Gjykata i refuzoi kërkesën për rigjykim te riut lazaratas

Gjykata për Krime të Rënda i ka rrëzuar kërkesën për rigjykim të riut nga Lazarati, i dënuar si pjesë e grupit që vrau efektivin e RENEA-s, Ibrahim Basha.

 

 

Ruhan Hiraj u ekstradua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fillim të korrikut dhe menjëherë iu drejtua Gjykatës me një kërkesë për rigjykim, pasi sipas tij, është gjykuar në mungesë.

Kërkesa e tij nuk është pranuar nga gjyqtarja Liljana Baku, ndërsa pritet që ky vendim të apelohet në Gjykatën e Apelit. 22-vjeçari ishte prej katër vitesh në kërkim ndërkombëtar, ndërsa Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda në Tiranë, në vitin 2018 e ka dënuar këtë shtetas me 15 vjet burg për disa vepra penale.

Konkretisht, Hiraj është dënuar për veprat penale: “Kundërshtim i punonjësit të Policisë së Rendit publik me dhunë”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi i armëve luftarake”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrja në bandën e armatosur”. Ngjarja për të cilën është akuzuar dhe dënuar i riu ka ndodhur në 24 qershor 2015, në fshatin Lazarat të Rrethit Gjirokastër.

Shtetasi Ruhan Hiraj, në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të punonjësve të Policisë të repartit RENEA, të cilët kanë qenë brenda në automjetin e Policisë në vendin e quajtur “Pularia”.

Si pasojë e këtyre të shtënave, ka mbetur i vrarë brenda në automjetin e Policisë, punonjësi i Policisë Ibrahim Basha dhe janë plagosur punonjësit e Policisë, J.I. dhe P.H.

Për këtë ngjarje, Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë 2 dënime të përjetshme, konkretisht për Arbion Alikon dhe Bajram Boçin, ndërsa për pjesën tjetër të grupit u dha një dënim në total mbi 100 vite burg.

Loading...
Të ngjashme

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.