EDHE UNË JAM NGELËS

Nga Kastriot Cipi

U kujtova që jam edhe unë ngelës. Madje i dyfishtë. Në shkollë të mesme e lashë një vit shkollën, në vitin e tretë, sepse nuk duroja dot një mësues që më jepte katër lëndë, që ishte idiot, i paaftë dhe arrogant. Ishte një pusht. që vajzave u kërkonte seks, ndërsa djemve si unë, që e imitonin dhe e vinin në lojë, përpiqej t’ua nxinte jetën.
E përsërita vitin e tretë. Për të zezën time, kur përsërita vitin, ky monstra më jepte gjashtë lëndë, plot 22 orë mësimi në javë. Ishin vitet ’80, socializëm… Nuk kisha ku ankohesha. Nuk e hiqja dot atë plehrë. Megjithatë e mbarova shkollën e mesme me mesatare të katër viteve 8.5.
Studiova katër vjet në Akademinë e Arteve, atje ku kishte studiuar edhe baskedbollisti Edvin Rama. Vetëm se unë studioja regji dhe bëja ca lëndë, që Rama nuk i kishte bërë. Psh letërsi shqipe dhe botërore. Kisha pedagog një stalinist, që donte me çdo kush të më ngelte. Nuk i pëlqenin etydet e mia me aluzione politike. Në vit të parë më vuri 4, por katedra nguli këmbë dhe mora 5 në regji. Në dhjetor 1990, më përjashtoi nga provimi i semestrit të parë të vitit të dytë me motivacionin “sa të jetë Partia e Punës ti nuk bëhesh regjisor”. Ndërhyri sërish katedra dhe unë e dhashë provimin. Në janar 1991 e hoqa unë pedagogun.
Dhe prapë ngela në provimin e diplomës. Duhej ta mbroja me një monodramë, por studenti i aktrimit që kisha zgjedhur (sot aktor i Teatrit Kombëtar, një nga ata që merr rrogën pa bërë zë) më braktisi ditën e provimit. Shfaqja nuk u dha. Ai mori 9, unë 4. Fillova punë dhe u riktheva një vit më pas, për të marrë diplomën me regjinë e shfaqjes diplomë të studentëve të aktrimit.
Edvin Rama nuk ishte ngelës. I porsadiplomuar, ishte emëruar pedagog. Diploma e tij ishte një pikturë murale e realizmit socialist, që shëmtonte murin e hollit të Fakultetit të Artit Skenik ku studioja unë. Ishte një kinezëri, siç quheshin atëherë. Ca figura të rreshtuara si në ndonjë tribunë manifestimi. Studentë që mbillnin fidanë, ndërkohë që një studente i binte violinës dhe një zog i bardhë i kishte qëndruar mbi sup. Në mes të hollit kishim riprodhimin në allçi të skulpturës së Kristaq Ramës, Enverin të ulur në kolltuk, replikë të origjinalit që ndodhej në muzeun e diktatorit. Ne i kalonim përbri dhe kur ishim të sigurt se përqark nuk kishte asnjeri, i hiqnim ndonjë vijë me stilolaps, ose e gërvishtnim me kaçavidë, derisa në korrik 1990 partia vendosi ta hiqte skulpturën. Në janar 1991, Edvini erdhi natën dhe e mbuloi me bojë të bardhë punën e vet të diplomës. Studentët që mbillnin fidanë janë ende aty, të balsamosur nën disa shtresa boje.
Unë dhe Robert Budina, ngelës edhe ai, ishim në Qytetin Studenti në 9 dhjetor, e pastaj në 10 e 11 dhjetor. Edvini nuk ishte ngelës. Ai u zhduk ato tri ditë dhe u shfaq vetëm pas mesnatës së 12-13 dhjetorit, me lugë në brez, për të hyrë në mbledhjen e themelimit të PD. Sot e kësaj dite vazhdon të tregojë një përrallë, sipas së cilës ai shkoi në Korfuz në 9 dhjetor dhe u kthye në 12 dhjetor, pasi hapi një ekspozitë atje. Unë nuk e kërkova kurrë teserën e PD-së, por e mbështeta deri në mars 1991, sepse unë isha ngelës. Ndërsa Edvini, të nesërmen e dështimit në përpjekjen për t’u bërë protagonist, anëtar i Komisionit Nismëtar, i shpalli luftë PD-së dhe Ismail Kadaresë. Në janar 1991 madje tentoi të themelojë edhe partinë e tij, me bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit. Sepse Edvini nuk ishte ngelës. Ishte pedagog me 0 ditë përvojë pune. Ishte baskedbollist mediokër i Dinamos, por ishte baskedbollist i Kombëtares. Ishte shkrimtar mediokër, por botonte tregime në revistën e Ministrisë së Brendshme “Në shërbim të popullit”. Ishte disidenti i rremë që kur i erdhi kamera e TVSH ta pyeste për Ligjin për Zgjedhjet e vitit 1990 u ankua se kryeredaktori i gazetës Drita, Bardhyl Londo, ia ndryshonte shkrimet para botimit.
Unë jam ngelës edhe sot. Me gjithë diplomën për regji dhe përvojën si regjisor, unë nuk gjej dot punë as si mësues i teatrit në ndonjë nga 50 shkollat 9-vjeçare të Tiranës, sepse lëndën e teatrit e japin mësuesit e vizatimit ose të fizkulturës, që kanë teserën e “rilindjes”.
Edvini nuk është ngelës. Ai është gjeni. Ai i di të gjitha. Ai nuk ka nevojë as për këshilltarë, madje as për ministra. Prandaj kemi një ministre arsimi me master të Albanian University. Prandaj kemi kryetar bashkie të Tiranës një individ, që nuk ka mbaruar as universitetin dhe nuk ka as gradën bachelor. Prandaj kemi deputetë, ministra e zv.ministra që akuzohen çdo ditë për plagjiaturë. Sepse këta nuk janë ngelësa. Këta janë hajdutë diplomash, që çuditërisht janë sponsorizuar me bursa të Sorosit gjithë jetën, individë që nuk kanë punuar asnjë ditë në profesionin e tyre.
Unë jam ngelës pra, prandaj u ndjeva mirë sot që fola në protestën e studentëve, atyre që Edvini që tani e ka ndrruar emrin dhe e ka bërë Edi (Ku ta dish pse? Mbase do ta sqaroje vettingu i politikës) i quajti ngelës. Sot jam ngelës dhe nuk më vjen aspak turp. Isha krenar edhe më parë, kur Edvini dhe Erioni më quanin shpellar, histerik, patetik, delirant, nostalgjik i sëmurë, vandal, anakronik…
Do të pranoj çdo epitet nga Edvini dhe Erioni. Vetëm një shprehje mund të më fyejë. Nëse më thonë se jam si ata!

Loading...
You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.