Edi Rama përpara pasqyrës gjermane, më keq se Pinoku!

Në mbledhjen e djeshme me Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste, Edi Rama, u përpoq që të bindë të tijtë, se ajo që ndodhi në Samitin e Berlinit për shtyrjen sërish pa kohë të hapjes së negociatave për Shqipërinë,  nuk është ashtu siç duket.

Porosia që ju dha deputetëve ishte që urgjentisht të zbarkonin nëpër studio televizive dhe të qetësonin socialistët dhe gjithë shqiptarët, se negociatat shtyheshin edhe pak, se ashtu ‘i ka hallet’ Bundestagu gjerman dhe BE-ja. Pas kësaj me në krye Taulant Ballën, Elisa Spiropalin e Gent Cakajn, pasditen dhe mbrëmjen e djeshme nisi një fushatë mediatike për të sfumuar thelbin e këtij Samiti, që media e prestigjioze Financial Times e cilësoi; ‘Ujë të ftohtë’.

Rama në komentin e tij të vetëm pas kthimit nga Berlini (përveç replikës së tipit ‘krenar, por i përmjerrë’ me Ramush Haradinajn) sulmoi mediat në Shqipëri, por edhe Kosovë duke i cilësuar ‘ të marra dhe të liga’, për mënyrën se si e pasqyruan Samitin në fjalë. Me plot gojë edhe përpara gazetarëve, Rama, tha se në fakt Samiti nuk kishte të bënte fare me integrimin e këtyre vendeve në BE dhe zhvillimet e brendshme në Shqipëri.

Por një gazetë e madhe dhe me reputacion global si britanikja ‘Financial Times’, pikërisht ditën e djeshme në një artikull me titullin ‘Franca dhe Gjermani i hedhin ujë të ftohtë shpresave të Ballkanit, për anëtarësim të menjëhershëm në BE’, këmbënguli për ‘marrëzirat dhe ligësitë’ që u botuan në mediat e pa kapura shqiptare. Në këtë shkrim që ju referohej burimeve tepër të besueshme brenda Samitit të Berlinit thuhej e ‘zeza mbi të bardhë’, se kancelarja Merkel dhe presidenti Makron u kërkuan drejtuesve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ‘të rregullojnë njëherë punët në vendet e tyre, pasi mundësitë që ato të hyjnë së shpejti në BE janë shumë të vogla’.

Duke u kthyer te fjalimi përpara deputetëve të tij, Rama, pasi u përpoq që  ti qetësojë se në Samit nuk u diskutua fare për çështjen e integrimit, harroi dhe pak minuta më pas tha se në fakt ai dhe Kancelarja Merkel kishin zhvilluar një takim, pikërisht për çeljen e negociatave.

‘Kancelarja Merkel kishte dy takime bilaterale me mua dhe me Zaevin për çeljen e negociatave, por si edhe në herët e tjera, unë nuk shkova të njihem me vendimin e Gjermanisë në zyrën e Kancelares, se dihet që ky vendim kalon përmes Bundestagut, aq më shumë pa dalë raporti i Komisionit’, deklaroi tekstualisht dje Rama.

Le të anashkalojmë mashtrimin e brenda pak minutave që bëri, sepse tashmë këtë e ka pjesë të vijës së sjelljes së tij edhe ndërkombëtarisht, por të trajtojmë një gënjeshtër që ka më shumë se dy vjet që ju hedh shqiptarëve për dështimin e tij madhor 6 vjeçar, në lidhje me procesin tonë të integrimit.

‘Unë nuk shkova të njihem me vendimin e Gjermanisë në zyrën e Kancelares, se dihet që ky vendim kalon përmes Bundestagut’, thotë pa ju skuqur dhe zverdhur asnjë por lëkure.

Por çfarë ka thënë në kulmin e këtij debati po Edi Rama (hapja e negociatave) në 28 Nëntor 2016 në një intervistë për DW pas një vizite në Berlin, pasi një grup deputetësh gjermanë e kryqëzuan për drogën, korrupsionin dhe krimin e organizuar?!

‘Është e natyrshme të ketë deputetë, që kanë pikëpamjet e tyre në parlamentet e ndryshme të vendeve të BE-së. Por dhjetori nuk ka të bëjë fare me Bundestagun gjerman, dhjetori ka lidhje me qëndrimin e qeverisë gjermane dhe të qeverive të tjera për rekomandimin e Komisionit Europian. Edhe pse ajo (Merkel) nuk është shprehur hapur…Ajo ka përshëndetur arritjet, reformat e rëndësishme, që kemi ndërmarrë, gjë që e ka përsëritur edhe gjatë bisedës’, deklaronte atëherë kryeministri.

Pra në nëntor të vitit 2016 thoshte se, ‘Dhjetori nuk ka të bëjë fare (Hapja e negociatave) me Bundestagun gjerman, por ka lidhje me qëndrimin e qeverisë gjermane’, kurse ditën e djeshme më 2 maj 2019 deklaroi se, ‘Unë nuk shkova të njihem me vendimin e Gjermanisë në zyrën e Kancelares, se dihet që ky vendim kalon përmes Bundestagut’.

Por kush është arsyeja që ky mashtrues në pushtet të cilin shumë e cilësojnë patologjik gabimisht (sepse në fakt është i ndërgjegjshëm), një herë fatin dhe çelësin e negociatave të Shqipërisë (Viti 2016), ja ‘faturon’ kancelares Merkel dhe qeverisë që ajo drejton, kurse pas dy vitesh (Maj 2019) parlamentit, Bundestagut gjerman?!

Nëse ju kujtohet fundviti i 2016-ës ishte koha kur parlamentari gjerman Gunther Krichbaum në krye të një delegacioni deputetësh, vizitoi Tiranën dhe ja bëri të ditur në sy kryeministrit Rama opinionin, mendimin dhe vendimin e shumicës parlamentare gjermane kundër hapjes së negociatave me BE-në, duke parashtruar edhe shtatë kushte për të marrë pëlqimin gjerman në një kohë tjetër. Thelbi i konstatimeve të këtij delegacioni të Bundestagut ishte kanabizimi i vendit dhe implikimi i policisë e strukturave shtetërore, trafiku ndërkombëtar i drogës, krimi i organizuar që kishte infiltruar edhe në ekonomi, korrupsioni në të gjithë piramidën e shtetit dhe mungesa e përparimit të reformave, ku përveç asaj në Drejtësi u vu si kusht edhe ajo Zgjedhore.

Gjithashtu ju kujtohet besojmë, se pas kësaj panorame të zezë që verifikoi delegacioni përfaqësues i Bundestagut, Rama personalisht dhe të gjitha mediat e kontrolluara prej tij, nisën një fushatë të paprecedentë sulmesh veçanërisht kundër deputetit gjerman Gunther Krichbaum, që është njëkohësisht edhe Kryetar i Komitetit të Çështjeve të BE-së në Bundestag.

Me këtë rast Rama vetë organizoi një video-monolog në ERT, ku lëshoi gjuhën me akuza të rënda dhe deklaroi se këta deputetë gjermanë dhe plot të tjerë europianë kanë ndërmarrë sulme ndaj Shqipërisë, për interesa personale politike. Në këtë kuadër ai ‘qetësoi’ të tijtë dhe shqiptarët, se këta zëra janë pa peshë për fatin e negociatave pasi vendimin e marrin krerët e qeverive dhe jo parlamentet. Rama ju referuar në fakt deputetit Krichbaum dhe Bundestagut që ai përfaqësonte në atë mision fakt mbledhës i cili e nxirrte Shqipërinë e Ramës një vend të kapur kokë e këmbë nga krimi i organizuar.

Pra kur parlamenti gjerman të nxjerr të palarat dhe të tregon realitetin, ai nuk ka punë dhe fuqi për vendimin e integrimit për Shqipërinë. Por kur kancelaria Merkel (qeveria gjermane) të thotë ‘rregullo njëherë punët në shtëpinë tënde, pastaj flasim për negociata (Samiti i Berlinit)’, atëherë ky proces na u varka nga parlamenti gjerman!

Ky është Edi Rama kur del përpara pasqyrës gjermane, më keq se Pinoku kur ishte çun i shumë i keq!/ Syri.net

Loading...
Të ngjashme

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.