Ish- presidenti Nishani :Krimi ndjehet ‘Zot’, shteti ka rënë por jo e vërteta

Bujar Nishani

Tashmë është rutinë në Shqipëri që java nis e përfundon me ngjarje dhe skandale të rënda, të cilat konfirmojnë në çdo rast korelacionin krim/pushtet.

Java që sapo kaloi, i përplasi dhunshëm shqiptarëve (edhe pa to, gjithsesi të depresuar) një sërë ngjarjesh të hidhura që duhet të përjetojnë.

Në të gjitha ato ka vetëm një fabul, konvergon vetëm një moral, konfirmohet një model.

Krimi ka kapur egërsisht shtetin tonë dhe duke grabitur çdo pasuri të tij e duke terrorizuar qytetarët, përhapet me shpejtësi në të gjithë trupin e shoqërisë duke e gangrenizuar atë.

Ai ndihet i fortë, i paprekshëm, i pushtetshëm, i pasur, i përjetshëm.

Ndihet “Zot”!

Shteti ligjor ka rënë tërësisht, (përtej përpjekjeve mjerane për ta mbajtur maskën fort), është morali i kësaj fabule.

Përndjekja, torturimi, shantazhimi e mëtej linçimi publik i vajzës nga Nikla e Fushë Krujës nga një gangsterr i pushtetit e nga ana tjetër, tradhëtia, kërcënimi, përndjekja e një oficeri kurajoz të policisë nga kryeministri i një shteti, (të cilit oficeri besonte se mund ti shërbente), ishin dy ngjarje që konkurojnë fort njëra tjetrën.

Përndjekja seksuale dhe torturat ndaj vajzës nga Nikla me siguri që nuk është një rast as i vetëm dhe as i izoluar.

Ai ishte rasti që shpërtheu në publik.

Shembulli i përballjes me kërcënimin e pushtetit nga oficeri Emiljano Nuhu, gjithashtu nuk është i vetmi në rradhët e policisë, por shembulli i oficerit Nuhu është një déjà vu e dosjes së oficerit tjetër të policisë, Dritan Zagani.

Çdo qytetari shqiptar i kujtohet fare mirë se si u sulmua, shantazhua, tradhëtua dhe u linçua publikisht oficeri Zagani, vetëm pse denoncoi aktivitetin kriminal të bandës së Habilajve dhe lidhjet e saj me Ministrin e Brendshëm.

Kërcënimet dhe linçimi publik që qeveria i bëri atij oficeri policie nuk ishin të mjaftueshme, por oficeri përfundoi pas hekurave të qelisë si të ishte ai trafikanti dhe jo denoncuesi i krimit.

Egërsia e pushtetit nuk njihte kufij. Në atë kohë si President i Republikës, kërkova të merreshin seriozisht denoncimet e oficerit dhe të hetoj plotësisht, por si reagim Presidenti mori sulmet, sharjet dhe fyerjet e Kryeministrit të vendit.

Ky ishte, ky është e ky do mbetet modeli i pandryshuar deri në fund.

Atë kohë, opinioni publik mbeti në mes të denoncimit kurajoz të një njeriut të vetëm siç ishte oficeri Zagani dhe propagandës me fuqi pushteti dhe të financuar prej milionash, të një shteti të tërë deri ditën kur drejtësia e shtetit mik, Italisë, ja grisi maskën, farsës së krimit në politikë.

Denoncimi i oficerit Zagani u vërtetua, banda u arrestua në Itali, ministri u mor i pandehur, kryeministri u diskretitua.

Kjo dosje derim tani ka bërë vetëm gjysmën e rrug?s. Ajo është ende e gjatë përpara, por pa kthim.

Mot à mot, vjen rasti i oficerit tjetër të policisë Emiljano Nuhu. Ai denoncon krimin e rëndë nga një njeri i pushtetit por në vend të veprimit të ligjit ndeshet me pengimin, intimidimin, kërcënimin, shantazhimi e më pas linçimin publik deri nga vetë Kryeministri i vendit.

Pas demontimit nga opozita të përpjekjeve qeveritare për ta fshehur, mohuar e tjetërsuar krimin e ndodhur, agresori arrestohet dhe krimi penal pranohet si fakt. Por deri këtu ! Kjo dosje veç sa ka hedhur një hap në një rrugë të gjatë por pa kthim.

Krimet nga njerëz me pushtet ose të lidhur ngushtësisht me interesin dhe strukturën e pushtetit tashmë po konkurojnë përherë e më shumë me pamundësinë e shtetit të përballet me to.

Shteti është kapur nga krimi dhe kur ka reagimin më të vogël prej tij, dhunohet nga vetë pushteti.

Loading...

Sot në Fushë Krujë, shpërthimet me tritol e noterizuan edhe njëherë për të qindën herë këtë.

Dy oficerët e policisë nëse nuk do ti kishin bërë publike rastet dhe nëse nuk do të ishin larguar nga Shqipëria, me shumë gjasë do të ishin ekzekutuar në Shqipëri nga krimi i organizuar.

Pas ekzekutimit të tyre, ata që sot ju hungërijnë me egërsi të pashoqe, në atë rast, do tu kishin organizuar ceremoni funebre plot tam-tame, do të mbanin fjalime “prekse” mbi trupat e tyre e do të teatronin me deklamim se shteti “do tu merrte hakun” !!!

Kjo nuk ndodhi për fatin e oficereve të policisë dhe familjeve te tyre.

Të paktën ata sot jane gjallë ndër ne, por dëshmitarë të rëndësishëm.

E në këtë rast, të diskretituarit nga mbetja gjallë e tyre, nuk bëjnë dot ceremoni funebër me lot krokodili por kanë dalë në origjinë e në dritë të diellit.

Përsërisin as më shumë e as më pak, atë çfar ju kanë thënë oficerëve, kriminelët me pistoletë mbi kokë.

Në rastin e pushtetarëve ka vetëm një ndryshim formal.

Pistoleta është zëvendësuar me altoparlantin e propagandës së pushtetit që ka rrëzuar edhe vetë shtetin.

Urrejta është po e njejtë.

Në të vërtetë, ajo nuk është thjeshtë urrejta për oficerët e policisë Zagani dhe Nuhu.

Ajo është urrejtja për shtetin, urrejtja për ligjin, urrejtja për të drejtën, urrejtja ndaj gjithkujt që beson tek parimet, vlerat, kontributet.

Urrejtja ndaj atyre që sfidojnë të keqen, përgjunjëjen.

Skërrmitja skandaloze e Kryeministrit ndaj oficerit të policisë se ; “nuk do të ndahemi këmba këmbës”, nuk ishte thjesht një kërcënim ndaj atij. Jo !

Oficeri tashmë është në mbrojtjen e tjetërkujt.

Asnjë banditi nuk i afrohet dot e për rrjedhojë nuk e rrezikon dot.

Ai mesazh ishte një kod për organizatat kriminale që u denoncuan nga oficeri i policisë.

Ai mesazh në fakt garanton banditët që u denoncuan nga oficeri se punën e tyre mund ta përfundoj ai, i gjithpushtetëshmi mbi policinë, prokurorinë, shërbimin sekret, paratë e shtetit, e gjithshka tjetër që mund të shërbej si shkop apo kamzhik.

“E ku është problemi këtu”, mund të pyesi dikush ?

Nuk është thjesht “problemi”, por modeli.

Modeli, kur personat në kërkim formalisht nga policia për krime të rënda, në realitet shijojnë ditën e natën, qejfin, në mes të kryeqytetit, me armë në brez e që qëllojnë kudo e kur tu duhet mbi këdo.

Në fakt nuk është problemi madhor pse banditët tallen me policinë por sepse shkelin me këmbë të gjithë shtetin.

Nuk është fatale pse ata kanë miqësi me pushtetin por se në cdo moment mund të marrin jetën e një qytetari të thjeshtë e do vijojnë të pinë verë.

Shteti ka rënë, por jo e vërteta !

E vërteta kërkon drejtësi dhe drejtësia do bëhet. Nuk ka alternativë !

Alternativa e vetme është rivendosja e shtetit ligjor.

Atë ditë e tutje, do të nisë saga e keqbërësve. Të të gjitha llojeve.

Unë e besoj fort se me rivendosjen e shtetit ligjor do të kemi shumë e shumë dëshmitarë të mbrojtur si oficerët Zagani e Nuhu.

Do të kemi shumë dëshmitare të mbrojtura si vajza nga Nikla.

Dëshmitarë të mbrojtur por dhe të penduar bashkëpunëtor të ligjit.

Dëshmitar të mbrojtur e të penduar ndaj lidhjeve dhe bashkëpunimit të politikës me krimin.

Dëshmitar të mbrojtur e të penduar për hetimin e narkotizimit të vendit.

Dëshmitar të mbrojtur e të penduar për vjedhjen, grabitjen, konçensionimin korruptiv të pasurisë dhe jetës së shqiptarëve.

Dëshmitar të mbrojtur e të penduar për kapjen dhe keqpërdorimin e drejtësisë.

Një Divizion me dëshmitar të mbrojtur do të jetë i pamjaftueshëm.

Nuk ka Alternativë tjetër !

Loading...
You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.