19 Janar, 2018

“Burrat i duan punët gati, po s’qemë ne në shtëpi, s’hanë bukë për vete”

- Histori personale, Kryesore
0
Vetem një orë larg kryeqytetit, në periferi të Tiranës, jeta e grave është tejet e vështirë.

Pavarësisht se është 56 vjeç, Xhija tregon se kështu ka punuar gjithmonë, si tek familja e saj ashtu edhe tek burri.

“Për femrat janë të gjitha, se burrat nuk mund të lajnë , s’mund të fshijnë. Edhe enët do t’i lash, edhe gjellën do ta gatuash, burri s’mund të gatuajë. Plaku i do aty gati”, rrëfen Xhije Qoku, banore e fshatit Selb.

Në fshatrat Selb dhe Darshen të malit të Dajtit, uji mungon, ndaj gratë përveçse duhet të gatuajnë, të bëjnë punët e shtëpisë, të dalin me bagëtitë dhe të punojnë tokën, duhet edhe të mbushin ujë, rreth një orë larg.

Zyraja ka ardhur nga Burreli nuse në fshatin Darshen, duke menduar se do të kishte një jetë më të mirë, pa ditur se do të bëhej vetë burre e vetë grua, për të mbajtur familjen.

“Shkoj me lopë, çel lopët, laj, shpëlaj rrobat, bëj gjellën kalamajve. Burri se ka qejf fort punët e shtëpisë, burri po s’qesh unë në shtëpi, nuk ha bukë për vete”, tha Zyra Ahmeti, banore e fshatit Darshen.

Varfëria dhe mentaliteti, bëjnë që këto gra të cilat jetojnë në këto zonat periferike të vazhdojnë të jenë në kushte shumë të vështira.

Lumturia, e ndjen veten më me fat se grate e tjera të fshatit, për shkak edhe të problemeve shëndetësore, ajo ka arritur të bëj një kompromis me bashkëshortin.

“Punët e shtëpisë gjithmonë. Edhe në Shkallë tek baba im,bukë e ujë , këto dua të lame, e të shplame. Djemtë janë, por s’më dha zoti një vajzë”, thotë Lumturi Hyka, banore e fshatit Selb.

Për ato familje që kanë djem në moshë martese, ardhja e një nuseje të re duket si një shpëtim, për të përgjysmuar punët.

http://top-channel.tv/2018/01/13/grate-e-periferise-veshtiresite-e-dites-dhe-zakonet-qe-nuk-jane-shkulur/

Facebook Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *