Artan Fuga: Kriza aktuale institucionale mund të na mbyllë gjithë shekullin e XXI

Në studion e “Ora”, ai u shpreh se Kriza e sotme tregon se ne nuk kemi kaluar as fazën e Konferencës së Mukjes, as Konferencës së Pezës.

Artan Fuga: Unë e shikoj si një krizë politike, që u shoqërua me një krizë procedurale lidhur me procesin zgjedhor, e cila ka çuar në një krizë institucionale ku ne kemi probleme me institucionin e Presidentit, të cilin institucioni i Kuvendit nuk e njeh. Me institucionin e Kuvendit, sepse një pjesë e deputetëve nuk dihet a janë të ligjshëm apo jo.

Kemi probleme me zgjedhjet dhe me KQZ.

Kemi probleme se nuk kemi Gjykatë Kushtetuese dhe kushdo merret me interpretime që nuk i takojnë. Pra kemi një krizë të madhe institucionale.

Kemi një pushtet lokal, i cili ka dalë nga disa zgjedhje që jo vetëm janë me probleme, por edhe janë të administruara nga një kod zgjedhor, që pa pjesëmarrjen e të tërë partive do apo nuk do ndokush është jo adekuat.

Pra kemi një krizë institucionale në disa rrafshe, që për mua është e barabartë me krizë të shtetit.

Është një nga krizat më të rënda që kalon shtetit shqiptar në një shekull e më tutje.

Një nga krizat më të rënda. Ndoshta në kohën e luftërave ballkanike ka pasur këtë krizë institucionale. As në kohën e diktaturës, ti lëmë natyrën e institucioneve, një të tillë paqëndrueshmëri, ku në mënyrë sistemike, strukturore mbi bazën e legjitimitetit institucional, të gjitha institucionet janë vënë në dyshim prej njëra-tjetrës.

Kam përshtypjen se mendojnë se ata kanë përgjegjësi dhe secila palë është në të drejtën e vet dhe është e legjitimuar. Në të dy themi ç’po na ndodh kështu?! Po ata po t’i lexosh në palë kontradiktore me njëra-tjetrën, mendojnë se janë në të drejtën sublime dhe e dini pse? Sepse ne jemi në atë që quhet boshllëk juridik, konstitucional. E gjithë kjo krizë ka sjellë  dhe po tregon elementët ku janë bosh nga pikëpamja normative të Kushtetutës shqiptare.

Ne nuk kemi kaluar fazën e Rilindjes. Kriza e sotme tregon se ne nuk kemi kaluar as fazën e Konferencës së Mukjes, as Konferencës së Pezës, ku pati një lloj përpjekje për të bashkëjetuar. Por ne për mendimin tim jemi në një situatë të tillë ku…ne në filozofi e quajmë gjendje natyrore. Gjendje natyrore ku norma bie, individi nuk gjykohet në raport me normën, por politikani gjykohet në raport me bindjen time. Nuk ka ‘unë gjykoj me bindjen time’. Ka një tekst dhe teksti aprovohet. Nuk ka në shtet ‘unë mendoj’.

Ne jemi shoqëri orale në traditat tona. Ne në mendësi nuk e kemi kaluar oralitetin. Ne në teknologji kemi kaluar shkrimin, kemi ardhur tek telefoni celular. Por në tru ne jemi shoqëri orale. Akoma nuk themi kjo është e shkruar dhe ajo që është e shkruar është e shkruar te tabelat e Moisiut dhe vetëm zoti mund ta prishi. Kjo është ajo që na mëson feja. Ne jemi shoqëri orale, e dini pse?

Sepse ne kemi dalë shumë shpejt nga oralitetit primitiv tek norma e shkruar dhe kombi i vogël, shoqëri kushërinjsh, ky mentalitet është ai prapa që kemi.

Është shumë e zorshme në Shqipëri, sidomos kur vjen nga një vend perëndimor që të thuash: Po si është e mundur, ka një normë?!

Po çfarë norme? Lerë se e rregullojmë ne, me një të shkelur syrin. Kjo është e tmerrshme. Kjo shoqërohet me atë që ne nuk kemi kapërcyer akoma vitin 1967 ku ligjeve të kohës iu dha një goditje sepse u zëvendësua me lëvizjen e masave. Ne jemi pikërisht në këtë situatë, ku mitingjet disapalëshe dikur të justifikuara dhe diku jo të justifikuara zëvendësojnë normën.

Pasojat e krizës

Të paimagjinueshme, të paimagjinueshme! Operatorët turistik flasin për një shkatërrim të sezonit turistik. Minimumi!

E dyta do kemi një pushtet, nuk po hyj kush e ka fajin. Një pushtet lokal i cili nuk do ketë syrin e opozitës, cilado qoftë ajo. Që do të thotë një korrupsion galopant pritet, më i madh seç është. Në ndarjen e tokave, në menaxhimin e hapësirave urbane…

Rritje të krimit.

Kjo krizë në gjykimin tim mund të na mbyllë të gjithë shekullin e XXI. E dini pse? Sepse ne jemi në vitet 20, pasojat e kësaj që ne po bëjmë sot në trurin dhe ndërgjegjen e qytetarit sjell që shteti, norma, institucioni qenka i kapërcyeshëm. Që ne jetojmë në një shoqëri jo të së drejtës, por të të fortit. Që do të thotë, çfarë do t’i thotë mësuesja në klasë fëmijës. Unë nuk kam çfarë ti them studentit në shkollë. Çfarë ti them?

Ti them që pushteti demokratik është i diversifikuar. Ai del andej dhe dëgjon diskutimet politike dhe thotë jo profesor, e ke gabim. Mund të jetë me një parti vetëm.

Nëse shthuret nocioni i të drejtës në një pikë ai është zinxhir. Shikoni në çfarë situate qesharake jemi ne.

Unë sot kam dalë nga komisioni i Medias me një ndjenjë buzëqeshje, duke thënë që ne po vijmë vërdallë dhe nuk po prodhojmë asnjë pr/ligj të ri për Akademinë e Shkencave.

Problemi është këtu: Nëse Gjykata Kushtetuese vjen pas 3 muajsh dhe na thotë ne që anulimi i zgjedhjeve nuk ishte antiligjor, mitingu del i ligjshëm, dhuna del një dhunë e legjitimuar, se del në mbrojtje të ligjit. Çka do të thotë që në momentin kur ti e dënon se ka ushtruar dhunë, apo e ke futur në birucë je ti i paligjshmi. Pra ne jemi në një situatë, ku ajo që është e drejtë dhe e padrejtë nuk vjen nga tradita, por vjen nga e ardhmja.

Për herë të parë në historinë e njerëzimit e drejta dhe e padrejta nuk ndahet në raport me gjykimet që ne kemi me të kaluarën, po me gjykimet që do na vijnë në të ardhmen. Ju duhet ta dini se për një njeri që merret me filozofi është një çmenduri, jemi në një situatë të çmendur.

Loading...
Të ngjashme

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.