Emigracioni “zbraz” Shqipërinë, sociologu: Të rinjtë kanë vështirësi për krijimin e familjeve

Sipas Institutit të Statistikave, rënia për vitin 2018 ishte 0,3%, ndërkohë që shtesa natyrore e popullsisë, që është raporti mes lindjeve dhe vdekjeve ra 17,4 % krahasuar me një vit më parë.

Sociologu i njohur, profesor Zyhdi Dervishi, thotë se të rinjtë e sotëm kanë vështirësi për krijimin e familjeve. Sipas tij, shkaqet në radhë të parë duhen parë tek problemet ekonomike dhe tek emigracioni i lartë.

Deklarata e sociologut:

Ndalimi i hemorragjisë së emigracionit nuk realizohet me masa administrative, me masa kufizuese, por me zhvillim ekonomik. Unë mendoj që duhen marrë masa që të rinjtë të martohen më shpejt dhe që të martohen të rinjtë më shpejt, padyshim ata duhet të jenë të punësuar, duhet të kenë kushte për të banuar, duhet të merren masa që familjet e reja që lindin fëmijë të mund të kenë favore jo të vogla.
Unë mendoj që nënat tre vitet e para pas lindjes mund të paguhen me pagesë të plotë pa punuar derisa të rrisin fëmijën dhe të suprimohet sistemi i çerdheve dhe fëmija të shkojë direkt në kopsht, nuk është ndonjë humbje e madhe për ekonominë nëse sponsorizojmë një nënë të re që të rrisë fëmijën e saj tre vjet.”

INTERVISTA/ Sociologu i njohur lëshon alarmin mbi  shifrat tronditëse të rënies së popullsisë: Fillimi i tragjedisë më të rëndë të popullit shqiptar

 Plakja e popullsisë shqiptare përveçse ka marrë përmasa dramatike, kërkon përmirësimin e politikave. I këtij mendimi shprehet posaçërisht për “Albanian Free Press”, sociologu i njohur, Gëzim Tushi. Duke komentuar shifrat më të fundit të Institutit të Statistikave për popullsinë shqiptare, ai ka shtuar se për këtë ka ndikuar ulja drastike e lindshmërisë, por edhe emigracioni.

Z. Dervishi. Para disa ditësh, u prezantuan shifrat më të fundit zyrtare rreth popullsisë shqiptare, të cilat e shfaqnin atë sërish në rënie dhe duke u plakur. Si do ta komentonit ju këtë situatë?

Pakësimi i numrit dhe i peshës specifike të lindjeve në shoqërinë shqiptare, me keqardhje të thellë, e konsideroj si fillimin e tragjedisë më të rëndë të popullit shqiptar; si populli me fatet më tragjike ndër popujt e Ballkanit dhe të gjithë Europës. Hapësira e shqiptarëve në Ballkan ka densitetin më të lartë të pasurive të shumëllojshme natyrore si asnjë rajon tjetër i botës. Atdhetari i madh dhe njëherazi kritiku me fuqi sarkastike më të madhe të të metave të shqiptarëve, Faik Konica, në fillim të shekullit XX ka shkruar se hapësira – pronë e shqiptarëve në Ballkan është e mjaftueshme për të jetuar më mirë se zvicerianët. Por nëse lindjet pakësohen me këto ritme të frikshme dhe hemorragjia e emigracionit do të vazhdojë me pasoja traumatike, nuk do të jetë e largët dita kur në trojet ballkanike të shqiptareve nuk do ketë më shqiptarë, por vetëm varret e tyre. Më pas, kujtimi i varreve, derisa të shuhet edhe kujtimi…

 Por çfarë duhet bërë sipas jush, që popullsia shqiptare t’i shmanget një tragjedie të tillë?

Që kjo tragjedi të mos ndodhë është domosdoshmëri urgjente të merren masa komplekse për stimulimin e rritjes së numrit të lindjeve të fëmijëve. Këto masa që sugjeroj, mund të duken futuriste, jorealiste. Por unë mendoj se janë krejt të realizueshme.

Cilat janë konkretisht ato sipas jush?

E para, nënave që lindin fëmijë, tre vjet pas lindjes së tyre, t’u akordohet pushim me pagesë të plotë, me qëllim që të mirërrisin fëmijën, i cili të shkoje direkt në kopsht. E dyta,

nënat që nuk janë të punësuara për tre vite pas lindjes së fëmijës, të paguhen me një pagë mesatare dinjitoze. E treta,

familjet që kanë më shume se dy fëmijë, të kompensohen për fëmijën e tretë, të katërt, etj. E katërta, të punësohen me përparësi nënat me shumë fëmijë, prindërit me më shumë fëmijë.

Një mesazh që do të donit të lançonit publikisht lidhur me këtë situatë…

Hapësira shqiptare ka pasuri të shumëllojshme, të cilat duhen vënë në efiçencë për të rritur popullsinë shqiptare,  që është pasuria më e madhe e tokës sonë të begatë, të vaditur me lumenj gjaku të të parëve tanë. Nderimi më i madh që do t’i bënim kryeheroit të popullit shqiptar, Gjergj Kastrioti, do të ishte pikërisht ideimi dhe fillimi i zbatimit të masave për shtimin e popullsisë shqiptare në Ballkan.

Alarmin për rënien e popullsisë në Shqipëri e ka ngritur edhe Organizata e Kombeve të Bashkuara. Ajo ka parashikuar tre skenarë deri në vitin 2100 dhe në tre rastet vendi ynë rezulton me rënie të popullsisë.
Varianti më dramatik flet për 860 mijë banorë, kurse skenari më optimist për 2 milionë e 800 mijë banorë. Varianti normal parashikon që Shqipëria të popullohet me vetëm 1 milionë e 600 mijë banorë në 2100.
Loading...
Të ngjashme

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.