Fushata e shpëlarjes së trurit dhe individët “copa mishi me dy sy “!

Nga RED Varaku

Ti nuk ke ideologji, prandaj shijon vetëm spektakël, i cili në fakt “prodhon vetëm nënshtrim dhe impotencë mendore”. Ti e ke të pamundur të ndash iluzionin që ndërton propaganda nga realiteti. Ti bie shumë lehtë prè e propagandës, e cila ndez eufori dhe zjarrmi brenda teje, duke deformuar çdo mendim që buron nga nevoja për liri.

Përmes imazheve, tumaneve, mirazheve, instalacioneve, sloganeve dhe klisheve, ti mendje e vogël ,shpirt katran, që të josh ideja e një realiteti rrëzëllitës dhe kompleks, ndëshkon masivisht cilindo që guxon të vërë në dyshim realitetin ku ti jargavitesh dhe vegjeton. Sepse propaganda e dritave dhe fishekzjarreve krijon një lloj ekstaze kolektive drithëruese dhe të fut ty, në një gjendje amnezie fatale.

Sepse, ti je i varur ndaj imazheve të manipuluara me mjeshtëri nga mjeshtrat e lavazhit, masazhit dhe propagandës, të cilat të serviren përmes nuancave ambigue dhe të bëjnë ty konfuz, sepse ti parapëlqen narrativa sempliste, parapëlqen një lloj silazhi haluçinant propagandistik spektakolar, diarre komentesh rrjetesh, merimangash. Ti o i paditur preferon më shumë iluzionin e një jete të lumtur, sesa të vërtetën e një jete të vetmuar.

Ti je viktimë e një propagande të maskuar si ideologji, viktimë e aromës dhe yshtjes së qofteve dhe birrës, kanabisit dhe eurove, kazanit dhe tepsisë, timonit dhe euforisë, silazhit dhe tallazhit, “amballazhit”. Ti nuk e kupton që përdoresh si mish për top. Por në fund të ditës, pas amnezisë, jeton përsëri në ankthin që krijon rreziku permanent i një kolapsi total financiar, jeton në ankthin e një epoke pa të ardhme, në ankthin dhe makthet që vjell vetmia.

Por, magjia e pilulave, ngjyrave dhe e spektaklit të rikthen përsëri në gjendje amnezie, në një fantazi irracionale, përmes pseudo-ngjarjeve të njëpasnjëshme, fotokopje bardhezi të njëra-tjetrës. Me një ritëm dhe shpejtësi, të papërballueshëm për trurin tënd të vogël, i cili është dënuar të jetë thjesht soditës i një realiteti, që ka ngrirë në cikle ngjarjesh të krisura, pa kuptim, ndaj magjepsjes së të cilit është dorëzuar pa kushte, siç i është gjunjëzuar pa kushte iluzionit vezullues që krijojnë mjeshtrat e spin-it, predikuesit sharlatanë, klloun-artistët e spektakleve, dhe një industri e tërë argëtimi ,e cila sugjeron forma nga më absurdet të arratisjes shpirtërore.

“Fake news”, debatet sterile, serialet trushpëlarës nuk ofrojnë më ide ,sepse idetë ty të rraskapisin. Ato ofrojnë vetëm argëtim dhe shalë-ma(e)sazhe për ty, sepse ti je i obsesionuar me sipërfaqësoren, aparencën, dritat, fishekzjarret, shkëlqimin. Emisione me opinione të balancuara dhe informacion të besueshëm, pothuajse nuk egzistojnë më ,dhe kjo falë teje. Të gjitha informacionet janë kthyer në promocione dhe marketing, të punuara hollë nga “piarët e inxhinjerimit social” vetëm për ty dhe sojin tënd.

Ti je i mpirë dhe nuk reagon , sepse tashmë ti nuk ndjen më asgjë ,ngaqë të kanë futur në gjendje anestezie . Ti nuk arrin të dekonstruktosh realitetin ku ndodhesh, ndaj e ke të pamundur të ndash iluzionin që ndërton propaganda nga realiteti, ngaqë të mungojnë konceptet intelektuale për të kuptuar kompleksitetin e problemeve me të cilat po përballesh sot.

Si pasojë, ngaqë shumica tashmë janë si ty ,të “shpëlarë trush” ,po shkojmë me shpejtësi drejt një kolektiviteti të sëmurë dhe të pakujtesë me një impotencë mendore të pashembullt, një shoqëri që ka humbur kuptimin e vetvetes dhe atë të vetë jetës, ku individët nuk janë tjetër veçse “copa mishi me dy sy “!

Loading...
Të ngjashme

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.