht, që është një projekt kompleks dhe që kërkon kohën e vet të vijë në formën më të përshtatshme për qytetarët

Është folur shumë për rritjen e performancës së administratës publike. Çfarë ka ndërmend qeveria me ‘rienergjizim të punonjësve’ apo ‘rivitalizim të administratës publike’?

Rritja e performancës së administratës publike është në themel të reformës në administratën publike, si një ndër pesë prioritetet e integrimit në Bashkimin Europian si edhe një ndër angazhimet kryesore, që ne kemi marrë ndaj qytetarëve tanë. Jemi të vendosur të kemi shërbime me qendër qytetarin. Të reduktojmë kohën në favor të shërbimit të shpejtë on line me dobi për përfituesin e shërbimit.

Evitimi dhe minimizimi i çdo mënyre korruptive nëpërmjet shërbimeve në distancë me akses të shtuar për ofruesin e shërbimit dhe përfituesin e tij, që në këtë rast është qytetari aplikues. Vëmendja jonë është te çdo shqiptar i zakonshëm i këtij vendi. Prandaj, jemi duke punuar për një rivitalizim të plotë të administratës, që nënkupton një transformim të thellë të saj për ta shndërruar njëherë e përgjithmonë në shërbyes të qytetarëve dhe bizneseve.

Po punojmë në disa drejtime si p.sh. me përmirësimin e aksesit, transparencës dhe cilësisë së shërbimeve publike përmes ofrimit të shërbimeve të integruara dhe online; kemi ulur ndjeshëm barrën administrative për bizneset dhe qytetarët përmes procesit të derregullimit, pra, kemi thjeshtuar dhe lehtësuar procedurat në marrjen e lejeve, licencave, autorizimeve apo shërbimeve nga shteti, duke përmirësuar kështu klimën e biznesit. Rienergjizim i punonjësve do të thotë që po punojmë për zhvillimin e stafit në administratën publike që nga përmirësimi i sistemit të rekrutimit e promovimit e deri te zhvillimi profesional i tyre përmes trajnimeve dhe motivimit për të punuar. Ne po përpiqemi të transformojmë rrënjësisht kulturën e punës në administratën publike. Kjo bëhet vetëm me meritokraci, integritet, profesionalizëm e përkushtim – këto janë vlerat, për të cilat ne po punojmë dhe që po promovojmë.

Në Asamblenë Kombëtare të PS-së ju u zgjodhët Sekretare e Burimeve Njerëzore. Çfarë do bëhet me këto burime në PS nga ana cilësore dhe sasiore?

Partia Socialiste ka nisur me riformulimin e të gjithë strukturës së saj, duke u bazuar në parimin që e gjithë vëmendja jonë janë qytetarët, ata që na kanë votuar e besuar që t’ju sigurojmë një jetesë më të mirë në këtë vend, një demokraci reale, zhvillim të qëndrueshëm, një ambient europian në atdheun e tyre europian. Së pari, po punojmë me burimet ekzistuese njerëzore të PS, një hartëzim të plotë të kapitalit njerëzor që ka partia dhe që ka grumbulluar ndër vite si edhe një organizim të ri që i përgjigjet kohës, në të cilën jetojmë dhe sfidave që paraqiten sot dhe në dy apo tri dekadat e ardhshme. Së dyti, kemi filluar një fushatë anëtarësimesh si një domosdoshmëri për të fuqizuar procesin tonë qeverisës.

Loading...

Kjo fushatë anëtarësimi nuk do të thotë të listojmë thjesht disa numra më shumë në radhët tona, por të mbledhim rreth PS burimet njerëzore më të mira. Ne duam të bashkëpunojmë me ata që kanë diçka për të dhënë për vendin, që janë të përkushtuar e të zotë dhe që ndajnë të njëjtat parime si ne: vëmendja për qytetarët! Pra, është një thellim i mëtejshëm i PS si një parti e hapur me bazë meritokracinë, përkushtimin, kontributin dhe me vizionin e ndryshimit të pandërprerë. Një parti, ku secili, që nga ministri, deputeti, drejtuesi politik i qarkut, te kryetari i partisë në qytetet apo njësi më të vogël urbane, nënurbane apo rurale dhe deri tek anëtari më i thjeshtë, punon për qytetarët dhe për qeverisjen e mirë të vendit dhe jo për interesin e ngushtë vetjak, familjar apo klanor. Thirrja është e hapur për të na u bashkuar për një të ardhme më të mirë për shoqërinë shqiptare.

Dëgjesat dhe llogaridhënia me qytetarët do të vazhdojë, jo vetëm nga Qeveria, por edhe nga çdo drejtues partie qytet më qytet, fshat më fshat e lagje më lagje. Reformat marrin kohën e tyre, kanë edhe kosto dhe ne jemi të vetëdijshëm për këtë, por edhe të përgjegjshëm që të paktën të dëgjojmë shqetësimet e të shpjegojmë ku jemi e ku po shkojmë për çdo shqiptar. PS do të ketë në fokus fuqizimin e burimeve njerëzore, duke vendosur në qendër njerëzit më profesionistë, më të ndershëm dhe më të spikatur dhe që mbi të gjitha janë të mbështetur nga komuniteti ku ata jetojnë e punojnë. Të rigjallërosh burimet njerëzore, nuk është e thjeshtë. Pa injoruar pushtetin e numrave, ka rëndësi struktura e identifikuar me mosha, me profesione, me atribute dhe arritje, me vlera qytetare dhe me edukatën civile e demokratike. Prandaj, ne besojmë se burimet njerëzore janë parakushti i çdo investimi.

Bashkia e Shkodrës fitohet vazhdimisht nga Partia Demokratike. Kaq e pamundur është fitorja e bashkisë nga Partia Socialiste, ndërkohë që nuk mungojnë rezultatet pozitive për deputetët?

Çdo gjë është e mundur dhe unë mendoj se ka ardhur koha që Shkodra të përqafojë vizionin e Partisë Socialiste për rijetësimin dhe rilindjen e qyteteve apo fshatrave. Jam besimplotë që shkodranët e kuptojnë shumë mirë ndryshimin mes një kryetari bashkie që bën veç retorikë politike, pa vizion e pa plane reale për qytetin, në raport me një alternativë për ta rilindur qytetin përmes zhvillimit social dhe ekonomik. Merrni, p.sh., qytetet si Korça, Vlora apo edhe Fieri së fundmi dhe sesi janë transformuar nën vizionin e një qeverisje lokale të Partisë Socialiste.

Shkodra, si çdo qytet tjetër në Shqipëri, meriton një plan zhvillimi social dhe ekonomik vizionar dhe projekte konkrete për ta përmbushur këtë. Në një farë kuptimi, sa herë thua Shkodra, jo sot, por kurdoherë, nënkupton zhvillimin, ndryshimet e thella, vizionet; ndaj askush, për cilindo motiv, nuk mundet ta mbajë peng qytetin. Qytetet nuk janë as të partive, as të tregut, ato janë të qytetarëve, që pasi të besojnë një herë apo disa herë dhe shohin se punët nuk ecin, i thërrasin ndërgjegjes individuale dhe asaj komunitare, me qëllim takimin me një tjetër alternativ administrimi të punëve dhe jetës në qytet.

Do të pranonit ju të kandidoni nën siglën e Partisë Socialiste për ta fituar këtë bashki?

Ne po zhvillojmë më tej burimet tona njerëzore dhe po punojmë për përfshirjen e më të mirëve. Prandaj, Partia Socialiste do të gjejë në kapitalin e saj njerëzor, kandidatin më të përshtatshëm dhe të denjë për Shkodrën, ashtu sikurse edhe për çdo qytet apo njësi tjetër. Unë mendoj që vizioni dhe platforma për rilindjen e qytetit kanë shumë më tepër rëndësi tani sesa thjesht emri i kandidatit.

Partia Demokratike ka propozuar veting për politikën. Përse PS mbetet e ngurtë dhe nuk ulet ta dëgjojë nga afër këtë propozim dhe nëse është nevoja të bëhen amendimet e pranueshme nga të dyja palët në mënyrë që vetingu i politikës të funksionojë?

E kemi ritheksuar në disa raste, përfshi edhe në Parlament, që jemi të hapur të bashkëpunojmë me opozitën për vetingun në politikë, por pa bërë asnjë kompromis sa i takon thellimit të Reformës në Drejtësi dhe ngritjes së organeve të reja si SPAK dhe BKH. Madje, ka pasur ofertë konkrete nga Qeveria Rama për opozitën për vetingun në drejtësi, Reformën Zgjedhore dhe për qëndrueshmërinë e sistemit të drejtësisë. Mirëpo, opozita ka zgjedhur të jetë bojkotuese e të flasë për vetingun në politikë nga salla hotelesh e kafenesh. Opozita së paku duhet të jetë korrekte me ato që ka votuar në Parlament, me ndryshimet kushtetuese për Reformën në Drejtësi, prej të cilave burojnë dhe krijimi i një sërë organizmash si edhe përmend më lart.

Pastrimi i politikës së inkriminuar është jo akt etik dhe aq më shumë duf retorik, është mbi të gjitha dhe së pari akt juridik. Të pastrohesh nga lidhja me krimin përmes vetingut, nuk do të thotë thjesht që të largohesh nga skena politike, por të përballesh edhe penalisht me pasojat e lidhjeve të tilla. Përgjigjja jonë është ‘Po’, patjetër, për veting politikanëve, por rruga për këtë është përmes ngritjes dhe funksionimit të SPAK dhe BKH. Nuk pranojmë asnjë manovër të opozitës për t’iu shmangur Reformës në Drejtësi, sepse do të ishte të bënim kompromis në kurriz të interesit të çdo qytetari shqiptar. SPAK dhe BKH sigurojnë vetingun e politikës në shkallë shumë të gjer,ë pasi do të kalojnë në sitë jo thjesht lidhjet e politikanëve me krimin, por mbi të gjitha pasuritë dhe të ardhurat e tyre dhe familjarëve të tyre.

Vetëm përmes SPAK e BKH, garantohen shqiptarët se politikanët e korruptuar e të lidhur me krimin do të largohen e do të marrin ndëshkimin e merituar. Ne jemi gati për veting, por për veting të vërtetë, duke ua besuar organeve të reja e të pavarura të drejtësisë./Panorama

Loading...
Të ngjashme

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.