Babalja kalon kufirin (ilegalisht

PËLLUMB NAKOPËLLUMB NAKO

Që Babalja e kishte kaluar kufirin e Republikës së Shqipërisë për të shkuar në Kosovë dhe kërkuar atje azil është tashmë një fakt relativisht i vjetër. Të gjithë e dinë. Çështja e tij bëri shumë zhurmë. E reja e këtyre ditëve është se, pas përgjigjes së analizave krahasuese të zërave të incizuar, me protagonist vëllain e Ministrit të Brendshëm dhe Babalen, ky i fundit akuzohet për “kallëzim të rremë”. Për të kërkohet arresti me burg. Madje, jo vetëm kaq. Ka edhe më: Babalja akuzohet edhe “për kalim të paligjshëm të kufirit”. Dhe këto akuza i ngre Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Në fakt, edhe një lexues i thjeshtë sikur të shfletonte legjislacionin e vjetër dhe atë të ri për organizimin e drejtësisë, nuk do të kishte vështirësi të dallonte se të dy shkeljet e mësipërme ligjore nuk janë dhe aq të rënda dhe të denja për këtë Prokurori. Mesa duket, aty nuk paska shumë punë. Megjithatë, nuk është fundi i botës. Kështu e ka parë të arsyeshme Prokuroria e Krimeve të Rënda.

 

 

Në raport me opinion publik, kallëzimi i rremë i Babales është vendosur në rend të ditës. Thuajse të gjitha mediat po e trajtojnë sipas këndvështrimit të tyre. Publiku duket edhe kurioz, edhe i shqetësuar. Madje, edhe nivelet më të larta të politikës. Opinioni publik i vendit po asiston në një përplasje të fortë ndërmjet dy fronteve: Njëri që përkrah akuzuesit e Babales, tjetri që akuzon akuzuesit.

I gjithë debati po zhvillohet në një kohë procesi reformash të thella në drejtësi. Jo vetëm në drejtim të integritetit për trupën e gjyqtarëve dhe prokurorëve, por edhe në atë të lidhur me organizimin e drejtësisë, Kodin Penal, procedurën penale.

Në tërësi, duket se ligjvënësi ynë ka ndërmarrë një operacion të gjerë me synim sjelljen e drejtësisë në shinat e virtytit profesional, në shërbim të qytetarit shqiptar.

Në kuadrin e këtyre ndryshimeve të shumta, me synim shërbimin ndaj qytetarit, disa nga parlamentarët tanë kanë pasur kujdesin dhe vëmendjen e duhur që të bëjnë korrigjime edhe për nenin 491, pika f, të Kodit të Procedurës Penale. Në thelb, ndryshim i mësipërm ka të bëjë me rastet kur një shtetas shqiptar nuk ekstradohet drejt një vendi tjetër (kur ka marrëveshje) në rastet “kur personi i kërkuar është dënuar në mungesë, me përjashtim të rastit kur shteti dërgues jep garanci për rishikimin e dënimit”. Ligjvënësi pra duket mjaft vigjilent për të rregulluar një detaj të tillë të procedurës penale, për të cilin gjithë njerëzit e ndershëm të vendit tonë, pjesa dërrmuese e shqiptarëve, nuk kanë asnjë interes nëse ndryshon ose jo. Megjithatë, këtë interes e tregoi përfaqësuesi i sovranit.

Cila është pra kategoria e personave që përfiton nga ky ndryshim. Janë gjithë shtetasit shqiptarë (aspak më të mirët), të cilët akuzohen se kanë kryer vepra penale në vendet ku kanë emigruar dhe më pas janë dënuar në mungesë nga autoritetet ligjore të këtyre vendeve. Në rastet kur këta të akuzuar për vepra penale të të gjitha llojeve, vijnë në Shqipëri, nuk do të lejohen të ekstradohen sipas kushteve të nenit të ndryshuar. Drejtësia e shtetit shqiptar kërkon garanci. Rastësi ose jo, në këtë numër përfitues duket se është edhe vëllai i ministrit të Brendshëm, në atë kohë në krye të reformës. Ky veprim në fakt nuk është për të vënë kujën sepse, të paktën në parim, shteti e ka për detyrë të mbrojë gjithë qytetarët e tij. Edhe ata që kryejnë vepra penale. Por jo për kalimin ilegalisht të kufirit nga Babalja.

Loading...

Personazhi akuzohet edhe për “kalim të paligjshëm të kufirit”. Kundërvajtje penale kjo e kryer për çdo vit nga 9 mijë shtetas shqiptarë kur thuajse çdo ditë kalojnë në këmbë kufirin drejt Greqisë. Pjesa dërrmuese e këtyre të dëshpëruarve janë shumë më të mirë dhe më fisnikë se ata që nuk do të ekstradohen për shkak të dënimeve në mungesë dhe që ligjvënësi ynë i mbrojti. Po kështu, si këta 9 mijë, edhe mijëra sirianë, afganë, pakistanezë, irakenë e shumë kombësi të tjera që kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme nga Greqia drejt Shqipërisë e kërkojnë t’i shpëtojnë mizerjes, vdekjes.

Për gjithë këtë kategori, kaq shumë masive, vazhdon të jetë në fuqi neni 297 i Kodit tonë Penal, që e dënon kalimin e paligjshëm të kufirit me gjobë deri në dy vite burg.

Me fjalë të tjera, Prokurorisë së Krimeve të Rënda do t’i duhej që, përveç Babales, të kërkonte arrestin me burg për kalim të paligjshëm të kufirit për rreth 9 mijë shtetas shqiptarë në vit. E pamundur. Por për Babalen është e mundur se Babalja “e ka kaluar shumë kufirin”. Dhe në rastin e tij nuk duket se drejtësia po ndjek shkeljen penale, duke përcaktuar përgjegjësinë e shkelësit, por po ndjek individin, duke gërmuar e mbledhur kundërvajtje penale të ndryshme “për ta groposur”. Pavarësisht nga faji i mundshëm, kjo e fundit quhet përndjekje. Njëlloj sikur Gjykata e Hagës të kishte dënuar Milosheviçin “për krime kundër njerëzimit” dhe “për kalim të paligjshëm të kufirit”.

Babalja kaloi kufirin ilegalisht drejt Kosovës. Por, siç edhe u tha më lart, neni 297 i Kodit tonë Penal nuk ka mundësi aplikimi nisur nga masiviteti i shkeljes së tij. Në këto kushte, neni ka ngelur aty si atavizëm. I pazbatueshëm. Kurse ligjvënësi ynë, aq shumë i vëmendshëm për t’u dhënë garanci ligjore disa horrave, nuk ka pikën e interesit të rishikojë dhe të ndryshojë një nen të Kodit Penal që jo vetëm inkriminon në mënyrë jo proporcionale një kategori masive shtetasish të atdheut të ligjvënësve, por edhe nuk aplikohet thuajse fare. Neni 297 mund të dënojë dikë deri në dy vite burg sepse nuk e kalon kufirin shtetëror në vendin e caktuar ose e kalon pa autorizimin e autoriteteve kufitare. Në asnjë nga rastet nuk konstatohet dëm shoqëror. Jemi në kushtet e një kundërvajtjeje të zakonshme administrative. Por dënimi mund të shkojë edhe dy vite burg. Sigurisht për përsëritësit. Nëse ky nen do të aplikohej edhe për një shtetas shqiptar, të cilin autoritetet kufitare greke dikur e kishin kapur plot 35 herë, duke kaluar kufirin ilegalisht, ai do të bënte kryente 17 vite burg sepse nuk kishte të hante dhe merrte malet për të ruajtur ca dhen e dhi.

Në momentin kur organi ynë i Prokurorisë ngarkon më përgjegjësi ligjore një individ lidhur me një kundërvajtje penale të kryer masivisht dhe të paaplikuar rast pas rasti, nuk dëshmon për drejtësi të rreptë, por për përndjekje. Kur ligjvënësi ynë reformator i drejtësisë nuk kujtohet ta përditësojë këtë nen, por i bie ndërmend të ndryshojë diçka tjetër të lidhur me një grup të reduktuar individësh, më së shumti keqbërës, duket qartë se edhe ai nuk është i interesuar për drejtësi për të gjithë. Rrjedhoja: Dikush favorizohet dhe dikush tjetër jo. Në kushte të tilla, i gjithë procesi ndaj individit të pafavorizuar do të rezultojë automatikisht i manipuluar. Dhe kjo nuk është drejtësi. Kur ligjvënësi nuk kujdeset për shumicën, por për klientelën, kjo nuk është vetëm padrejtësi, por edhe antinjerëzore.

Loading...
You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.