Denoncimi i Artan Fugës/ ‘Qesharake: Akademia e Shkencave zbulon komplotin e madh kundër saj!’

ARTAN FUGA

 

 

 

Në datën 9 gusht 2019, Presidenti i Republikës, z. Ilir Meta, nxori dekretin me anë të të cilit ai rikthen përsëri në Kuvend ligjin e miratuar nga Kuvendi në datën 18 korrik për gjoja reformimin e Akademisë së Shkencave. Arsyet ligjore të plota që jep dekreti i Presidentit të Republikës tregojnë pakundërshtueshmërisht se ligja në fjalë në shumë nene e formulime nuk është fare në përputhje me legjislacionin në fuqi, tenton të shkelë rëndë autonominë e universiteteve dhe bie në kundërshtim flagrant me vetë Kushtetutën e vendit.

Po ku pyesin ata që janë mosdrejtuesit e Akademisë së Shkencave!!!

Kryesia e paligjshme e saj hidhet përpjetë në sharje dhe sulme personale ndaj Presidentit të Republikës si për inat të refuzimit në krye të Akademisë të një politikani me 30 e ca vjet në politikë dhe që nuk ka lidhje as me kërkimin shkencor dhe as me botimet shkencore së paku prej tri dekadash, ashtu edhe sepse zoti President u bë zëri i të gjitha vërejtjeve dhe kritikave që bota shkencore, e padëgjuar nga kryesia e Akademisë së Shkencave, për të formuluar në të drejtë të ushtrimit të kompetencave të tija kushtetuese refuzimin e ligjit për Akademinë e Shkencave si një ligj që bie ndesh, veç të tjerash, me juridiksionin në fuqi në Republikën e Shqipërisë dhe që tenton të vjedhë, plaçkisë liritë universitare dhe të kërkimit shkencor në favor të një politike të mbrapshtë flamurin e grisur të së cilës duan ta mbajnë disa don kishotër të privilegjuar dhe sanço pançat e tyre!

Menjëherë në ndonjë televizion mik, përfaqësuesit jolegjitimë të Akademisë së Shkencave gjetën dhe deklaruan me këtë rast jo pak, por shumë armiq të brendshëm dhe të jashtëm të Akademisë së Shkencave dhe madje grupe konspiracioniste që paskan kapur edhe Presidentin e Republikës për të dëmtuar e penguar Akademinë e Shkencave në punën e saj kaq të frytshme dhe në hopin e madh që ajo do të bënte me anë të këtij ligji!!!

Kush na kundërshton, kush na nxjerr të metat në shesh, kush na thotë të vërtetën në sy, është pjesë e një konspiracioni kundër nesh!!!

Kjo është logjika e mbrapshtë e atij institucioni, i cili ka vite, në mos dekada, që është futur në një autizëm institucional që vetë flet, vetë dëgjon, çfarë thotë sot nuk thotë nesër, dhe është mbyllur pikërisht sikurse thotë dekreti presidencial në mentalitetin për të akomoduar interesa të ngushtë personash të veçantë edhe duke marrë nëpër këmbë ligjin, drejtësinë dhe vetë institucionin.

Tani konspiracioni së fundmi u gjend, si në rastin e refuzimit nga Presidenti të një emërimi të paligjshëm në detyrën e kryetarit të Akademisë të një politikani prej tri dekadash, në zyrat e Presidentit të Republikës. Aty janë fijet e komplotistëve që kanë thurur plane armiqësore ndaj Akademisë së Shkencave!

E kam për detyrë ta sqaroj lexuesin dhe opinionin e gjerë publik se ky avaz i drejtuesve të Akademisë së Shkencave që vuajnë nga autizmi institucional nuk është hera e parë që shfaqet. Është një vazhdë e gjatë me shumë episode, të cilat, kur i njeh, e kupton se kjo Akademi Shkencash ka bllokuar çdo reflektim mbi gjendjen ku e kanë katandisur katër a pesë vetë, është refraktare ndaj çdo përpjekjeje për ta reformuar, sepse ruan me fanatizëm privilegje të pamerituara materiale, madje edhe fsheh gjëra të rënda, të cilat përpiqet me çdo kusht të mos dalin në dritë. Sepse, kuptohet, po të mos ishin këta faktorë, askush nuk do të lidhej pas këmbëve të kolltukëve të Akademisë së Shkencave duke u bërë njësh me ta.

Meqë Presidenti i Republikës u shpall nga Akademia e Shkencave si personi ku fijëzimet e një konspiracioni politik vijnë e bëhen nyje, po i ndihmoj në kujtesën e tyre për të parë se kush janë këta bashkëpunëtorë komplotistë me Presidentin e Republikës dhe çfarë synojnë ata!

Po jap raste të ndryshme për ta kuptuar se qëndrimi i Akademisë së Shkencave ndaj dekretit të fundit presidencial është strategjia dhe teknika e saj për t’i rezistuar reformës dhe ndryshimit.

1. Aty nga fillimi i muajit shtator 2017, Akademia e Shkencave organizon një palë zgjedhje për kryetar e nënkryetar të saj, të cilat u kryen pa alternativa, pa programe, pa synime reformimi, pa kandidatë rivalë dhe si rezultat nxorën si produkt, ku nënkryetari bëhej kryetar dhe kryetari bëhej nënkryetar. Zgjedhje tërësisht farsë që unë i denoncova publikisht dhe, pas meje, i denoncoi asokohe edhe Kryeministri Edi Rama. Zgjedhjet megjithatë u bënë dhe kryetari e nënkryetari, të pandjeshëm ndaj kritikave, u votuan me më shumë se 90 për qind të votave. Zili do t’i kishte me këtë rezultat çdo diktator i ndonjë vendi afrikan.

Po të shihni video emisionesh televizive të asaj kohe, do të vëreni se kritikët ndaj këtyre zgjedhjeve u vunë në shënjestër, duke u përbaltur nga Akademia e Shkencave dhe kryesia e saj. Kjo e fundit nuk la oficer a ushtar të saj pa mobilizuar për të hedhur baltë ndaj çdokujt që kërkonte reformimin e Akademisë së Shkencave.

Por, kur e panë se mund të mbeteshin pa buxhet, kryetari dhe nënkryetari ikën dhe e lanë Akademinë e Shkencave jetime në mes të rrugës, ashtu sikurse kishin bërë deri atëherë, duke e sjellë këtë institucion deri në atë pikë. Duke e parë pisk, po ajo asamble që dy muaj më parë kishte votuar gati 100 për qind kundër reformimit dhe për vazhdimësinë e paluajtshme të saj, e mbledhur me nxitim në datën 31 tetor 2017, deklaron se ishte për një reformim tërësor të sistemit shkencor dhe të vetë Akademisë së Shkencave.

Litari ishte mbledhur!

Shiheni, janë të njëjtët akademikë, që të manipuluar nga drejtues të paaftë, brenda dy muajve bëjnë dy votime të kundërta me njëri-tjetrin dhe në çdo rast votojnë mbi 90 për qind pro të dy qëndrimeve kontradiktore. Po ajo Akademi Shkencash që në 4 shtator 2017 do të votonte kundër reformimit, në 31 tetor 2017, në gjendje urgjence, do të votonte 100 për qind për reformimin, sikurse e shpall këtë qëndrim të ri në vendimin e mbledhjes së asamblesë të asaj date, ku akademikët e lënë mënjanë teorinë konspiracioniste dhe marrin “angazhimin e plotë dhe ekspertizën për kryerjen e reformës institucionale të kërkimit shkencor në vend dhe si pjesë e saj reformimin e Akademisë së Shkencave”.

Nga dega më degë!

2. Po në këtë mbledhje, asambleja e Akademisë së Shkencave shpall se do të bashkëpunojë me qeverinë e “Shkëlqesisë së Tij z. Edi Rama” (sikurse shkruajnë me plot servilizëm), me Ministrinë e Arsimit etj., për të bërë reformën! Mirëpo, në ato kohë, z. Edi Rama, duhet ta pranojmë, kishte mendime të avancuara për reformën në Akademinë e Shkencave.

Kujdes, nuk është z. Ilir Meta i sotëm si President që fliste në atë kohë, ishte vetë z. Edi Rama si Kryeministër atëherë dhe sot!!! Çfarë u thotë akademikëve të mbledhur në sallë Edi Rama? Lexojeni: U kërkon as më shumë e as më pak, por që ta rithemelojnë Akademinë e Shkencave, sepse ajo, sipas tij, ishte kthyer në një agjenci shpërndarjesh pensionesh!!!

Ballëpërballë me akademikët, pasi i kishte ftuar në zyrat e Kryeministrisë, Kryeministri u thotë në sy se institucioni i tyre ishte prej kohësh thjesht një zyrë pensionesh pleqërie, një bashkësi ku kishte edhe doktorë shkencash pothuajse analfabetë dhe që nuk e meritonin fare të ishin atje!!!

O konspiracionisti Edi Rama!!!

O bashkëpunëtori i konspiracionistit z. Ilir Meta!!!

Ti qenke origjina e atij komploti që tani po e vazhdon kryetarja e Komisionit të Edukimit dhe Mediave, zonja Fatjona Dhimitri, që e ka zhvilluar në rrugën e vet Partia Demokratike me z. Lulzim Basha në deklaratat kundër zgjedhjeve farsë në Akademinë e Shkencave dhe tani e vazhdon z. Ilir Meta!!!

Ja ku janë grupet konspiracioniste nga fillimi deri në fund!

Dëshironi ta dini se çfarë thoshte z. Edi Rama në nëntor të vitit të largët 2017 për Akademinë e Shkencave?

Përpara sesa ta citojmë, theksojmë se, në fakt, ai asnjëherë nuk është tërhequr nga ato fjalë, por ka heshtur! Konspiracionist i vërtetë!!!

Ja fjalët e tij atëherë, që fatkeqësisht ai duket se nuk dëshiron më t’ia kujtojë njeri: “Pyetja shumë e thjeshtë, – thoshte z. Edi Rama në atë mot, – që ngrihet është: Çfarë duam ne nga kjo Akademi dhe çfarë i shërben sot vendit të ketë si rezultat i rithemelimit të këtij institucioni… Sot … ne kemi një shërbim social për njerëzit e shkencës. Ky është shërbim social me pensione, me honorarë, për një grup njerëzish që kanë meritat e tyre në fushat përkatëse, ku, – le ta themi të vërtetën deri në fund, – është përzier i njomi me të thatin dhe në krah të një profesori të nderuar mund të jetë një ‘kuazi analfabet’, që ka ardhur aty dhe ka të njëjtin vend, të njëjtën peshë, me një titull doktor që nuk dihet si e ka marrë. Ne nuk mund të vazhdojmë ta mbajmë në këmbë këtë shërbim social”.

O konspiracionisti Edi Rama!

O konspiracionisti Ilir Meta!

3. Akademia e Shkencave ushtroi një presion të fortë në zyrën e ministres së atëhershme të Arsimit, zonjës Lindita Nikolla, që në komisionin e reformimit të Akademisë së Shkencave të mos kishte asnjë armik të brendshëm dhe të jashtëm në gjirin e tij. “Ne duam ta ruajmë të pastër nga armiqtë Akademinë e Shkencave!”

Autizmi akademik arrin një nga kulmet e veta të mëdha. Në komisionin e reformës do të ishin vetëm anëtarë të Akademisë së Shkencave dhe asnjë kërkues shkencor jashtë saj, asnjë profesor universiteti, asnjë ekspert i huaj, asnjë shkencëtar shqiptar jashtë vendit, askush tjetër pra! Ne që e kemi sjellë Akademinë e Shkencave në këtë pikë kalbëzimi, jemi ne që do ta bëjmë reformimin e saj!

E gjora ministre, e mirësjellë dhe me plot dashamirësi për akademikët, ndonjërin madje edhe ish-pedagog të saj, firmos një komision me anëtarë të gjithë akademikë, me përjashtim të një ish-zëvendësministri që sigurisht kurrë nuk u angazhua në këtë proces, a thua se e dinte se ishte aty vetëm për të tundur derën!

Pra, Akademia e Shkencave vazhdoi në paradokset e veta logjike, sepse nga njëra kërkonte bashkëpunim për reformimin e saj me universitarë dhe kërkues shkencorë jashtë saj, kurse më anë tjetër, në komisionin e reformimit, atje ku luhej loja dhe nuk bëheshin llogje, kujdesej që të mos kishte asnjë konspirator, më falni, asnjë anëtar jashtë saj.

Nuk e besoni? Ja komisioni që firmos ministrja me urdhrin e saj të 16 janarit 2018:
Skënder Gjinushi kryetar
Ervin Demo nënkryetar
Luan Omari anëtar
Apollon Baçe anëtar
Beqir Meta anëtar
Kosta Bajraba anëtar
Shaban Sinani anëtar

Të gjithë anëtarë të Asamblesë nga ata që dy a tre muaj më parë kishin votuar me gaz e hare që kryetari të bëhej nënkryetar dhe nënkryetari të bëhej kryetar, pra zgjedhje farsë, sikurse i përcaktonte me të drejtë ishkonspiracionisti kryesor, z. Edi Rama.

4. Aty nga fundi i vitit 2018 dhe muajt e parë të vitit 2019, ministrja e Arsimit, konform strategjisë së reformimit të Akademisë së Shkencave, nis një konsultim masiv me universitarë, pedagogë, profesorë, doktorë shkencash etj., lidhur me projektligjin që kishte përgatitur Akademia e Shkencave gjoja për reformimin e saj. Dokumenti iu dërgua pa përzgjedhje të gjitha universiteteve për të dhënë mendimin e tyre.

Por e gjitha kjo nuk tregoi veçse fijet shumë të gjëra të konspiracionit kundër Akademisë së Shkencave. Armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm vepronin kundër kështjellës së vetme të mendimit totalitar. Kjo u vërtetua sepse sipas uzurpatorëve të Akademisë së Shkencave, dhjetëra e dhjetëra departamente, pedagogë, kishin firmosur me emër dhe mbiemër për ta hedhur në koshin e plehrave projektligjin për Akademinë e Shkencave, që sot në formën e ligjit e refuzon edhe z. Ilir Meta, President i Republikës.

Pse nuk ka edhe presidentë republike, prokurorë, kryeministra dhe deputetë që kanë qenë konspiracionistë! Nuk ka zbuluar të tillë partia sa të duash!

Rektorët i bëjnë vërejtje të rënda ligjit për Akademinë e Shkencave në Komisionin e Edukimit dhe Mediave të Kuvendit? Janë edhe ata pjesë e konspiracionit.

Profesorë dhe departamente ngrenë zërin se ai ligj tenton të shkelë mbi autonominë universitare? Janë konspiracionistë edhe ata!

Të gjitha do t’i gjeni si qëndrime kritike, që faktojnë konspiracionin e madh kundër Akademisë së Shkencave në materialin që zëvendësministri i Arsimit, z. Redi Shtino, i dërgon Kuvendit me kërkesë të zonjës Fatjona Dhimitri.

Kush e ka firmosur këtë dokument zyrtar, ku në mënyrë krejt korrekte janë vendosur të gjitha ato opinione profesorësh dhe departamentesh, të cilët e konsideronin përmbajtjen e këtij ligji të gatuar shpejt e shpejt në zyrat e Akademisë së Shkencave si krejt të papranueshme?

Redi Shtino?

Edhe zëvendësministri i Arsimit, z. Redi Shtino, qenka në të njëjtin grup konspiracionist si Edi Rama, Lindita Nikolla, Fatjona Dhimitri, si rektorët, profesorët, madje edhe si dhjetëra profesorë universitetesh, që të mbledhur në 31 korrik 2019 për të dëgjuar kritika mbi këtë ligj, ranë në një mendje se ai është thjesht një paçavure e paligjshme.

Ja ku qenka origjina e këtij komploti të madh kundër Akademisë së Shkencave, që zanafilloka nga z. Edi Rama, z. Redi Shtino dhe mbaruaka te z. Ilir Meta.

5. Por fijet e komplotit nuk mbaruakan me kaq. Ato shtrihen në universitete, në Akademi, në kabinete personalitetesh e zyrtarësh të lartë, në rrethe familjare okulte, madje edhe në aparatin e Kryeministrisë dhe madje deri lart në qeveri.

Një komplot i madh kundër treshes që ka kapur drejtimin e Akademisë së Shkencave dhe i mban frymën asaj, duket se në komplot janë përfshirë edhe sekretari i përgjithshëm i Kryeministrisë, Ëngjëll Agaçi, madje edhe vetë zëvendëskryeministri Erion Braçe.

Po këta të dy, si mund të jenë implikuar në këtë komplot konspiracionit, përballë të cilit ai kundër Presidentit Erdogan u dukërka si një lojë e thjeshtë fëmijësh?

Në shkresën e datës 19 qershor 2019, firmosur nga zëvendëskryeministri z. Erion Braçe dhe dërguar Kuvendit nga z. Ëngjëll Agaçi, lidhur me ligjin e Akademisë së Shkencave për reformimin e vetvetes, bëhen dhjetëra vërejtje derisa arrihet edhe në konstatime thikëmprehta e shkatërrimtare si ky: “Për sa i përket propozimit për metoda e kritere për matjen e vlerësimin objektiv të cilësisë dhe të kontributeve në procesin e kërkimit shkencor që mund të bëjë Akademia e Shkencave, duhet të saktësohet se cilës strukturë përgjegjëse kjo Akademi mund t’ia bëjë këto propozime”. Me një fjalë, konspiracionisti Erion Braçe godet me mjetet e tija Akademinë e Shkencave, duke i treguar se mirë që ajo pretendonte se do të propozoheshin metoda kërkimore, por kush do ta dëgjonte, pra ku do t’i dërgonte sepse institucionet e kërkimit shkencor janë të lira dhe nuk kanë nevojë për to.

Dhjetëra vërejtje! Duket sikur pikat kritike të dekretit të z. Ilir Meta dhe pikat kritike të dokumentit të firmosur nga z. Erion Braçe janë krejtësisht të ngjashme, ose ngjajnë së paku si dy pika shiu.

Mos janë të lidhur me lidhje të fshehta konspiracioniste kundër Akademisë së Shkencave Ilir Meta, Edi Rama, Erion Braçe, Redi Shtino, Lindita Nikolla, Lulzim Basha dhe armiku i brendshëm, njëfarë Artan Fuga?

Se ndryshe nuk ka si shpjegohet i gjithë ky front, që edhe kur ne si Akademi e Shkencave ia shkëpusim Ministrisë së Arsimit këtë projektligj nga dora dhe nëpërmjet një deputeteje që është dora jonë e dërgojmë në Kuvend, te njeriu ynë atje, këta tipa na nxjerrin avaze, na vendosin shkopinj në rrota.

6. Dekreti i Presidentit që refuzon ta kalojë ligjin për Akademinë e shkencave dhe e rikthen atë në Kuvend?

Për Akademinë e Shkencave, ajo është hallka e fundit e këtij komploti të madh, e këtij konspiracioni gjigant. Sepse nuk ka se si shpjegohet ndryshe. Të njëjtat vërejtje në thelb janë shprehur në vijim të këtij procesi nga të gjithë njerëzit që janë përfshirë në këto grupe armiqësore dhe që tani kulmojmë me dekretin presidencial, i cili i paraprirë nga dhjetëra profesorë universitetesh, gjykon edhe ai se ligja në fjalë qenka në kundërshtim me Kushtetutën, me ligjin për arsim e shkencë, si edhe me kodin e punës!

Listë e gjatë me konspiracionistë dhe grupazhe politike, që vazhdojnë të njëjtin komplot të madh.

Problemi nuk është te këto nene që përmenden. Puna është se po të hiqen ato nene si joligjore, Akademisë së Shkencave nuk i mbetet asgjë për të bërë. Sepse të mbyllur brenda vetvetes autistë institucionalë, në konflikt flagrant interesi, të zënë ngushtë me një histori dështimesh dhe shkeljesh, është e vështirë të prodhohet një dokument ligjor, që të bëjë reformim të vërtetë. Ky reformim do të nxirrte shumë ujë të zi nga ajo ndërtesë.

Dhe një ditë, dita do të vijë.

*Anëtar i Akademisë së Shkencave

Loading...
Të ngjashme

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.