Dokumentat/ Minatori-agronom i KLP, Bazaj, dyshime për diplomë gjimnazi false

Avokat Tartar Bazaj, anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, mohoi disa muaj më parë akuzat publike për falsifikimin e diplomës së gjimnazit.

Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion ka dorëzuar një kallëzim penal ndaj Bazajt, ku, ndër të tjera, ngre dyshime se ai ka probleme me vërtetësinë e dëftesës së shkollës së mesme.

Tartar Bazaj, nga Sevasteri i Vlorës, rezulton se ka përfunduar vitin e fundit të gjimnazit në Shkollën e Mesme të Bashkuar në Krrabë të Tiranës, në vitin 1988. Ai i ka kundërshtuar akuzat në mënyrë publike. Për të mbrojtur qëndrimin e tij, Bazaj ka renditur në media edhe drejtuesit e shkollës së Krrabës në kohën kur ai ka përfunduar studimet.

Shikoni  tre dokumenta, të tre me vula origjinale apo të njëhsuara me origjinalin, të cilat kanë të dhëna të ndryshme.

Dokumenti i parë është diploma e vitit të fundit, ku Tartar Bazaj, me nr. Amze 524, përfundon vitin e fundit në Shkollën e Mesme të Bashkuar Krrabë, Tiranë, për “Miniera”, në vitin 1987-1988. Notat në këtë dëftesë janë relativisht të larta. Spikat lënda “marksizëm-leninizëm”, e cila është 10.

Dokumenti i dytë është një dëftesë e gjimnazit, me vulën e njëhsimit nga shkolla e mesme e Sevasterit dhe me shënimin “marrë nga fondi i arkivit Tiranë për shkollën e mesme Krrabë”. Edhe në këtë dokument, numri i Amzës është i njëjti, 524.

Por, në këtë dokument të shkollës së Sevasterit, rezulton se Tartar Bazaj ka kryer vitin shkollor 1987-1988 në Vlorë, pra, në të njëjtën periudhë që e ka kryer edhe në Tiranë (???). Gjithashtu, në këtë dokument nuk jepet asnjë shënim për degën e ndjekur nga Bazaj, ndërkohë që notat janë shumë të ulta.

Dokumenti i tretë është një tjetër dëftëse gjimnazi, në emër të Tartar Bazaj, me vulën e njëhsimit nga shkolla e Sevasterit. Në këtë dokument, numri i Amzës është tjetër, nr. 438. Në këtë dokument, Bazaj rezulton se është shkëputur nga shkolla e Sevasterit në vitin shkollor 1986-1987. Në këtë dëftesë, shënohet se ai ka kryer studimet e mesme për “Agronomi” dhe notat, gjithashtu janë shumë të ulta.

Pra, tre dokumenta për të njëjtën periudhë, të tre me vula zyrtare, të tre me të dhëna të ndryshme.

Para se të analizohen më në detaje këto dokumenta, është e rëndësishme të theksohet një problem i rëndësishëm etik. Duket e pakuptimtë që një person, me formim bazë minator (apo agronom), të jetë pjesë e trupës që do të përzgjedhë Prokurorin e Përgjithshëm dhe prokurorët e SPAK-ut.

Vërtetësia e dokumentave të av.Tartar Bazaj, aktualisht anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, vihet në pikëpyetje nga një seri detajesh.

1. Dy dokumenta, njëri i shkollës së Krrabës dhe tjetri i shkollës së Sevasterit, të cilët mbajnë të njëjtin numër Amze, nr. 524, të dyja “me shkëputje nga puna”, dëshmojnë se Tartar Bazaj, në periudhën 1987-1988 ka qenë njëkohësisht edhe në Vlorë, edhe në Tiranë.

Largësia mes Sevasterit e Krrabës është mbi 200 kilometra dhe në periudhën kur Bazaj ka qenë në gjimnaz, kjo distancë përshkruhej për shumë e shumë orë, për shkak të mungesës së infrastrukturës. Pra, ose Tartar Bazaj ka qenë “superman” për të ndjekur njëkohësisht të dyja shkollat, ose dokumentat nuk janë realë.

2. Dy dokumentat e mësipërm tregojnë edhe për ecurinë në mësime të anëtarit të sotëm të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Në shkollën e Sevasterit, ai studionte për “Agronomi”, me nota të ulta, të mjaftueshme sa për të kaluar klasën.

Por, në dokumentin e shkollës së Krrabës, ku zhvillonte leksione shumë më të vështira, në degën “Minerë”, gjenialiteti i Tartar Bazaj shfaqet hapur. Lista e notave, sipas dokumentit të Krrabës, tregon se anëtari i KLP ka nota më të larta se mesatarja.

Pra, ose Tartar Bazajt ishte më i interesuar për Minierën sesa për Agronominë, ose dokumentat janë të pavërtetë.

3. Dokumenti i tretë, i cili mban vetëm vulën e njehsimit me origjinalin të shkollës së mesme të Sevasterit, jep të dhëna të ndryshme. Së pari, Tartar Bazaj ka një numër tjetër amze nga dy dokumentat e tjerë, nr. 438. Në këtë dokument rezulton që anëtari i KLP-së ka bërë vetëm 3 vite shkollë, për “Agronomi”. Nuk ka asnjë shënim më shpjegues nëse ai është larguar në ndonjë shkollë tjetër apo i ka ndërprerë studimet pa u diplomuar.

Natyrisht, edhe në këtë dokument, notat janë të ulta, gjë që dëshmon për “mungesën e gjenialitetit” të Tartar Bazajt për Agronominë.

Në emrin e Tartar Bazaj, rezultojnë dokumenta “zyrtarë”, të cilët kanë numër Amze të ndryshëm, gjë e cila krijon dyshimin e fortë se diku është bërë falsifikim.

Pra, duket qartë që të tre dokumentat e siguruar  kanë probleme të theksuara me vërtetësinë e tyre.

Një shpjegim i mundshëm për këtë situatë qëndron në dyshimet që ka ngritur Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion. Megjithëse nuk rezulton të ketë paraqitur dokumenta shoqërues, Shoqata ngre dyshimin se “Tartar Bazaj, nga Sevasteri i Vlorës, ka pasur një kushëri të tij në Krrabë të Tiranës, i cili nuk jeton më”. Shoqata, në kallëzimin e saj, dyshon se Tartar Bazaj ka falsifikuar dokumentat e tij shkollorë, duke shfrytëzuar ato të të afërmit të tij.

Në bazë të këtyre “dokumentave” të gjimnazit, më vonë Tartar Bazaj ka kryer studimet në Universitetin e Tiranës për Drejtësi dhe për shumë vite ka kryer detyrën e avokatit. Në Dhjetor 2018 ai u zgjodh anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Loading...
Të ngjashme

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.