I varfëri dhe i pasuri…

Unë jam i pasur,
Para kam me thasë,
Veç vdekjes i trembem,
S’i trembem dynjasë.

Të gjithë më duan,
Shumë më respektojnë,
Në festa dhe gëzime,
Të parin më ftojnë.

Biznese pa fund,
Në banka miliona,
Të gjithë më thonë,
Marsh nga ditët tona!

Bëj edhe të mira,
Ndër ca fukarenj,
Dhe ca mbeturina,
S’i hedh në përrenj.

Para kurrë nuk fal,
Asnjë kokërr leku,
Thjesht, i investoj,
Do gjalpin byreku!

Në lokale dhe darka,
Me shokë dhe të huaj,
Nxjerr një tufë me euro,
Por kurrë nuk paguaj!

I nxjerr tufat e pareve,
Thjesht për ekspozim,
Të josh ndonjë femër,
Ta fut në shtratin tim!

Femra është e zgjuar,
do paratë or mik,
Le të ketë për burrë,
Më të fortin epik.

Eh, ç’qejfe kam bërë,
Dhe vazhdoj pa fund,
Ashtu urtë e butë,
Shqep çdo minifund.

Kam siguruar me pare,
Nja dhjetë breza, po!
Trashëgimtarët e mi,
Do të lozin me to!

I varfëri e dëgjonte,
Tek i mburrej bosi,
Dhe mendjen e kishte,
A i qe zënë kosi.

Të lumtë or mik,
Që je kaq i zoti,
Je kaq pasanik,
Këtë e di dhe Zoti!

Veç një gjë ta dish,
Unë fle rehat,
Kur ti përpëlitesh,
Netëve në shtrat.

Të vdes nuk kam frikë,
Shpirtin kam të qetë,
Paratë pas vdekjes,
S’vlejnë as si fletë..

Këshillat e pasqyrës..

“Duaj veten të të duan,
Mbaju më shumë se je,
Kafen mos e pi të lirë,
Uji fle, hasmi s’le..

Fol e qesh ngado që shkon,
Gojëmbël, gojëmjaltë,
Dhe kur qeni të kafshon,
Në asfalt edhe në baltë..

Rruaju mirë, dy herë në ditë,
Ngrije trupin “kas” përpjetë,
Buzëqesh ngado që sheh,
Dhe kur sheh ndonjë koketë..

Dhe po s’pate hiç para,
Mbaj ca karta kot krediti,
Dhe në shpinë një çantë firmato,
Lyej këpucët prej igeliti…

Mbaj një varëse prej floriri,
Dhe sikur pa bukë të rrish,
Dhe kujdes se mos bën gafë,
Ndonjë gotë që ta pish..

Në s’ke orë të mirë fare,
Që ta mbash në kyç të dorës,
Bli ndonjë nga ato fallcot,
Që t’ja marrësh zemrën Lorës…

Në të mungojnë ty ca dhëmbë,
Shko me vrap ti tek dentisti,
Veri shpejt e mos humb kohë,
Që të këndojë kitaristi..”

Moj pasqyrë, moj bukuroshe,
Ti rrofsh që më dhe këshilla,
Në më duan të jem fallco,
Kurrë s’do zbatoj të tilla!..
03/02/2019

Medi Belortaja

Loading...
Të ngjashme

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.