Haremi i Kryeministrit

Ermal Mulosmani

Lufta e “konkuibinave” për vëmendjen Kryeministrore!

Kohërat moderne kanë ndryshuar dukjen por jo thelbin.  Të gjithë autokratët e zgjedhur me votë demokratike, pra udhëheqësit e një shoqërie postdiktaturë, e kanë me të vërtetë të vështirë të ambientohen me rregullat demokratike të konsoliduara në Perëndim. Sot, shqiptarët janë dëshmitarë që, të gjithë udhëheqësit post diktaturë, kanë  qenë të ndikuar nga etja për nënshtrimin e kundërshtarëve dhe krijimin e rrethit të tyre servil, idolatrik që të miklojnë me fjalë dhe të adhuron si hyjnitë. Sjellje kjo tipike për diktatorët e botës së tretë por mund të sillet në një dimension surrogato edhe në demokraturat e vendeve të pazhvilluara. E ka pasë këtë cilësi i pari Sali Berisha, në të dyja herët që e qeverisi Shqipërinë. E kishte edhe Nano.

Por, shkëlqimin e tij e arriti me Kryeministrin Edi Rama!

Kryeministri ynë e ka një cilësi të lindur që nuk mund t’ia mohojë  asnjeri. Nëpër tavolina, takime formale apo informale apo edhe dalje televizive, ai shkëlqen me batutën, me dukjen, gajasjen e publikut dhe efektin momental, jo atë afatgjatë.  Spikati në këtë drejtim kur, në vizitën e tij në Serbi, sapo ekzaltoi gjithë shqiptarët kudo që ndodhen dhe pa që Kryeministri serb u mërzit, iu drejtua edhe atij “Aleksandër, mos u mërzit. Hajde edhe ti në Tiranë dhe thuaj çfarë të duash”! Kaq e parëndësishme ishte përmbajtja dhe rezultatet konkrete të takimit sa Kryeministri ynë i mbylli me një batutë!

Kryeministri serb shtangu, nuk po i besonte veshëve.

Por pakkush u mor me këtë punë, të gjithë u morën me atë “sesi ia mblodhi Kryeministri Rama brenda në Beograd”. Për këtë shërbejnë lakenjtë e tij të shumtë, shumica viktima të shfrimeve të tij plot gulç. Dhe pikërisht këta janë objekt i këtij shkrimi.

Ata janë haremi simbolik i tij. Sigurisht nuk e kam fjalën në kuptimin e parë të kësaj fjale.  Por, e kam fjalën në kuptimin figurativ të haremit. Pra njerëz që presin radhën për vëmendjen Kryeministrore.  Dhe haremi i Kryeministrit i ka të gjitha shtresat e shoqërisë brenda.

Rrethi i parë, më të durueshmit, më të dhunueshmit janë në Partinë Socialiste. Prej tyre e mori pushtetin. Pra janë Gramozi, Pandi, Et’hem Ruka, Fatmir Xhafa, Arta Dade, Musa Ulqini, Servet Pëllumbi, Maqo Lakrori, Namik Dokle, Arben Malaj, Kastriot Islami etj etj. Në vitin 2005, kur Rama mori pushtetin këta ishin rrethi i parë I PS.  Ata sot shohin Ministra të Partisë Socialiste Gent Cakajn, Besa Shahinin, Elva Margaritin, Ogerta Manastirliun, Blend Çuçin, Sandër Lleshin, Belinda Ballukun, Anila Denajn, Etilda Gjonajn, Olta Xhaçkën apo Elisa Spiropalin.

Dhe mbajnë gojën hapur. Si ndodhi kështu që na e vodhi Partinë?! Por edhe Gramozin jo vetëm Partinë…

Ata tashmë ndjehen të përdorur dhe jashtë haremit të Sulltanit. Si një limon i shtrydhur që shërben për talljet kryeministrore. Ata hanë veten me dhëmbë sepse kuptojnë që e varrosën PS-në duke i dhënë vulën e saj Edi Ramës. Aq përbuzës është Kryeministri për këta njerëz sa, Pandeli Majkon, dy herë Kryeministër dhe një figurë me reputacion popullor, e emëron Ministër të bashkatdhetarëve. Një post ky, qesharak, i krijuar nga Ai vetë për të qeshur me Pandin.

Rrethi I dytë i haremit janë Ministrat e zgjedhur prej tij. Mjafton të ndjekësh dy momente. I pari ishte mbledhja e fundit kur Ai lajmëroi ndryshimet në Qeveri. I kishte mbledhur të gjithë Ministrat pa iu thënë asgjë. Një formë shumë joshëse e dhunimit, i jep shumë kënaqësi liderit. Aty ai njoftoi shkarkimin “live” të shtatë Ministrave. Dhe jo vetëm kaq. I kishte porositur që, në momentin kur të lexonte emrin e aksh Ministër një kamera e ERTV-së të fiksonte fytyrën e tij! Dhe pamë shfaqjen melodramatike të lotëve apo vuajtjeve gjithsesi nënshtruese! Kulmi ishte kur, Kryeministri lexoi pas gjashtë emrave të panjohur për Partinë Socialiste, emrin e Erion Braçes! Efekti ishte i mirëllogaritur dhe posti qesharak! Salla shpërtheu në duartrokitje dhe Erioni në lotë….

Sepse lideri mund edhe të mos kishte asnjë socialist në Qeveri. Por jo, Ai nuk është nga ata. Madje e bën Zv/Kryeministër! Pra asgjë. Thonë që Erioni këto kohë ka filluar të kontrollojë zbatimin e orareve në Kryeministri.

Rasti I dytë që tregon se deri ku ka shkuar vetëdenigrimi I Ministrave në funksion të Kryeministrit ishte debati i tij me Berishën në Parlament. Ishte një moment kur, Kryeministri, iu drejtua Berishës:”Gruas sime, ti, i han atë që s’thuhet”. E kishte fjalën për mutin po mendoj. Veç kur shoh një shpërthim duartrokitjesh dhe fytyra të ekzaltuara nga dy Ministret në podiumin e Qeverisë, Elisa Spiropali dhe Olta Xhaçka!

Spiropali është kthyer tashmë në një lloj personazhi kaq qesharak sa do të shërbejë në të ardhmen si një etalon i servilizmit, i pahasur më parë në histori.

Rrethi i tretë i haremit Kryeministror janë mediat dhe figurat kryesore të tyre. Spikat në këtë drejtim Baton Haxhiu. Ai, sipas gojëdhënave, është “kryekonkubina”.  Të gjithë janë xheloz për vëmendjen që i jep Kryeministri atij. Si të gjitha “kryekonkubinat”, edhe Batoni e ndikon Sulltanin e vet. Thonë, që, Batoni po e pregatit për një pushtim të ri, atë të Kosovës. Ai nuk e fsheh ndikimin e tij. Në një dalje televizive, deklaroi me modesti e lot në sy: ” Nuk ka njeri që mund të ketë merita sa unë për bashkimin Shqipëri-Kosovë”! Batoni edhe mallëngjehet kur e sheh që shqiptarët po e sulmojnë Kryeministrin. I duket sikur nuk po e kuptojnë, mendon se është i parakohshëm për këtë vend të pazhvilluar. Monologjet e tij të brendshme sigurisht e vajtojnë pamundësinë për ta parë Ramën si lider evropian që “kombinon shkronjat me lehtësinë që Moxarti kombinonte notat”! Por, ç’ti bësh ky popull na ra ne të dyve…

Ndjeshëm pas Batonit, renditet i dyti i rrethit mediatik.  Karlo Bolino deklaron: “Unë jam shqiptar i Republika e Shqipërisë”! Ai gulçon nëpër studio në mbrojtje të shefit në pritje të një telefonate, dreke apo sms. Sigurisht, problem më i madh i tij nuk janë sharësit e Ramës, është Batoni. Xhelozia mes konkuibinave nuk krahasohet me asgjë.

I tretë I rrethit mediatik  është pak më i gjerë. Aty janë Shpëtim Nazarko, Mustafa Muçi, Lorenc Vangjeli. Këta janë cinikët e Kryeministrit. Ata e kanë idhull pa shpërblim. Mjafton, ndonjëherë, ndonjë sms. A e keni parë sesi kënaqet Lorenci kur bën ironi seksi? Bën si donzhuan në studio? Por edhe të hakërrehet se do të tregojë që edhe ai është pjesë e këtij pushteti… Lëre pastaj Mustafai!  Një 60 vjeçar që shan e kërcënon në studio, gazetarë e deputetë, në mbrojtje të së vërtetës së vet. Që gjithmonë shkon në unison me të vërtetën qeverisëse. Ky kënaqet boll që Kryeministri t’i shkojë njëherë në studio dhe ti vërë këmbët mbi tavolinë. Do thotë pastaj: ”Ky këmbët I ka vënë vetëm tek tavolina ime”!  Ndërsa shahisti është nën efektin e liderit. Ai aq din aq thotë. E dashuron pa kushte.

Rrethi i katërt i haremit Kryeministror janë oligarkët. Këta, në fakt janë rrethi parë. Por, për hir të profilit publik pak të mënjanuar, i spostova në rrethin e katërt. Ata janë bashkëqeverisësit e Kryeministrit.  Ata përfitojnë “copëra Shqipërie në gostinë Kryeministrore”.  Siç tha deputeti Das Shehi.

Rrethi i pestë i haremit Kryeministror janë artistët, personazhet publikë, shoqëria civile. Këta kënaqen me nga një ftesë formale në ceremonira koti, një mesazh për ditëlindje ose një shishe verë. Mahniten nga oratoria dhe batutat dhe të nxjerrin sytë nëse thua ndonjë fjalë kundër tij. Të shohin me mëshirë, me gjasme “Sa gjynah që nuk e kuptoni”! Shembulli tipik ishte Saimir Pirgu I ngratë. “Dyqindmijë koncerte- tha Sajmiri- më duhen për një gomë” Dhe sa Sajmirë ka ky vend…

Të gjithë “konkuibinat” që nuk e gjetën veten në këtë shkrim ju kërkoj ndjesë. Janë edhe dy a tre rrethe por zgjatesha fort me shkrimin. Por ju premtoj që do ju përmend sapo të bjerë rasti. Kjo nuk është shënjë nënvlerësimi.

Loading...
Të ngjashme

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.