Dekriminalizimi si kastrimi kimik i Rilindjes

Nga Gentian Gaba

Duket se nuk ka paqe për Rilindjen pas 30 qershorit. Nuk mjaftoi pjesëmarrja e ulët në votime, apo fakti që parti e dytë, dolën fletët e votimit në të cilat ishin vizatuar forma falike në shenjë rebelimi ndaj kushtëzimit për të shkuar në një garë pa rivalë.

As që votat e gjetura ishin më të shumta se votuesit, apo që Vangjush Dako (kreu i shtabit elektoral për qarkun e Durrësit edhe në këto zgjedhje) u shpall non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Andrallat e vërteta nisën kur Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, nisi ofensivën ndaj atyre që dolën ‘fitues’ në zgjedhje që nuk morën në konsideratë interesat e zgjedhësve shqiptarë, sikurse pohohet në raportin e OSBE-së.

Deri në këtë moment, viktimat e shquara kanë qenë Valdrin Pjetri dhe Agim Kajmaku. Të dy të rënë pre e ligjit të ‘Dekriminalizimit’. Por, me sa duket, kjo listë shumë shpejt do të zgjatet. Sigurisht një ngjarje e kobshme kur kemi parasysh fjalën e urtë ‘të gabosh është njerëzore, të këmbëngulësh në gabim është djallëzore’.

Sepse nuk mund të bëhet më fjalë për gabime njerëzore, kur pas një beteje kaq të gjatë të opozitës për të imponuar pastërtinë e figurës në politikë, vijon këmbëngulja djallëzore e Rilindjes për të vendosur mujsharët në krye të listave dhe qyteteve. Emrat e dalë këto javë, të cilave do t’u shtohen edhe kryebashkiakë të tjerë, tregojnë së paku dy gjëra.

E para është vërtetimi nëpërmjet kandidimit të elementëve me prejardhje kriminale edhe në gara pa kundërshtarë, i projektit politik të Rilindjes për të fituar dhe mbajtur pushtetin me çdo kusht. Një vullnet që do të ekzistojë derisa brenda Partisë Socialiste të mbizotërojë ai që thuri të ashtuquajturën ‘aleancë të qelbësirave’. Si një simbiozë, ose një bashkëjetesë e vazhdueshme ndërmjet dy grupimeve llojeve të ndryshme, politikanë dhe kriminelë, që u sjell dobi të ndërsjellë.

Një simbiozë që do të kishte ‘sakatuar’ opozitën nëse do të ishte futur në garën e 30 qershorit, sikurse ndodhi në zgjedhjet e pjesshme të Dibrës dhe në të përgjithshmet e vitit 2017, për të cilat përgjimet e Bild janë prova të patjetërsueshme.

E dyta, dhe më e rëndësishmja, është fakti që ligji për ‘Dekriminalizimin’ po shërben si kastrimi kimik ndaj Rilindjes dhe gjithë të fortëve. Të cilët, në bashkëpunim me politikën, kanë përdhunuar dhe po përdhunojnë gjënë publike duke iu diktuar shoqërisë shqiptare me muskuj dhe para, në gara që do të duhet të ishin festivale idesh dhe vlerash. Rënia e njëpasnjëshme e të përzgjedhurve nga bota e krimit, duke nisur nga ata që Rama futi në Parlament dhe në bashki në mandatin e tij të parë, tregon se dobia publike e Dekriminalizimit është një vlerë absolute që i duhet njohur opozitës dhe liderit të saj.

Ky ligj, i shpikur ad hoc për ndaluar xhindet që Rama nxori nga shishja, është arma më e fortë në arsenalin e opozitës. Jo vetëm simbol i një beteje politike të fituar me zgjuarsi dhe sakrificë, por edhe i një mjeti me anë të të cilit po u tregohen shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, ngjyrat e vërteta të kryeministrit.

Jo si e pikturon propaganda e tij, por si mercenari i të fortëve në politikë. Njeriu që krijoi precedentin e rrezikshëm të amnistimit të kriminelëve nëpërmjet legjitimimit dhe integrimit të tyre në jetën politike, u hoqi zinxhirët e trashë dhe i mbathi me kostume dhe kollare.

Por, asnjë krim nuk mbetet pa ndëshkim. Kush mbjell erë, korr furtunë, dhe kush prej krimit erdhi në pushtet prej ‘Dekriminalizmit’ do të ikë!

Loading...
Të ngjashme

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.