Ja hapat që do ndjekë PS, pas ndërhyrjes së Komisionit të Venecias

Komisioni Hetimor, për të kontrolluar ligjshmërinë e veprimeve të Presidentit lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, pritet të kërkojë zgjatjen e mandatit të tij deri në fund të tetorit.

Afati tremujor i këtij Komisioni përfundon më 8 tetor të këtij viti. Shtyrja e afatit bëhet me qëllim që Komisioni Hetimor të mos përgatisë raportin e tij final për t’ia dërguar Parlamentit, pa u konsultuar paraprakisht me draftin final të Komisionit të Venecias.

 

Në mbledhjen e fundit të Komisionit Hetimor, kryetari Ulsi Manja u shpreh se opinioni i Venecias do të ketë rol kryesor në përgatitjen e raportit të Kuvendit.

VENECIA

Ekspertët e Komisionit të Venecias, më datë 9-10 dhe 11 shtator vizituan Shqipërinë ku zhvilluan një sërë takimesh për të mbledhur fakte, përmes së cilave do të hartojnë opinionin e tyre për kushtetutshmërinë e veprimeve të Presidentit Ilir Meta për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Në ditën e fundit të qëndrimit në Shqipëri, kryesuesi i përfaqësuesve të Komisionit të Venecias, Kaarol Touri, tha për gazetarët se Komisioni kishte marrë informacione të mjaftueshme dhe tashmë e kishte një ide. Raportin paraprak, ekspertët e Venecias do t’ia dërgojnë Parlamentit dhe Presidentit në fund të shtatorit. Ndërkohë, më 11 tetor, “Venecia” do të mblidhet për të shqyrtuar edhe raportin e përgatitur nga ekspertëve.

Burimet bëjnë me dije për “Panoramën” se në seancë do të jetë i pranishëm një përfaqësues i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe një nga Presidenca. Përfaqësuesit e Presidencës dhe Kuvendit do të jenë të pranishëm për t’iu përgjigjur pyetjeve, të anëtarëve të Komisionit të Venecias për raporti paraprak, që është përgatitur nga ekspertët qenë në Shqipëri.

Pas këtij procesi, Komisioni Hetimor në një mbledhje do të shqyrtojë opinionin përfundimtar të Venecias dhe përgjigjet që kanë mbërritur nga institucionet shqiptare, të cilat kanë lidhje me objektin e hetimit.

FAKSIMILET

Ministria e Brendshme dhe Prokuroria e Përgjithshme kane kthyer pergjigje për pyetjet e bëra nga deputetët e Komisionit Hetimor. Në shkresën nisur më datë 19/07/2019, Komisioni Hetimor bën dy pyetje ndaj Prokurorisë së Përgjithshme. 1- Sa është numri dhe natyra e procedimeve penale të regjistruara në organin e prokurorisë për shkelje të procesit zgjedhor gjatë periudhës kohore 1 janar-10 Qershor 2019? 2- Sa është numri dhe natyra e procedimeve penale të regjistruara në organin e Prokurorisë për shkelje të procesit zgjedhor gjatë periudhës kohore 10 qershor 2019 e në vijim në shkallë vendi?

Ndërkohë, sipas Prokurorisë së Përgjithshme, nga 1 janari deri më datë 31 korrik kur edhe është kthyer përgjigja, në të gjitha prokuroritë janë regjistruar 39 procedime. Nga data 1 janar deri më 10 qershor (kur firmosi Presidenti dekretin) ishin regjistruar vetëm dy procedime për shkelje të procesit zgjedhor.

Ndërkohë, nga data 10 qershor e deri më 31 korrik, sipas organit të akuzës në të gjithë vendin u regjistruan 37 procedime për shkelje të procesit zgjedhor. Ndërkohë, sipas Ministrisë së Brendshme janë proceduar gjithsej 193 autor, nga të cilët 71 persona janë arrestuar, 18 janë ndaluar, 61 ndiqen në gjendje të lirë dhe 43 janë shpallur në kërkim policor./

Loading...
Të ngjashme

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.